Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

‘Kontrata të çuditshme’: KPK ngre dyshime mbi pasurinë e prokurorit Arben Smaçi

Prokurori i Shkodrës, Arben Smaçi ka kryer sipas KPK-së deklarim të pasaktë dhe të rremë për çmimin e një apartamenti, ndërsa rezultoi me mungesa financiare të mëdha për justifikimin e pasurisë.

Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Arben Smaçi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Nënshkrimi i një kontrate premtim-shitje për një apartament në Tiranë në vlerën 50 mijë euro nga prokurori i Shkodrës, Arben Smaçi, në të njëjtën ditë që shitësi kishte lidhur kontratën e sipërmarrjes për të njëjtën pasuri në vlerën e 90 mijë eurove ngjalli habi dhe paqartësi mes anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancën dëgjimore që u zhvillua të enjten.

Transaksioni është ndërlikuar edhe nga një pagesë prej 36 mijë euro që shitësi kishte bërë për llogari të kompanisë ndërtuese në emër të Smaçit.

“Çfarë mund ta ketë shtyrë Xh.B. të bëjë pagesa në emër të subjektit të rivlerësimit, kur ky i fundit e ka paguar vlerën e përcaktuar në kontratën e premtim shitjes? Kjo është çudia më e madhe,” tha në seancë komisioneri Olsi Komici.

Në fillim të seancës së dytë dëgjimore të enjten më 15 korrik, kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari dhe relatorja Firdes Shuli sqaruan se hetimet për Smaçin ishin mbyllur vetëm për kriterin e pasurisë dhe një kërkesë e subjektit për riçeljen e hetimit ishte rrëzuar.

Komisioni pranoi një javë më parë më 8 korrik, kërkesën e subjektit për shtyrjen e seancës, për shkak të mungesës së përfaqësueses ligjore, avokates Romina Zano, e cila paraqiti shpjegimet dhe provat në funksion të barrës së provës. Prokurori Smaçi nuk preferoi të jepte vetë shpjegime, por u dha përgjigje komisionerëve kur ata këmbëngulën që të jepte ai sqarime për disa pyetje.

Kontratat për apartamentin

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, nuk kishte gjetur asnjë problem në pasurinë e prokurorit Arben Smaçi, por KPK ngriti në seancë dëgjimore dyshime për deklarim të rremë të një apartamenti të porositur në vitin 2015 në Tiranë si dhe mungesën e burime të ligjshme në vlera të mëdha.

Relatorja Firdes Shuli shpjegoi se nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori Smaçi ka nënshkruar kontratë premtim shitje në vitin 2015 me shtetasin Xh.B. për blerjen e apartamentit kundrejt vlerës 50 mijë euro. Në të njëjtën ditë, shitësi Xh.B. kishte nënshkruar kontratë sipërmarrje me shoqërinë ndërtuese për blerjen e të njëjtit apartament për 90 mijë euro.

Në seancë u sqarua se apartamenti është regjistruar në vitin 2020 në emër të bashkëshortes së prokurorit Smaçi dhe vlera e kësaj pasurie në kartelën e pasurisë figuron në shumën 90 mijë euro.

Sipas kontratës së sipërmarrjes, Xh.B. i ka shlyer shoqërisë ndërtuese vlerën 90 mijë euro, ndërsa sipas kontratës së premtim-shitjes, prokurori Smaçi ka paguar çmimin 50 mijë euro për llogari të Xh. B. Pas lidhjes së këtyre kontratave, Xh.B. ka vijuar të kryejë pagesa për këtë apartament në favor të shoqërisë dhe për llogari prokurorit Smaçi deri në vitin 2019, në vlerën totale rreth 36 mijë euro. Anëtarët e trupit gjykues e cilësuan të çuditshme situatën e konstatuar në transaksionet për përfitimin e kësaj pasurie nga Smaçi.

Duke iu referuar çmimit të referencës sipas EKB, Komisioni vlerëson se çmimi i apartamentit duhet të jetë 7.9 milionë lekë dhe jo 6.8 milionë lekë sa e ka deklaruar subjekti i rivlerësimit. Gjithashtu, janë administruar 11 kontrata për shitjen e apartamenteve të tjerë në atë pallat, prej nga ka rezultuar se çmimi për m2 i tyre është sa dyfishi i çmimit të banesës së prokurorit Smaçi.

Shuli tha subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të rremë për çmimin e apartamentit, pasi duket se e ka blerë për shumën 90 mijë euro.

Qëndrimi i prokurorit Arben Smaçi u paraqit në seancë nga avokatja Romina Zano. Ajo shpjegoi se kur subjekti ka negociuar me Xh.B., ky i fundit i ka thënë se e kishte përfituar apartamentin si pronar i truallit ku po kryhej investimi dhe se ishte rënë dakord për çmimin 50 mijë euro që do t’i paguhej menjëherë shitësit për nevojat e tij.

“E gjithë vlera është e kaluar në bankë. Subjekti në asnjë moment nuk kishte dijeni për kontratën e shitësit Xh.B. me shoqërinë ndërtuese, derisa kjo gjë i është bërë e ditur nga ILDKPKI. Kjo kontatë nuk është bashkëlidhur asnjëherë me kontratën e premtim-shitjes,” pohoi Zano.

Relatorja Shuli dhe anëtari Komici konstatuan se në kontratën e premtim-shitjes evidentohej kontrata e sipërmarrjes mes Xh.B. dhe shoqërisë ndërtuese, pavarësisht faktit se nuk pasqyrohej çmimi 90 mijë euro. Ata theksuan se subjekti nuk mund të pretendojë se nuk e ka ditur ekzistencën e kontratës tjetër të lidhur mes shitësit Xh.B. dhe firmës ndërtuese, pasi pasqyrohej në kontratën e nënshkruar prej tij.

Zano shtoi se pasi subjekti ka mësuar për kontratën tjetër, ka pyetur Xh.B. i cili e ka sqaruar se prej vitit 2014 ka blerë kuota të shoqërisë ndërtuese. Ajo dorëzoi si prova mandate arkëtimet për vlerën 36 mijë euro dhe deklaroi se nga këto dokumente provohej se pagesat janë kryer nga Xh.B. dhe jo nga subjekti i rivlerësimit. Sipas Zanos, këto pagesa mund të kenë qenë edhe për shkak të ndarjes së dividentit mes ortakëve.

Pas ndërhyrjes së komisionerit Komici, i cili kërkoi të lexohej përmbajtja e mandat-pagesave, Zano sqaroi se si destinacion përshkruhej shoqëria e ndërtimit, me përshkrim emrin e prokurorit Smaçi dhe të apartamentit që ai zotëron.

Zano deklaroi se Xh.B. në cilësinë e ortakut të shoqërisë ndërtuese ka pasur detyrime dhe të drejta. “Vlerësojmë se nuk ka deklarim të rremë. Nuk mund të vlerëoshet se këto shuma i ka paguar subjekti,’ pohoi Zano.

Balancat negative

Si burime për pagesën 50 mijë euro, Smaçi ka deklaruar të ardhurat nga pagat, kursimet ndër vite, të ardhurat e vëllait si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar dhe një hua në shumën 20 mijë euro.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti ka përfituar nga pagat shumën 690 mijë lekë deri në momentin e kryerjes së pagesës. Ndërkohë, ai nuk ka deklaruar gjendje cash. Shuli tha se janë konsideruar interesat e përfituara nga një depozitë 3.6 milionë lekë në bankë.

Komisioni ka hetuar origjinën e kësaj depozite, prej nga ka rezultuar se është krijuar nga bashkimi i katër depozitave të mëparshme, të tërhequra nga Smaçi në vitin 2015. Sipas Shulit, nga hetimi është konstatuar balancë negative në shumën 2.3 milionë lekë për krijimin e katër depozitave që kanë shërbyer për krijimin e asaj në vlerën 3.6 milionë lekë.

Gjithashtu, nuk është vërtetuar ligjshmëria e të ardhurave të vëllait në Mbretërinë e Bashkuar, duke mos u konsideruar vlerat e dërguara nëpërmjet agjencive të transferimit të valutës.

KPK konstaton se huadhënësi N.F. ka pasur mundësi për dhënien e shumës 20 mië euro, por subjekti nuk ka pasur likujditete të mjaftueshme për shlyerjen e këstit 5000 euro në vitin 2016.

Komisioni ka konsideruar si çmim të apartamentit shumën 90 mijë euro. Shuli tha se, vlera rreth 4000 euro që nuk është vërtetuar se kur mund të jetë paguar, është shpërndarë në mënyrë të barabartë në çdo vit.

Nga analiza financiare paraprake, prokurori Smaçi ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 4 milionë lekë për shlyerjen e vlerës 50 mijë euro për apartamentin në vitin 2015. Për shlyrjen e shumës 31 mijë euro në 2016-ën ka rezultuar në pamundësi në shumën 5.3 milionë lekë dhe për pjesën e mbetur të shlyer deri në 2019, është konstatuar balancë negative rreth 1.1 milionë lekë.

Mungesë financiare është gjetur edhe për pagesën e shkollimit të vajzës në një kolegj privat në shumën 2500 euro, shpenzim për të cilin Smaçi ka deklaruar se e ka mbuluar vëllai i tij në formë dhurate. Sipas Shulit, subjekti nuk ka vërtetuar ligjshmërinë e të ardhurave të vëllait.

Zano këmbënguli se çmimi i blerjes së apartamentit është 50 mijë euro dhe se analiza financiare duhet të kryhet për këtë shumë. Ajo tha se një gjë e tillë është konkluduar edhe prej ILDKPKI.

Sipas saj, të ardhurat e vëllait të subjektit në Mbretërinë e Bashkuar janë të ligjshme pasi janë dërguar në rrugë ligjore. Avokatja Zano sqaroi se subjekti kishte punuar para se të fillonte Shkollën e Magjistraturës dhe se kishte siguruar të ardhura që mundësonin krijimin e depozitave në vitin 2008 e në vazhdim.

Lidhur me pagesën e shkollimit të vajzës pranë një kolegji, Zano tha se vëllai e famijarët i kishin marrë përsipër me dëshirë.

Gjithashtu, Zano kërkoi rishikimin e shpenzimeve të jetesës, duke sjellë në vëmendje se fëmijët e subjektit janë në moshë të mitur dhe se ai ka jetuar me prindërit për disa vite, të cilët i kanë mbuluar shpenzimet.

Sipas Zanos, vlera 50 mijë euro është e njëjtë me çmimin e bazuar në referencën sipas EKB dhe kërkoi rikryerjen e përllogaritjes sipas këmbimit valuator të vitit 2015.

Në fund të paraqitjes së mbrojtes, Zano kërkoi të administroheshin si prova dokumentet e sjella në seancë lidhur me mandate arkëtimet për pagesën 36 mijë euro nga Xh.B; ato për të cilat pretendoi se vërtetojnë ligjshmërinë e të ardhurave nga emigrimi të vëllait të subjektit dhe kërkoi riçeljen e hetimit për pasurinë si dhe të dy kritereve të tjerë të rivlerësimit.

KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet me datë 21 korrik, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *