Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

KPA konfirmon shkarkimin e prokurorit Arben Nela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e cilësoi të drejtë vendimin e shkarkimit të prokurorit Arben Nela në shkallën e parë të vetingut, për shkak të problemeve me pasurinë.

Ish-prokurori i prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë Arben Nela duke dalë nga seanca e KPK-së | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 16 prill në dhomë këshillimi që të lërë në fuqi shkarkimin e prokurorit Arben Nela, ish-kandidat i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nela ishte ankuar në KPA kundër vendimit të 23 korrikut 2018 të shkallës së parë të vetingut, që i preu atij karrierën në mes.

Trupi gjykues i kryesuar nga Rezarta Schuetz, Natasha Mulaj relatore dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo e gjeti të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për problemet e pasurisë së prokurorit Nela. Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.

Arben Nela e ka nisur karrierën në vitin 1998 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe në vitin 2006 ai është transferuar në Durrës, ku ka shërbyer deri në vitin 2008. Në të njëjtin vit Nela është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku së fundmi mbante postin e zv.drejtuesit.

Gjatë hetimit administrativ të thelluar, KPK është përqendruar në kriterin e pasurisë së prokurorit, duke anashkaluar vlerësimin e integritet të figurës dhe profesionalizmit.

Sipas hetimit në KPK, Nela u gjet me probleme lidhur me një apartament 99.4 m2 në rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë, një ndërtesë tre katëshe në Lanabregas me truall 1090 m2 kur prokurori zotëronte një sipërfaqe prej 136 m2, si dhe një apartament prej 67 m2 i blerë nga bashkëshortja në vitin 2012.

Hetimit administrativ i këtyre pasurive ka zbuluar mospërputhje midis deklaratave periodike dhe asaj veting, mungesë burimesh financiare dhe fshehje pasurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *