Kostot e ndërtimit të dy shtëpive private rrëzuan në veting prokurorin Hysen Keta
Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Kostot e ndërtimit të dy shtëpive private rrëzuan në veting prokurorin Hysen Keta

Vendimi i arsyetuar i KPK-së rendit si shkaqe të shkarkimit të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta “deklarimin e pamjaftueshëm” të kostove reale të ndërtimit të dy shtëpive në truallin e trashëguar nga babai si dhe të të ardhurave të përfituara ndër vite nga qiraja.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta pas vendimit të shkarkimit nga detyra. Foto: LSA

Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta u shkarkua nga detyra më 25 korrik 2019 pas një morie problemesh me pasurinë të konstatuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi unanim u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se prokurori Keta –i cili ka punuar për më shumë se një dekadë në Prokurorinë e Përgjithshme, u penalizua për shkak të deklarimit të pamjaftueshëm të kostove reale të ndërtimit të dy shtëpive mbi një truall të trashëguar nga babai në Tiranë.

Komisioni ka arritur gjithashtu në përfundimin se subjekti nuk kishte pasur aftësi financiare për të mbuluar investimet, nuk arriti të dokumentonte të ardhurat nga avokatia në fillim të viteve ’90 si dhe nuk deklaroi ndër vite disa pasuri në emër të tij dhe të familjarëve.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit mori një vlerësim pozitiv sa i përket pastërtisë së figurës, ndërsa në kriterin e profesionalizimit, KPK evidentoi dy hetime të mangëta, por që në vlerësimin përfundimtar i konsideroi ato të pamjaftueshme për ta renditur këtë kriter mes arsyeve të shkarkimit.

Hysen Keta e ka nisur karrierën në drejtësi në vitin 1979 dhe përveç punës si prokuror, ka ushtruar edhe profesionin e avokatit për një periudhë kohe. Për më shumë se një dekadë, Keta ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua fillimisht në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas u komandua drejtues i Prokurorisë së Përmetit.

Gjatë korrespondencës me KPK-në dhe më pas në seancë dëgjimore, Keta mbrojti idenë se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për ndërtimin e dy pasurive të patundshme si dhe kishte paguar detyrimet tatimore për të ardhurat nga avokatia –duke ia faturuar mungesën e dokumentacionit institucionit përgjegjës.

I ngarkuar me barrën e provës edhe për disa mosdeklarime, Keta u përgjigj se “nuk mendonte se kishte arsye specifike përveç harresës”.

Problemet me pasurinë

Procesi i vetingut për prokurorin Hysen Keta nisi me një raport negativ të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, i cili vlerësonte se subjekti kishte kryer deklarim të pasaktë si dhe kishte disa mosdeklarime pasurish ndër vite. Megjithatë, ILDKPKI konstatonte se subjekti kishte burime të ligjshme dhe se nuk kishte kryer deklarim të rremë.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u fokusua më pas te dy pasuritë e patundshme të familjes, një shtëpi tre-katëshe me sipërfaqe 190 m2 si dhe një shtëpi dykatëshe me sipërfaqe 120 m2; të ndërtuara të dyja në një sipërfaqe trualli prej 550 m2 të trashëguar nga babai i subjektit.

Për shtëpinë 3-katëshe, subjekti kishte deklaruar pjesë takuese prej 1/3 dhe se ndërtimi ishte kryer në vitet 1996-2001 në shumën e 2.2 milionë lekëve. Ai kishte shtuar gjithashtu si burim të ardhurat familjare ndër vite si dhe të ardhurat e përfituara nga profesioni i avokatit në vitet 1993-1998.

Ndërsa për shtëpinë dykatëshe, Keta ka deklaruar se kati i parë ishte ndërtuar në vitin 1960 nga babai i tij, ndërsa kati i dytë me sipërfaqe 60 metra dhe pjesë takuese 1/3 ishte ndërtuar në vitet 2006-2011.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje mes deklarimeve ndër vite lidhur me sipërfaqen e ndërtimit dhe në mungesë të preventivit të punimeve, iu referua çmimeve zyrtare të Entit Kombëtar të Banesave për të llogaritur kostot reale të ndërtimit.

Për shtëpinë 3-katëshe, kostoja e ndërtimit sipas Entit të Banesave rezultoi rreth 4 milionë lekë; ose gati dyfishi i vlerës së deklaruar nga Keta. Gjithashtu, KPK arriti në përfundimin se subjekti kishte pasur mungesë të ardhurash për ndërtimin e saj, pasi të ardhurat prej 4 milionë lekësh me burim të deklaruar avokatinë nuk u dokumentuan gjatë procesit të vetingut.

Në vendim citohet se prokurori Keta deklaroi përmes një pyetësori se ishte regjistruar si person fizik avokat në fund të vitit 1993 dhe fillim të vitit 1994 dhe se kishte paguar të gjitha detyrimet, përfshirë taksat, tatimet dhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore.

“Në vijim, subjekti deklaroi se verbalisht i ishte thënë se nuk disponoheshin të dhëna për periudhën në fjalë dhe se kishte kërkuar zyrtarisht informacion për secilin vit dhe se ishte në pritje të përgjigjes,” shtohet në vendim.

Paralelisht me deklarimin e tij, subjekti dorëzoi në KPK edhe një vërtetim nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për pagesën e kontributeve të periudhës 1994-1998, por trupi gjykues vendosi se kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i konsideruar të ardhurat nga avokatia të ligjshme.

Në vlerësimin e vet mbi këto prona, KPK shpjegon se pasi iu referua kostove të Entit Kombëtar të Banesave arriti në përfundimin se subjekti nuk kishte deklaruar vlerat reale për asnjërën prej tyre.

“Trupi gjykues çmon se subjekti nuk ka deklaruar vlerën reale të kostove të ndërtimit të kësaj pasurie, si dhe nuk ka pasur aftësi financiare në shumën 3 016 117 lekë për të investuar në ndërtimin e kësaj pasurie të paluajtshme përgjatë viteve 1996 – 1998, si dhe për të përballuar shpenzimet familjare,” thuhet në vendim lidhur me shtëpinë 3-katëshe.

KPK i ka konsideruar jobindëse edhe shpjegimet e subjektit në lidhje me të ardhurat nga avokatia- përjashtimi i të cilave nga llogaria e nxorri analizën financiare me balancë negative.

“Trupi gjykues konstaton së pretendimet e subjektit për pagesa të detyrimeve tatimore, apo për pamundësi të të dhënave nga institucioni i Drejtorisë Tatimore mbetën thjesht dhe vetëm në kuadër deklarativ, si dhe bien në kundërshtim me konfirmimin e institucionit tatimor si një subjekt i paregjistruar,” shtohet në vendim.

KPK arriti në konkluzione të ngjashme edhe për shtëpinë dy-katëshe, ku pamundësia financiare rezultoi në vlerën e 266 mijë lekëve.

Keta u penalizua gjithashtu për deklarim të pasaktë të gjendjes së kursimeve në cash, pamundësi financiare për blerjen e një automjeti si dhe mosdeklarimin në kohë të një apartamenti në pronësi të së bijës dhe bashkëjetuesit të saj.

Ndërkohë, KPK evidentoi një rast të tretë të “deklarimit të pamjaftueshëm” lidhur me të ardhurat e përfituara nga qiraja në vlerën 2.7 milionë lekë, që sipas vendimit të arsyetuar ishin deklaruar në vlerë më të vogël në deklaratën “veting” si dhe nuk u provuan me dokumentacion justifikues ligjor.

“Në tërësi, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në mënyrë të pasaktë burimet e pasurive në deklaratën “Vetting” si dhe nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre dhe të ardhurave me burim nga ushtrimi i profesionit të avokatit…Për rrjedhojë, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë…,” argumenton trupa gjykuese.

Hetime të mangëta

Përveç problemeve me pasurinë, KPK konstatoi dy raste hetimesh të mangëta në rivlerësimin e kriterit profesional për prokurorin Hysen Keta; ku njëra çështje lidhej me kallëzimin e ILDKPKI ndaj një doganieri në Përmet dhe e dyta me denoncimin e një shtetaseje.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, hetimi ndaj zyrtarit të doganave lidhej me kallëzimin e ILDKPKI për mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të produkteve penale për një shumë prej 80 mijë eurosh, të cilat ishin deklaruar si vlera të përfituara nga emigracioni. Zyrtari nën hetim me inicialet G.L pretendonte më pas se 70 mijë euro ia kishte dhënë hua kushëririt të tij.

Vendimi i KPK-së sqaron se prokurori Keta e mori këtë dosje nga një prokuror tjetër dhe vendosi fillimisht të pushonte akuzën e “pastrimit të produkteve penale”, pa kryer një listë të gjatë verifikimesh që lidheshin me ligjshmërinë apo jo të të ardhurave nga emigracioni si dhe pa vërtetuar gjendjen gjyqësore të zyrtarit të kallëzuar nga ILDKPKI.

Në pretendimet e tij para KPK-së, Keta sqaroi se pushimi i akuzës së “pastrimit të parave” u miratua nga gjykata, ndësa akuza e dytë e mosdeklarimit apo deklarimit të rremë të pasurisë u konsiderua “gjë e gjykuar”, pasi ILDKPKI e kishte konstatuar edhe në vitin 2012 dhe e kishte konsideruar gabim njerëzor.

Megjithatë, KPK arrin në përfundimin se subjekti nuk arriti të provojë se ka kryer hetime të thelluara mbi legjitimitetin e të ardhurave nga puna në emigracion të doganierit.

“Trupi gjykues çmon se ka qenë detyrë parësore e subjektit të rivlerësimit të hetonte mbi gjendjen gjyqësore të të akuzuarit, veprim të cilin e ka anashkaluar. I njëjti veprim hetimor duhej të kryhej edhe në lidhje me personat e pretenduar nga i akuzuari se shuma 70 000 euro u ishte dhënë hua,” argumenton trupa e KPK-së.

Hetimi i dytë i analizuar nga Komisioni lidhej me një denoncim të shtetases me inicialet J.J, e cila ankohej për zvarritje të procesit hetimor ndaj një eksperti të akuzuar prej saj për kallëzim të rremë.

Denoncuesja kishte bërë edhe një kërkesë për informacion në Prokurorinë e Përmetit, por nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje.

I pyetur mbi këtë çështje, prokurori Keta ka sqaruar në KPK se nuk e kishte regjistruar procedimin në emrin e ekspertit të kallëzuar në ndjekje të një praktike të unifikuar nga Prokuroria e Përgjithshme, ku jo në çdo rast përmendja e emrit të një personi përbënte shkak për regjistrimin e tij të menjëhershëm në regjistër. Keta shtoi gjithashtu se e kishte parë me vend të priste përfundimin e një procesi civil mes denoncueses dhe të kallëzuesit për t’u dhënë drejtim hetimeve të tij.

“Trupi gjykues, në analizë të akteve të administruara në fashikullin hetimor dhe pretendimeve të subjektit të rivlerësimit, konstaton se subjekti nuk arriti të provojë me besueshmëri ligjore regjistrimin e kallëzimit pa autor, në një kohë që kallëzimi ka qenë konkret me autor dhe me akuzë të bazuar në ligj,” thuhet në analizën e KPK-së.

Trupi gjykues kritikon edhe vendimin për zgjatjen e hetimit me argumentin e përfundimit të një procesi civil, në një kohë që sipas KPK-së duhej të hetonte në mënyrë krejtësisht të pavarur kallëzimin penal.

Megjithatë, KPK i dha në fund një notë kaluese prokurorit Hysen Keta për aftësitë profesionale, duke i konsideruar mangësitë e mësipërme të pamjaftueshme për ta konsideruar atë në mospërmbushje të “nivelit minimal kualifikues”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *