Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Kontratat fiktive për kredi, “kurthi” që solli shkarkimin e Ervin Metallës

KPK e cilësoi gjykatësin e Apelit të Tiranës Ervin Metalla të papërshtatshëm për detyrën, ndërsa vlerësoi se një seri kontratash fiktive dhe përfitimi i një kredie të butë të pamerituar, binin ndesh me figurën dhe etikën e gjyqtarit, bazuar edhe në shtjellimet që i ishin bërë rreth këtij subjekti nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtari Ervin Metalla | Foto : LSA

Kontratat fiktive dhe përfitimi i një kredie të butë për të cilën nuk përmbushte kushtet ligjore, penalizuan Gjykatësin e Apelit Ervin Metalla. Ndryshe nga shumë kolegë që u shkarkuan më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit sepse nuk arrinin të provonin pasurinë, vendimi i zbardhur tregon se Metalla u rrëzua kryesisht për shkak se nënshkrimi prej tij i një sërë kontratash fiktive, u cilësua nga KPK si sjellje “jo etike për një gjyqtarë”.

“Jeta personale e gjyqtarëve, sjellja e tyre jashtëgjyqësore, është po aq e rëndësishme sa ajo në kontekstin profesional”, thuhet në arsyetimin e KPK-së në vendimin për shkarkimin e Ervin Metallës.

Trupa gjykuese që drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Etleda Çiftja, vendosi shkarkimin e Metallës duke cilësuar se deklarimi i tij ishte i pamjaftueshëm. Në vendimin e zbardhur theksohet po ashtu se gjykatësi refuzoi të merrte barrën e provës për të vëllain Eugen Metalla, edhe pse KPK argumentoi që ky i fundit kishte marrë përsipër me letra pagesën e një kredie dhe kishte vënë si kolateral banesën e tij për shtëpinë e gjyqtarit, duke qenë kështu person i lidhur.

Metalla, i cili ka drejtuar Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 ishte gjyqtar i Apelit të Tiranës, u mbrojt duke justifikuar veprimet fiktive për shkak të nevojës për banesë. Ai tha gjatë seancës dëgjimore se “Ironikisht duket sikur unë i kam ndërtuar një kurth vetes sime për të përfituar kredinë lehtësuese”. Ai po ashtu pretendoi se kishte të njëjtin apartament. Tha se nuk kishte lidhje me pasurinë e të vëllait, pasi nuk kishte marrë prej tij as hua as dhuratë.

Lexo edhe:

Fiktiviteti i kredive

Në vendimin e zbardhur  KPK thotë se pasi kishte marrë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPI) raportin se nuk kishte asnjë problem në pasurinë e Metallës, ka kryer hetimin administrativ.

Komisioni thotë se në mbyllje të këtij hetimi u pa se Metalla mund të gjykohej vetëm bazuar mbi kriterin e pasurisë. Një vendim që KPK e merr kryesisht kur shikon se subjekti rrëzohet në atë kriter dhe nuk është nevoja të hetohet në kritere të tjera.

Ndërsa nuk ka gjetur problem me fshehje pasurie dhe as ka gjetur pasuri më të madhe se ajo e deklaruara, KPK gjeti kontrata fiktive që u gjykuan prej trupës si shkarkuese. Fillimisht sipas vendimit të zbardhur është një kontratë kredie me një bankë të nivelit të dytë vitin 2007.

Kontrata është nënshkruar bazuar mbi një kontratë paraprake shit-blerje mes Metallës dhe Eduard Halimit (emri u përmend në seancë dëgjimore), më vonë deputet dhe ministër i Drejtësisë, ku çmimi i banesës që blihej caktohej 75 mijë euro. Metalla pas kësaj mori kredi në shumën 55 mijë euro dhe nënshkroi një kontratë të dytë ku vlera e apartamentit që blihej ishte po aq sa kredia.

Në vendimin e zbardhur ai është justifikuar se çmimi i parë kishte qenë paraprak dhe se në fakt në kontratë lejohej ulja e tij deri në 70 për qind. Ai thotë se në kontratën e dytë çmimi është ulur pasi banesa ishte e palegalizuar dhe se blerësi merrte përsipër riskun që ajo të mos legalizohej.

Por sipas Komisionit kontrata është fiktive dhe është bërë me qëllim përfitimin e një kredie më të madhe se sa mund të merrej mbi atë banesë. “Kjo kontratë paraprake e lidhur mes palëve është një veprim juridik që përbën një marrëveshje ndërmjet palëve, që nuk ka për qëllim të shkaktojë pasoja ligjore për sa i përket elementit kryesor të një kontrate shitblerjeje – çmimit. E vetmja pasojë që ka qenë synuar të arrihej nga palët ishte marrja e një kredie që do të mbulonte të gjithë çmimin dhe jo vetëm 70 % të tij”, thuhet në vendimin e arsyetuar, duke e cilësuar këtë veprim fiktiv juridik me qëllim përfitimi financiar.

Veç kësaj kredie në vitin 2011 Metalla paraqet kërkesë për kredi të butë. Komisioni thotë se para se aplikimi ishte bërë në shkelje me rregullat për këtë kredi dhe se po ashtu ishte shoqëruar me disa veprime fiktive.

Fillimisht gjykatësi i shkarkuar nga KPK i kaloi kredinë që kishte marrë në një bankë të nivelit të dytë, të vëllait i cili merrte përsipër pagesën e saj dhe po ashtu fiktivisht edhe pronësinë mbi shtëpinë e blerë me këtë kredi.

Më pas hetimi gjeti se ai nuk plotësoi saktë formularin për përfitimin e kredisë së butë duke mos përmendur zotërimin e shtëpisë që e skualifikonte atë nga ky pretendim. Hetimi i KPK-së gjeti se Metalla ishte në dijeni të këtij fakti, ndërsa ndërmori disa veprime fiktive për ta bërë veten përfitues.

KPK thotë se ndër të tjera Metalla nënshkroi një kontratë fiktive me një kompani ndërtimi në Durrës, ku sipas ligjit ai duhej të blinte banesë prej kredisë së butë pasi ai ishte qyteti ku punonte. Kur kredia u disbursua shuma që fillimisht u përfitua nga kompania, iu kthye pas gjykatësit të shkarkuar në llogarinë e babait.

Metalla u mbrojt duke thënë se kishte bërë një kërkesë për kredi të butë në vitin 2006 para se të blinte shtëpinë, por kjo nuk ishte procesuar. Ai po ashtu pranoi se në cilësinë e kryetarit të Unionit të Gjykatësve kishte vetëdeklaruar se kishte nevojë për kredinë e butë.

KPK arsyetoi se kjo listë veprimesh fiktive e penalizonte atë. “Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Ervin Metalla, nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë. Në zbatim të pikës 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës disiplinore të shkarkimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Mos pranimi i vëllait si person i lidhur

Pasi shqyrtoi kredinë e butë KPK i kërkoi Metallës që të merrte barrën e provës mbi pasurinë e të vëllait. Metalla refuzoi duke thënë se ai nuk mund të kategorizohej si person tjetër i lidhur, pasi ai nuk kishte marrë hua dhe dhurata nga vëllai.

Por për KPK refuzimi i marrjes së barrës së provës ishte një tjetër shkelje. KPK tha se vëllai i gjykatësit të shkarkuar e kishte ndihmuar këtë të fundit, duke marrë përsipër edhe pse fiktivisht pagesën e kredisë së parë dhe po ashtu edhe shtëpinë në Tiranë dhe kjo e bënte atë person të lidhur.

KPK sqaroi se person i lidhur konsideroheshin të gjithë ata “që duket se kanë apo kanë pasur lidhje interesi me subjektin e rivlerësimit që rrjedh nga një interes pasuror ose çdo marrëdhënie tjetër biznesi”, thuhet në vendim.

Vëllai i gjykatësit sipas KPK-së zotëronte bono në vlerë 100 mijë euro dhe po ashtu pasuri të ndryshme të paluajtshme. Në përgjigje për KPK Metalla justifikoi në njëfarë mënyre pasurinë e të vëllait, duke pretenduar se ai kishte aktivitet privat dhe se kishte qenë emigrant në Itali për gati 10 vjet.

KPK rrëzoi pretendimin e gjykatësit të shkarkuar se vëllai kishte bërë para në Itali për të justifikuar pasurinë. “Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit për pasuritë në pronësi të vëllait E. M, bie ndesh me sa rezultoi nga hetimi administrativ, ku sipas të dhënave të sistemit TIMS, vëllai i subjektit të rivlerësimit, z. E. M, për periudhën 2004 – 2017 ka kryer lëvizje të pakta (gjithsej 14) me qëndrim të shkurtra, me destinacion Italinë”, thuhet në vendimin e zbardhur

Sipas KPK-së koha e qëndrimit në Itali bazuar në sistemin TIMS e rrëzonte “pretendimin e ngritur nga subjekti i rivlerësimit se vëllai i tij ka qenë me rezident permanent dhe i punësuar me kohë të plotë në Itali, për periudhën 2004 -2008”.

Po ashtu KPK doli në përfundimin se as fitimet nga biznesi në Shqipëri nuk justifikonin pasurinë e vëllait të gjykatësit të shkarkuar. “Trupi gjykues arsyeton se, sa u takon fitimeve nga biznesi privat në Shqipëri, pretendimi i subjektit të rivlerësimit se fitimi ka qenë më i lartë nga ai i konstatuar, nuk është i mbështetur në ligj dhe në prova”, thuhet në vendim.

Në fund KPK vendosi se Metalla duhej të shkarkohej. “Në vlerësim tërësor të procedurave për vlerësimin e pasurisë trupi gjykues arsyeton se Subjekti i rivlerësimit, për qëllim përfitimi financiar, ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive të simuluara, të cilat nuk përputhen me sjelljet etike që një gjyqtar pritet të ketë”, thuhet në vendim, ndërsa përmenden veprimet fiktive të ndërmarra nga gjykatësi.

KPK i referohet po ashtu jurisprudencë së Gjykatës Europiane Për të Drejtat e Njeriut lidhur me paanësinë e gjykatësit, në “Teorinë e dukjes”. “Standardet e etikës zbatohen edhe jashtë gjykatës dhe përfshijnë jetën private, duke kërkuar që gjyqtarët të sillen me integritet dhe në një mënyrë të denjë për detyrën”, thuhet në vendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *