Konflikti interesit, kryetarja e Kolegjit jep dorëheqjen nga shqyrtimi i gjyqtarit Artur Malaj

Lajme
Pasi BIRN hodhi dritë mbi akuzat për konflikt interesi midis gjyqtarit të Gjykatës Administrative Artur Malaj dhe kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, kjo e fundit ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i ankimit të Komisionerit Publik kundër subjektit të rivlerësimit.

Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anetarët, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjatë një seance të KPA,

Një trupë gjyqtarësh të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pritet të mblidhen për të shqyrtuar heqjen dorë të kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj nga shqyrtimi i çështjes nr. 34/2018, datë 13.11.2018, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Malaj.

Dorëheqja e kreut të KPA-së nga çështja zbulohet nga një urdhër delegimi kompetencash i datës 7 maj për gjyqtarin Luan Daci, i cili është  publikuar në fletoren zyrtare.  E pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësje, gjyqtarja Mulaj nuk komentoi menjëherë të premten mbi arsyet e heqjes dorë nga gjykimi.

Dorëheqja e gjyqtares Mulaj vjen pas një investigimi të BIRN, i cili raportoi me datë 15 prill, se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po shqyrtonte një ankim për konflikt interesi ndaj gjyqtares Natasha Mulaj, e cila akuzohet për konflikti interesi pas përfshirjes së familjarëve të saj në një çështje gjyqësore me një subjekt rivlerësimi.

Lexo më shumë:

Akuzat ndaj kreut të KPA-së, Mulaj rrjedhin nga një çështje për “sigurim padie” në Gjykatën Administrative të Apelit, e ngritur kundër bashkisë Tiranë për kundërshtimin e një lejeje ndërtimi nga shoqëria ‘Construction Management Alliance Albania’ dhe të tjerë – e cila u shqyrtuar nga një trupë gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Artur Malaj.

Kompania ‘Construction Managment Alliance Albania’  është në pronësi të shtetasit Admir Mulaj – vëllai i gjyqtares së Kolegjit, Natasha Mulaj.

Me vendim të datës 9 maj, trupa gjykuese e Gjykatës Administrative e udhëhequr nga Artur Malaj dhe anëtar Rilinda Selimi dhe Lindita Selimi ka vendosur në favor palës paditëse, e cila përfshin dhe familjarët e kreut të KPA-së, duke marrë masë sigurie kundër lejes së ndërtimit.

Malaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Çështja ndaj tij pritet të gjykohet nga një trupë prej pesë gjyqtarësh, e cila përfshin dhe kreun e KPA-së, Natasha Mulaj.

Pala e paditur e akuzon gjyqtarin Malaj për shkelje proceduriale në procesin administrativ, që sipas tyre vijnë si pasojë e interesave të këtij të fundit për të kaluar procesin e vetingut si dhe interesave të familjarëve të gjyqtares Mulaj në këtë çështje.

I pyetur nga BIRN, gjyqtari Artur Malaj i ka mohuar akuzat për konflikt interesi duke deklaruar se nuk kishte njohje me kreun e KPA-së dhe as me familjarët e saj.