Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Roland Ilia, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit. Foto: Malton Dibra/LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

KPA konfirmon shkarkimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën të largojë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Pashk Gjaci. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi Gjacin në mars të 2019-ës për probleme në të tri kriteret e rivlerësimit.

Valbona Sanxhaktari, Olsi Komici, Roland Ilia, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Pashk Gjaci, kryetar i Gjykatës së Përmetit në Tiranë më 19 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci.

Sipas njoftimit të KPA, trupi gjykues i Kolegjit i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore dhe Ardian Hajdari, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz anëtarë, gjykoi në dhomë këshillimi ankimin e Gjacit dhe vendosi në mënyrë unanime ta rrëzojë atë, duke larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë ish-kryetarin e Gjykatës së Përmetit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 21 mars 2019 të shkarkojë nga detyra Pashk Gjacin, pasi u konstatuan probleme në të tri kriteret e rivlerësimit.

Komisioni konstatoi se Gjaci, i cili ka pasur më parë një karrierë si avokat, nuk arriti të dokumentonte burimin e ligjshëm të pasurive të tij.

Gjithashtu probleme u konstatuan edhe në pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtarit Gjaci, i cili pranoi se provat që kishte dorëzuar nuk janë në formën e duhur ligjore ndërsa argumentoi se pasurinë e tij e kishte vënë si produkt i investimeve të suksesshme në prona të patundshme.

Gjaci ka punuar si avokat për një dekadë deri në vitin 2010 kur u emërua kryetar i Gjykatës së Përmetit, ndërsa të ardhurat e tij të vetëdeklaruara rridhnin nga puna si avokat, nga paga si gjyqtar, nga paga e bashkëshortes si dhe nga fitimet nga pronat e patundshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *