KPA bën përfundimtar shkarkimin e Gani Dizdarit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Kolegji i Apelimit la në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e Gani Dizdarit ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Rivlerësimi i Dizdarit në KPK – Roland Ilia, Pamela Qirko, Olsi Komici, gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Apelimi i Gani Dizdarit, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është rrëzuar në dhomë këshillimi nga KPA. Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Ina Rama, relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz, vendosi që të linte në fuqi vendimin e Komisionit, i cili kishte shkarkuar gjykatësin për paparshtatshmëri në kriterin e pastërtisë së figurës dhe probleme me pasurinë.

“Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht: Lënien në fuqi të vendimit nr. 37, datë 16.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Gani Dizdari”, thuhet në njoftimin e vendimit të KPA.

Dizdari, i cili ishte pjesë e sistemit të drejtësisë prej disa vitesh dhe kishte qenë anëtar i Gjykatës së Lartë nga viti 2006 dhe më pas i asaj Kushtetuese nga viti 2013, u shkarkua nga KPK në korrik të vitit që shkoi.

Lexo edhe: Nipi sekser dhe pasuria e vajzës i dhanë fund karrierës së gjyqtarit Gani Dizdari

Vendimi i KPK-së u mbështet në raportin e Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, DSIK, mbi kontaktet e papërshtatshme të gjyqtarit me nipin e tij të dënuar për ndikim të paligjshëm në Gjykatën e Lartë, si dhe mungesën e burimeve të ligjshme për krijimin e disa pasurive të paluajtshme.

Në raportin e saj të dërguar në KPK, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka arritur përfundimin se gjyqtari Gani Dizdari ishte i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës për shkak të lidhjeve të ngushta me shtetasin A.L, i cili është dënuar në qershor 2012 me vendim të formës së prerë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike,” vepër që e kualifikon këtë person si të përfshirë në krimin e organizuar.

Nga hetimi administrativ i KPK-së ka rezultuar se ndikimi i paligjshëm i personit të lidhur A.L është ushtruar ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, gjatë periudhës kur gjyqtari Gani Dizdari ishte anëtari i saj.