Ish-prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci dhe avokati Ardian Leka pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Artikull kryesor ! Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

KPA konfirmon shkarkimin e prokurorit Ramadan Troci

Kolegji i Posaçëm i Apelimi konfirmoi të hënën vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit Ramadan Troci.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci dhe avokati Ardian Leka pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Ramadan Troci nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama  relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo ka vendosur t’i japë përfundimisht fund karrierës së tij publike, duke vendosur në dhomë këshilli lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra.

Ramadan Troci e nisi karrierën si prokuror në vitin 2001 dhe prej asaj kohe punoi në Bulqizë, Dibër dhe Tiranë. Në vitin 2014, ai u komandua në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe prej vitit 2016 u emërua prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjatë hetimit administrativ Komisioni i Pavarur i Kualifkkimit krijoi dyshime që Troci kishte favorizuar kompanitë minerare gjatë kohës që ai kishte shërbyer si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat.

KPK, e cila shkarkoi Trocin më 9 nëntor pas procesit të rivlerësimit për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” e “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”, shprehet në vendimin e zbardhur se gjeti se prokurori kishte mbyllur hetimet ndaj kompanive pa kryer veprime hetimore dhe duke përdorur ekspertiza të cekëta,“ të pabazuara në prova” e duke mos marrë dëshmi.

Komisioni tha se në 7 çështje aksidentesh të shqyrtuara, me 4 të vrarë dhe tre të plagosur, Troci ua kishte lënë fajin viktimave.

“Komisioni, vlerëson se një shpërfillje e tillë dhe neglizhim ndaj humbjes së jetëve njerëzore, nuk përputhet me rolin e prokurorit”, thuhet në arsyetimin e zbardhur të vendimit për shkarkimin e tij nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *