Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita pas konfirmimit nga KPK. Foto: Malton Dibra, LSA
Analiza KPA Vendi

KPA: Gjyqtari Kastriot Selita cënoi besimin tek drejtësia

Kolegji arsyeton në vendimin e tij se subjekti i rivlerësimit ka mangësi në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita pas konfirmimit nga KPK. Foto: Malton Dibra, LSA

Në 18 qershor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA përmbysi si të pabazuar në fakte dhe ligj, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit për kryetarin e Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita – duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Vendimi unanim i Kolegjit u morr nga gjyqtaret Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Natasha Mulaj dhe gjyqtari Sokol Çomo, të cilët arritën në përfundimin se të marra në tërësinë e tyre, mangësitë e konstatuara nga hetimi i subjektit për kriteret e pasurisë dhe profesionalizmit, cënonin në mënyrë të pariparueshme besimin e publikut tek drejtësia.

Ish-kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 18 qershor 2019. Por bazuar në rekomandamin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM për subjektin e rivlerësimit, Komisioneri Publik Florian Ballhysa e ankimoi vendimin në KPA.

Selita ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Në vitin 2002 ai është emëruar kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër dhe ka shërbyer në këtë post deri në vitin 2010, kohë kur është transferuar si gjyqtar në Durrës. Pas dy vitesh gjyqtar në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, Selita është promovuar si kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit.

Ai ka qenë një nga magjistratët më të pasur të sistemit, më nje pasuri familjare të vlerësuar në 46.9 milionë lekë.

Në pretendimet e parashtruara në ankim, Komisioneri ka kundërshtuar vendimin e Komisionit në drejtim të vlerësimit të kriterit të pasurisë dhe kriterit të aftësive profesionale të subjektit.

Lidhur me kriterin e kontrollit të pasurisë, Komisioneri shprehet se përfundimet e Komisionit për këtë kriter kontrolli ndaj subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara.

Në shkaqet e ankimit për kriterin e pasurisë përfshihet hetimi i një numri asetesh në pronësi dhe bashkëpronësi të subjektit dhe personave të lidhur, ku përfshihen disa pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës dhe një automjet ‘Daimler Chrysler’.

Për sa i përket këtij kriteri, Kolegji ka arritur në përfundimin se familja e bashkëshortes së subjektit ka mungesë burimesh të ligjshme për financimin e një shtëpie banimi në Tiranë me sipërfaqe 286.2 metra katrorë + papafingo.

Kolegji gjithashtu thekson se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarime të pasakta në deklaratën veting, për një kredi të marrë nga bashkëshortja në bankën NBG me vlerë 23,000 euro. Kjo kredi ka shërbyer për financimin e një apartamenti me sipërfaqe 102 metra katrorë, e cila është disbursuar në favor të huadhënësit të personit të lidhur.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka arritur në përfundimin se të ardhurat prej 18,000 euro të përfituara nga personi i lidhur nga shitja e apartamentit 102 metra katrorë nuk janë të ligjshme, pasi detyrimi tatimor është shmangur në vitin 2007 dhe është paguar vetëm pak kohë përpara dorëzimit të deklaratës veting.

KPA ka arritur në përfundimin se gjyqtari Selita ka pasur gjithashtu mungesë burimesh financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 73 metra katrorë në Tiranë në vitin 2003.

Për sa i përket kontrollit të aftësive profesionale, Kolegji thekson se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit Administrativ nuk e ka vlerësuar si duhet situatën e konfliktit në dukje të interesit, kur ka marrë pjesë në gjykimin e çështjeve gjyqësore në të cilat kanë qenë palë ndërgjyqëse ortakët e vetëm të dy shoqërive tregtare – me të cilat bashkëhsortja ka pasur marrëdhënie kontraktuale, si dhe nuk është dorëhequr në kohën e duhur nga çështjet e dy shoqërrive tregtare dhe zyrës së Tatimeve – ku personi i lidhur ka pasur një pozicion pune si drejtuese.

Gjithashtu, Kolegji ka konstatur mangësi profesionale në disa çështje gjyqësore të shqyrtuara nga gjyqtari Kastriot Selita, të cilka janë denoncuar nga publiku, një shoqatë dhe një ent shtetëror. Sipas Kolegji mangesitë e konstatuara në çështjet gjyqësore të denoncuara përfshijnë trajtimin e papërshtatshëm të situatave të konflktit të interesit.

Sipas Kolegjit mangësitë profesionale të gjyqtarit Kastriot Selita, të cilat ekzitojnë paralelisht me mungesën e burimeve financiare të ligjshme të personave të lidhur – ndonëse të krijuara jo drejtpërdrejt prej sjelljes e veprimtarisë së tij, por minimalisht të miratuara prej tij, duhen vlerësuar në tërësinë e tyre dhe jo të ndara.

Sipas KPA-së, për shkak të shkeljeve të konstatura në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, subjekti i rivlerësimit nuk e kalon testin e moscënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Bazuar në konkluzionin e mësipër, Kolegji ka vendosur unanimisht ta përmysë vendimin e KPK-së, duke e larguar kryetarin e Gjykatës Administrative të Apelit nga sistemi i drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *