KPA shpall vendimin per Bilbil Mete
Analiza KPA Vendi

KPA e vlerësoi të pabazuar kërkesën e Gramoz Levanajt për heqjen e sanksionit 15 vjeçar

Kolegji i çmon të padrejta dhe të pabazuara në ligj pretendimet e ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë, Gramoz Levanaj sipas të cilit heqja e të drejtës për 15 vite për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë është në kundërshtim me ligjin, nuk është proporcionale pasi kalon edhe parashikimet penale, si dhe nuk është në përputhje me KEDNJ. 

Trupa e Kolegjit në shpalljen e vendimit për gjyqtarin Astrit Haxhialushi. Foto KPA.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 6 korik t’i rrëzojë të gjitha pretendimet e ngritura në ankimin e ish-Gjyqtart të Apelit Tiranë, Gramoz Levanaj, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit KPK për ndëprerjen e procesit të vetingut ndaj tij dhe sanksionimit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Gjyqtari Gramoz Levanaj u dorëhoq nga detyra pas dy vitesh hetimi administrativ të kryer nga KPK dhe pasi i’u rrëzua kërkesa për rihapjen e hetimit administrativ për pastërinë e figurës dhe profesionalizmin.

Nisur nga dorëheqja e subjektit, KPK vendosi më 14 prill të ndërpresë procesin e rivlerësimit për këtë subjekt, si dhe vendosi sanksionin e sipërcituar, të parashikuar në legjislacionin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në raste të tilla.

Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit pasqyrohen shkaqet e ankimit të ngritura nga Levanaj. Ai ka pretenduar se sanksioni që i ndalon riemërimin në sistemin e drejtësisë, vjen në kundërshtim me çdo element përbërës të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si paanësia dhe pavarësia e trupit gjykues; se është kundër natyrës administrative të objektit të shqyrtimit, si dhe të trupës gjykuese që e ka shqyrtuar atë. Sipas Levanajt, trupa gjykuese e KPK me këtë ndalim ka shfaqur një karakter më radikal edhe se parashikimet penale.

Gjithashtu, ai pretendon se ky ndalim vjen në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe me garancitë juridike mbi të drejtën për privatësi që ofron neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejatat e Njeriut, KEDNJ.

Duke sjellë në vëmendje edhe vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GjEDNj në rastin e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj kundër Shqipërisë, që e rrëzoi kërkesën e saj kundër vendimit të shkarkimit nga detyra, Kolegji i cilëson të pabazuara pretendimet e Levanajt.

“Subjekti i rivlerësimit dështoi të provojë se procedurat e kryera nga Komisioni për procesin e tij të rivlerësimit janë kryer në kundërshtim me parimet e procesit të rregullt ligjor në drejtim të së drejtës për informim […], për sa kohë që nga aktet e administruara rezulton se Komisioni ka lajmëruar subjektin e rivlerësimit për fazën në të cilën ndodhej hetimi dhe për vendimmarrjet e tij lidhur me të”, konstaton KPA.

Në vendim vërehet se Levanajt i është garantuar e drejta për t’u mbrojtur. Lidhur me pretendimin për paanësi dhe pavarësi të trupit gjykues të KPK, Kolegji konstaton se vendimmarrja për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit nuk ka ardhur për shkak të informacionit apo provave të mbledhura nga hetimet e kryera, por si pasojë e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit si pasojë e dorëheqjes së vetë subjektit.

“Subjekti ka zgjedhur me vullnetin e tij t’i japë fund karrierës në sistemin e drejtësisë, duke njohur parashikimet e ligjit për pasojat që vijnë në këto rrethana, prandaj pretendimi se penaliteti ka cenuar të drejtat e tij të mbrojtura nga neni 8 i KEDNj-së, është i paarsyeshëm dhe i padrejtë”, çmon Kolegji.

KPA e konsideron të pambështetur edhe pretendimin se ndalimi me 15 vite për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë vjen në kundërshtim me natyrën administrative të procesit të rivlerësimit. “[…] Caktimi i këtij ndalimi bazohet në parashikimet e një norme kushtetuese, siç është neni G i Aneksit të Kushtetutës që aplikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga organet e rivlerësimit në rastet e dorëheqjes së subjekteve nga detyra përgjatë këtij procesi”, konstatohet në vendimin e KPA-së.

Lidhur me pretendimin për marrjen e vendimit në kundërshtim me parimin e proporsionalitetit, Kolegji vlerëosn se ndalimi 15 vjeçar është i përcaktuar si periudhë fikse, duke mos u lënë diskrecion organeve të rivlerësimit të vlerësojnë këtë periudhë në varësi të rrethanave të çështjes e zbatimit të parimit të proporcionalitetit.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo kanë çmuar se vendimi i KPK është i drejtë në të gjitha pikat e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *