KPA konfirmon shkarkimin e prokurorit Shpëtim Kurti

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin  Kurtit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e shkarkoi për probleme në kriterin e pasurisë dhe figurës.

Prokurori Shpëtim Kurti (djathtas) dhe avokati i tij gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të mërkurën më 24 qershor lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të prokurorit Shpëtim Kurti.

Në njoftimin e KPA thuhet se vendimi është marrë po të mërkurën në dhomë këshillimi, prej trupës gjykuese të përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator dhe Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj anëtarë.

Më 23 nëntor 2018, KPK vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti, për probleme me pasurinë dhe kontakte të papërshtatshme. Kurti e ankimoi vendimin e KPK si të padrejtë.

Fillimisht Komisioni i mbylli hetimet vetëm për kriterin e pasurisë, por pas kërkesës së tij u verifikuan edhe dy kriteret e tjerë, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi.

Trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Roland Ilia anëtarë konstatuan se, kur kishte qenë në detyrën e prokurorit, Kurti kishte pasur kontakte me një person që kishte qenë i proceduar për trafikim të qenieve njerëzore. Gjithashtu, KPK konkludoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Kurti kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë dhe i cilësoi “irreale dhe të pasakta” konkluzionet e DSIK-së rreth figurës së tij. Ai kërkoi të konfirmohej në detyrë.

 

Lexo më shumë:

Kërkesa për rihapje të hetimeve vulosi shkarkimin e prokurorit Shpëtim Kurti

KPK vendosi shkarkimin e prokurorit Shpëtim Kurti

Lidhjet me krimin e organizuar ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e prokurorit Shpëtim Kurti

Skeda e pasurisë së deklaruar – Shpëtim Kurti – prokuror në Prokurorinë e Tiranës