Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

KPA dëgjon konkluzione të kundërta në çështjen ndaj gjyqtares Alma Brati

Komisioneri Publik i qëndroi kërkesës për shkarkim të gjyqtares Alma Brati, ndërsa avokati i Bratit ngriti akuza për njëanshmëri ndaj relatores, akuzoi Komisionerin për standarde të dyfishta dhe kundërshtoi analizën finaciare, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë nje seance dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën në seancë parashtrimet përfundimtare të palëve në çështjen e ngritur pas apelimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK-së për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren Alma Brati.

Në fillim të seancës, kryesuesja Natasha Mulaj bëri me dije se një kërkesë e Bratit për të përjashtuar nga gjykimi relatoren e çështjes, Rezarta Schuetz ishte shqyrtuar nga një trupë tjetër gjykuese dhe ishte rrëzuar.

Shqyrtimi i ankimit në KPA udhëhiqet nga Natasha Mulaj, dhe anëtarë të trupit gjykues janë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe relatore Rezarta Schuetz. Brati u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në detyrë, por Komisioneri Publik apeloi këtë vendim në gusht të vitit të kaluar. Procesi në KPA filloi në dhjetor të vitit 2018.

Komisioneri Publik, Dariel Sina parashtroi përfundimet e tij mbi çështjen. Në një fjalë të shkurtër, Sina pretendoi se hetimi gjyqësor i kryer nga KPA kishte provuar ankimin e tij. Komisioneri tha se nga analiza financiare e bërë nga Kolegji rezultonte që Brati nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të krijuar gjendjet cash të deklaruara.

Sipas Komisionerit për vitet 2014, 2015 dhe 2016, gjyqtarja nuk kishte pasur burime. Ai tha se ajo rezultonte përkatësish me dieferenca negative prej 607 mijë lekësh, 1.4 milionë lekësh dhe 2.6 milionë lekësh. Komisioneri tha se “provohej se gjyqtarja ishte në pamundësi për të krijuar kursimet cash”. Ai po ashtu pretendoi se ajo nuk kishte provuar burimin e ligjshëm për të ardhurat e nënës së saj.

Komisioneri vuri në dukje se duke u nisur nga hetimi gjyqësor dhe nga analiza finaciare e kryer prej Kolegjit, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren Alma Brati duhej të ndryshohej. Sipas Komisionerit, Brati “gjendet në kushtet e mungesës së burimeve dhe se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm”.

Ndryshe nga Komisioneri Publik, mbrojtësi i Bratit, avokati Loren Liço lexoi një parashtrim prej disa faqesh. Liço u fokusua fillimisht te ato që ai i cilësoi si shkelje proceduriale të bëra nga KPA në dëm të gjyqtares Brati dhe kryesisht te qëndrimi i relatores Rezarta Schuetz që sipas tij ishte i njëanshëm.

Ai tha se Schuetz kishte vepruar “në kundërshtim me e ligjin, madje duke e shkeluar haptazi atë”, ndërsa sipas tij kishte deklaruar hapje të hetimit për burimin e ligjshëm të pensionit ushqimor, por nuk i kishte kaluar barrën e provës Bratit për këtë pikë.

Liço vuri në dukje se KPA kishte vendosur në herët të mos hetojë të ardhurat e përfituara nga pensioni. Ai pretendoi po ashtu se analiza finaciare e bërë kishte dalë “tej ankimit të Komisionerit Publik” dhe vendimeve të ndërmjetme të KPA-së.

Avokati vuri njëkohësisht në dukje edhe faktin se Schuetz duhej të kishte kërkuar dorëheqjen nisur nga procesi në Gjykatën e Tiranës kundër KPA-së, nga një ish-punonjëse e Kolegjit e identifikuar si Betula Toto, emri të cilës është përmendur edhe më herët në procesin ndaj Bratit.

Liço vuri në dukje një sërë të drejtash që sipas tij i ishin shkelur subjektit me këtë qëndrim të relatores. Ai tha se relatorja ishte “në njëanshmëri të dukshme”, ndërsa pretendoi se ajo kishte ndikuar në proces duke treguar si produkt të këtij ndikimi analizën finaciare, e cila sipas tij ishte bërë “në kundërshtim me ligjin”.  Liço po ashtu pretendoi një sërë shkeljesh të tjera proceduriale, përfshi sipas tij hetimin e çështjeve që nuk ishin kërkuar në ankim.

Ai kundërshtoi në seancë përfundimet e analizës finaciare të bërë nga KPA dhe pretendimet e Komisionerit, ndërsa dha argumenta pse gjyqtarja kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe këmbënguli se në të gjitha rastet kur nuk ishin paraqitur dokumente, kjo ishte bërë pasi ajo ishte gjendur para “pamundësisë absolute”.

Në fund ai kërkoi lënien në fuqi të vendimit, ndërsa vuri në dukje se pasuria e Bratit që ishte hetuar nga KPA ishte modeste dhe përfshinte vetëm një makinë, çerekun e një apartamenti të vogël në Durrës dhe një shtëpi për të cilën do të vijonte të paguante kredi deri në vitin 2035.  Në fund të seancës, KPA deklaroi se vendimi do të shpallet më 9 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *