Konfirmohet në detyrë prokurori Alfred Progonati

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati u konfirmua në detyrë nga KPK, pas vetingut në të tre kriteret.

Seanca dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati pranë KPK. Foto:BIRN

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati u konfirmua të ejten në detyrë nga KPK, pas vetingut në të tre kriteret.  Trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen, nuk gjeti gjatë hetimit probleme në pasurinë e Progonatit, ndërsa ai u vlerësua si i aftë profesionalisht dhe rezultoi me figurë të pastër.

Progonati prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2002. Përgjatë viteve, ai ka punuar si prokuror i sektorit të Krimit të Organizuar apo i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjatë seancës dëgjimore relatorja Pamela Qirko vuri në dukje se ndaj tij nuk kishte pasur asnjë denoncim dhe nuk ishin gjetur kontakte të papërshtatshme e ishte vlerësuar pozitivisht sa i përket profesionalizmit.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit sipas relatores nuk kishte vërejtur asnjë problem në pasurinë e Progonatit. KPK megjithatë vuri në dukje mangësi të vogla që kishin rezultuar gjatë analizës financiare. Sipas relacionit pas analizës finaciare dhe pas dokumenteve shtesë të sjellë nga subjektik, ai rezultoi në fund me një diferencë negative për vitin 2014 në shumën 92 mijë lekë. Progonati i cili e përmendi këtë detaj edhe në seancë dëgjimore tha se kishte pasur burime financiare dhe se diferenca mund të jetë pasojë e ndonjë gabimi ose problem prej konvertimit të të ardhurave në euro.