Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

KPA i jep kohë gjyqtares Alma Brati të njihet me analizën financiare

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati do të ketë kohë deri me 12 prill për të paraqitur parashtrimet e saj para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe anëtarët Luan Daci, Albana Shtylla dhe Ina Rama mbajti të hënën seancën e radhës për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Alma Brati.

Gjatë seancës, KPA vendosi në dispozicion të Komisionerit Publik, Dariel Sina dhe gjyqtares Brati analizën financiare të kryer pas dokumenteve të depozituara nga kjo e fundit.

Kryesuesja e trupës gjykuese, Natasha Mulaj renditi në fillim të seancës dokumentet e paraqitura nga Brati, të cilat u administruan si prova, konkretisht pagesat e tatimeve nga personat e lidhur me banim në Itali, që përfshinin një dokument prej 67 faqesh nga “Agenzia delle Entrate” gjatë viteve 2010-2016 si dhe një vërtetim nga përmbaruesi publik që nënvizonte se kjo e fundit nuk kishte detyrime ndaj shtetit në Itali apo ndaj personave të tretë.

Kryesuesja Mulaj rikujtoi gjithashtu vendimin e ndërmjetëm të marrë me shumicë votash për mosçeljen e hetimit për tre denoncime të kryera pranë KPA.

Pasi Kolegji u vendosi në dispozicion palëve nga një kopje të analizës financiare, kryesuesja Mulaj bëri me dije se kishin menduar të shtynin seancën deri më datë 12 prill, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit për të kryer parashtrimet.

Komisioneri Sina pyeti trupën gjukuese se cila kishte qenë metodologjia ku ishte bazuar kryerja e kësaj analize financiare, ndërkohë që relatorja Rezarta Schuetz tha se analiza ishte bazuar në deklarimet e gjyqtares Brati.

Kjo e fundit u shpreh se nëse do të siguronte dokumente të tjera që kishin të bënin me gjetjet e analizës financiare do t’i vinte në dispozicion të trupës gjykuese para zhvillimit të seancës së radhës, e cila u caktua për datën 12 prill, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *