KPA do të hetojë raportin negativ të DSIK-së për Petrit Çanon

Uncategorized
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të kërkonte informacione shtesë mbi raportin negativ të DSIK-së ndaj prokurorit të Krujës Petrit Çano. Ndërkohë rrëzoi në seancë të ndërmjetme një denoncim ndaj subjektit të rivlerësimit si të pabazë.

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të kërkonte informacione shtesë mbi raportin negativ të DSIK-së ndaj prokurorit të Krujës Petrit Çano. Siç doli në seancën e të premtes Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte dërguar përditësim të raportit ndaj Çanos, i cili ndryshe nga raporti i parë pozitiv, e cilësonte atë të papërshtatshëm.

Komisioneri Publik Florian Ballhysa tha se, raporti vetëm pjesërisht i deklasifikuar, duhej të hetohej dhe të kërkoheshin informacione në lidhje me pretendimet e ngritura aty. Ballhysa tha se duhej bërë “verifikim i të dhënave në burim”.

Vetë Çano tha se ishte i shokuar nga raporti. Prokurori, i cili kaloi fazën e parë të vetingut dhe pati një vlerësim pozitiv për figurën, tha se kishte certifikatën me nivelin më të lartë të sigurisë dhe se akuzat që i bëheshin nuk qëndronin.

Një kallëzim i paraqitur në KPA nga biznemeni Nikolin Lleshi, u rrëzua nga Kolegji si i pabazuar në prova. Në seancë u tha se Lleshi pretendonte se i ishte bërë presion nga prokurori.

Çano tha se ndaj biznesmenit dhe partnerit të tij në transaksionet me një godinë karabina në qendër të Krujës, kishte disa kallëzime nga qytetarë të ndryshëm që kishin paguar dhjetëra mijëra euro për apartamentet në pallatin e papërfunduar prej vitesh. “Ata e kuptojnë që u është ngushtuar laku dhe kërkojnë të më vënë nën presion”, tha Çano që referoi për disa hetime. Pasi shqyrtoi kallëzimin dhe provat KPA e rrëzoi atë dhe i ktheu pas Çanos dokumentet.

Ndërkohë Komisioneri Publik dhe avokati i Çanos debatuan mbi mënyrën se si duhej të kuptoheshin shifrat e sjella nga Gjykata e Krujës në lidhje me çështjet e lirimeve me kusht, zbutjen e llojit të vuajtjes së dënimit, amnistitë dhe llogaritjen e ditëve të burgut.

Ballhysa i mëshoi ankimeve të pakta të bëra nga prokuroria në lidhje me këto çështje dhe pretendoi se këto duhej të merreshin parasysh në rezultatet e kriterit të profesionalizmit.

Në krahun tjetër avokati tha se në rastet e lirimeve me kusht, duke marrë parasysh edhe çështjet e rrëzuara, ankimet ishin bërë në të gjitha çështjet e rëndësishme. Ai tha se roli i prokurorisë në tre pikat e tjera ishte i vogël dhe se në rastin e llogaritjes së ditëve procesi ishte matematikorë.

KPA vendosi të presë informacion shtesë sa i përket raportit të DSIK-së dhe njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohej në 21 korrik.