Gjyqtarja e shkarkuar nga KPK Albina Spaha, pas vendimit të Komisionit. Foto:BIRN
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Vendi

KPA konstaton balanca negative më të mëdha se KPK për gjyqtaren Albina Spaha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se, edhe në aplikim të çdo skenari të mundshëm garantist në përllogaritjen e të ardhurave, qoftë edhe atyre të pretenduara nga gjyqtarja e Gjirokastrës Albina Spaha në deklaratat periodike dhe në ankim, sërish konstatohet pamundësi financiare për krijimin e pasurive.

Gjyqtarja e shkarkuar nga KPK Albina Spaha, pas vendimit të Komisionit. Foto:BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e vlerëson të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës së Gjirokastrës Albina Spaha, duke e rrëzuar ankimin e kësaj të fundit.

Në vendimin e arsyetuar, Kolegji analizon mundësinë e gjyqtares së Spaha për blerjen e një apartamenti duke konkluduar balancë negative më të madhe nga ajo e konstatuar prej Komisionit. Gjithashtu, KPA vlerëson se Spaha dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasur mundësi për krijimin e likujditeteve ndër vite dhe për blerjen e një automjeti.

Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998, fillimisht si gjyqtare në Tepelenë dhe më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ku edhe u komandua si kryetare në vitin 2016.

Më 15 prill 2019, Komisioni vendosi shkarkimin e gjyqtares Spaha për mungesë të burimeve  financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, si dhe për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm. Ndërkohë, ajo u rivlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Në ankimin e depozituar në KPA, Spaha ka renditur një sërë shkaqesh lidhur me procedurën e ndjekur në KPK për rivlerësimin e saj, që janë rrëzuara si të pabazuar.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji konstaton një sërë problemesh për apartamentin me sipërfaqe 121.8 m2 në Tiranë, i blerë në gusht të vitit 2007 kundrejt vlerës 4 milionë 558 mijë lekë.

Spaha e ka deklaruar këtë pasuri në vitin 2007 kur është realizuar kontrata e shitjes, por Komisioni ka konstatuar se kontrata e sipërmarrjes është lidhur në dhjetor të vitit 2000, për një apartament me sipërfaqe 158 m2 me çmim 55 mijë e 300 USD.

Spaha pretendon se pasuria është deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2007, bazuar në datën e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes. Ajo ka argumentuar se kontrata e sipërmarrjes e vitit 2000 kishte për objekt apartamentin me sipërfaqe 158 m2, ndërkohë që ajo e shit-blerjes pasqyron apartamentin aktual. Subjekti ka këmbëngulur, se megjithëse kontrata përcakton vlerën 48 mijë USD për blerjen e kësaj pasurie, faktikisht është paguar vetëm shuma 44 mijë USD. Spaha e ka mbrojtur këtë situtë me faktin se pala shitëse nuk ka pasur asnjë pretendim lidhur me diferencën 4 mijë USD. Sipas saj, “nuk i është kushtuar rëndësi çmimit” gjatë nënshkrimit të kontratës.

Kolegji vëren se gjyqtarja Spaha dhe bashkëshorti i saj nuk kanë pasqyruar asnjë të dhënë lidhur me këtë pasuri në deklaratën e fillestare të vitit 2003 dhe se kjo situatë ka vazhduar edhe në vitet pasues, 2004, 2005 dhe 2006.

Spaha ka shpjeguar se kontrata e porosisë nuk është deklaruar për shkak të konfliktit midis pronarëve të truallit me pronarët fqinjë që ka sjellë zvarritjen e punimeve për disa vjet, ndryshimin e përmasave të projektit si dhe të përcaktimeve për likujdimin e punimeve.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren se subjekti i rivlerësimit është kontradiktore në vijimësi gjatë deklarimit të kësaj pasurie.

Sipas KPA, ajo nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në vitin 2003, megjithëse kishte një kontratë porosie që në vitin 2000 që përcaktonte se duhet të kishte kryer likuidimin e çmimit brenda vitit 2001 dhe se në vitin 2007 nuk ka pasqyruar nënshkrimin e kontratës së shitblerjes dhe mënyrën e likuidimit të vlerës, qoftë si rezulton e përcaktuar në kontratë, qoftë sikurse ka pretenduar.

Trupi gjykues evidenton se, për këtë pasuri, Spaha ka deklaruar të dhëna të plota vetëm në dhjetor të vitit 2014, kur është pyetur nga ILDKPKI-ja lidhur me problematikën e konstatuar në deklaratën e parë të pasurisë për periudhën para vitit 2003.

Kolegji analizon edhe vlerën e çmimit të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit pranë ILDKPKI dhe në deklaratën veting në shumën 4 milionë e 558 mijë lekë, që i korrespondon çmimit 44 mijë USD, por sipas kursit të këmbimit të dy viteve para se të kryhej pagesa.

“Nëse vlera do të ishte konvertuar me kursin e këmbimit në kohën e pretenduar prej saj se ka ndodhur pagesa ‒ në datën 27 gusht 2007 – vlera në lekë e 44.000 USD do të ishte ndjeshëm më e ulët, 3.951.200 lekë”, konstaton KPA dhe e shprehet se kjo përllogaritje atakon deklarimin e subjektit se shoqërisë ndërtuese i është dhënë vlera e konvertuar në lekë e shumës 44 mijë USD, me kursin e këmbimit të bankës në gusht të 2007-ës.

Sipas KPA, nëse shuma e pagesës është deklaruar e saktë, ky fakt nënkupton se duhet të jetë kryer në 30 dhjetor 2005 dhe jo në gusht të 2007-ës sikurse pretendon subjekti i rivlerësimit.

“Mbetet i pashpjegueshëm veprimi i zgjedhur nga subjekti i rivlerësimit që në datën 04.02.2009 deklaron të ardhurat me të cilat ka krijuar këtë pasuri, ndërkohë që një gjë e tillë nuk është deklaruar në përmbajtjen e formularëve të deklaratës së interesave privatë për vitin 2007 dhe as në deklaratën e interesave privatë për vitin 2008, qoftë kjo edhe në formë korrigjimi apo sqarimi plotësues”, vëren trupi gjykues dhe evidenton faktin se për këtë pasuri ka pasur kontrata të lidhura me OSHEE dhe UKT që në vitet 2001-2002, që përkon me kronologjinë kohore sipas kontratës së sipërmarrjes dhe kohës së kryerjes së pagesave tërësisht.

“Po kështu, është i pakontestueshëm fakti që subjekti i rivlerësimit ka zgjedhur të mos sjellë asnjë dokumentacion të hartuar në kohën kur ka likuiduar tërësisht apo pjesërisht apartamentin për të provuar pagesën e kryer”, citohet në vendim.

Sipas Kolegjit, pretendimi tjetër i Spahës se ndërtimi është shtyrë për shkak të konfliktit disavjeçar me pronarët, bie ndesh me dokumentacionin e aktit të kolaudimit që përcakton saktësisht se pezullimi i punimeve ka zgjatur vetëm 3.5 muaj.

Në përfundim të këtyre konstatimeve, Kolegji vlerëson se pretendimet e subjektit mbeten deklarative dhe të pakonfirmuara.

Spaha ka pretenduar se analiza financiare e kryer nga Komisioni për vitet 1994 – 2001 nuk qëndron pasi nuk është kryer asnjë pagesë referuar kontratës së sipërmarrjes. Sipas saj, blerja e apartamentit është likuiduar në muajin gusht 2007, me burime financiare të ligjshme, përfshirë të ardhurat e bashkëshortit.

Në ankim subjekti e ka pasqyruar analizën financiare në dy variante, ku në të parin analizohen të ardhurat për periudhën 1994 – 2001 dhe në të dytin të ardhurat e periudhës 2005, 2006 dhe 2007, që sipas saj rezultojnë me balanca positive.

Ajo ka pretenduar se Komisioni nuk duhej të ishte bazuar në të dhënat e institucioneve shtetërore, por duhet të kishte marrë në konsideratë edhe dokumentet e dorëzuara prej saj dhe vërtetimet e lëshuara nga dy shoqëri për të ardhurat e bashkëshortit.

Kolegji sjell në vëmendje se edhe KPK ka kryer dy analiza financiare për të verifikuar aftësinë paguese të Spahës. Në analizën e parë për periudhën 1994 – 2001, ku është konsideruar se çmimi i apartamentit është paguar plotësisht brenda vitit 2001, ka rezultuar balancë negative në shumën 5 milionë e 289 mijë lekë.

Në analizën e dytë, duke pranuar hipotezën që apartamenti është paguar në vitin 2007 ashtu si pretendon subjekti, ka rezultuar mungesë financiare në vlerën totale 1.7 milion lekë.

Trupi gjykues i Kolegjit vëren se deklarimet e subjektit të rivlerësimit për vlerën dhe kohën e kryerjes së pagesës janë kontradiktore në vetvete dhe bien ndesh me dokumentacionin përkatës. Sipas KPA, faktet tregojnë se apartamenti është përdorur prej Spahës më parë se ajo pretendon.

Kolegji ka kryer një analizë financiare bazuar në kontratën e sipërmarrjes të vitit 2000, për vlerën 55 mijë e 300 USD dhe sipas kësteve të rëna dakord nga palët, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 7 milionë e 218 mijë lekë.

Trupi gjykues vëren se rezultati negativ i analizës në Kolegj për periudhën 1994-2001 rezulton dukshëm më i thellë se ai i konkluduar në Komision, për shkak se KPK nuk ka përfshirë shpenzimet e jetesës.

Kolegji konstaton se mungesa e burimeve të ligjshme qëndron edhe nëse përllogaritja e çmimit do të bëhej sipas vlerës së deklaruar në deklaratën veting, duke rezultuar në vlerën negative prej 3 milionë e 948 mijë lekësh.

Për të shteruar pretendimt e subjektit, KPA ka kryer analizë financiare edhe për variantin e dytë, atë të pagesës njëherazi të vlerës së apartamentit.

Trupi gjykues vëren se në çdo skenar të mundshëm mbi vlerat e të ardhurave, qoftë edhe atyre të pretenduara në deklaratat periodike vjetore dhe në ankim nga subjekti i rivlerësimit, pavarësisht nga ndonjë efekt pozitiv mbi bilancin e viteve të veçanta, pamundësia financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme afekton vite të tjera të periudhës së procesit të rivlerësimit.

Sipas analizës financiare për vitet 2005, 2006 deri në gusht 2007, të kryer në KPA ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 1 milion e 89 mijë lekë për pagesën e apartamentit.

Kolegji vlerëson se një pjesë e të ardhurave të pretenduara nga subjekti i rivlerësimit nga punësimi i bashkëshortit në dy shoqëri nuk kalojnë testin e provueshmërisë dhe të ligjshmërisë së tyre.

Kolegji i ka vlerësuar deklarative pretendimet e Spahës për këto të ardhura dhe çmon se, vlerësimi i saktë i të ardhurave të ligjshme në funksion të kontrollit të kriterit pasuror në procesin e rivlerësimit është mundësuar vetëm mbi bazën e dokumenteve nga institucionet shtetërore.

Gjyqtarja Spaha ka pretenduar se ka pasur burime të ligjshme edhe për krijimin e disa depozitave bankare në emër të saj dhe të bashkëshortit.

Nga ana tjetër, Kolegji konstaton se, edhe nëse merret i mirëqënë punësimi i bashkëshortit të subjektit pranë dy shoqërive ndërtuese, mbeten të pavërtetuara shumat e deklaruara si të përfituara në formë shpërblimi. Nga analiza e KPA ka rezultuar se Spaha nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar gjendjet e llogarive bankare ndër vite, shtesën e likuiditeteve cash dhe shpenzimet e kryera.

“Kjo gjendje negative financiare do të rezultonte edhe në aplikim të çdo skenari të mundshëm garantist mbi të ardhurat e pretenduara nga punësimi i bashkëshortit, duke e vendosur subjektin në situatën e pamjaftueshmërisë së burimeve financiare të ligjshme[…]”, citohet në vendim.

“Në konsideratë të mospërkeqësimit të situatës së subjektit si rezultat i ankimit, pamjaftueshmëria e burimeve financiare të ligjshme për të krijuar pasuritë dhe kryer shpenzimet, përfshirë edhe periudhën deri në vitin 2001, konstatuar nga Komisioni, qëndron”, vlerëson trupi gjykues.

Në disa raste analiza financiare e kryer nga KPA ka konkluduar balanca më të mëdha negative nga ato të konsatuara prej Komisionit.

Pretendimet e Spahës nuk e kanë bindur Kolegjin as për balancën negative të konstatuar në tetor të vitit 2013, kur bashkëshorti i subjektit ka blerë një automjet tip “Toyota Rav. 4” për çmimin 906 mijë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *