Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA
KPA Lajme Vendi

KPA largon përfundimisht nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Idriz Mulkurti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar në mënyrë unanime ankimin e ish-gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda, Idriz Mulkurti i cili kundërshtoi vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij nga detyra.

Trupa gjykues e KPK gjatë njoftimit të vendimit për gjyqtarin Idriz Mulkurti. Foto:BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të martën vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Apelit të Krimeve të Rënda, Idriz Mulkurti.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtyllan, Ardian Hajdarin dhe Sokol Çomon, në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi të ankimit të Mulkurtit ndaj vendimit të Komisionit, vendosi ta rrëzojë atë në mënyrë unanime.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 14 qershor 2019 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Mulkurti, pasi u konstatuan probleme në kriterin e pasurisë.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se nga hetimi administrativ u evidentuan pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht.

Sipas Komisionit, Mulkurti nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për pagesën e këstit të parë të blerjes së një apartamenti në shumën 20 mijë e 600 euro, pasi nga hetimi rezultoi se ai mund të paguante vetëm shumën prej 979 mijë lekë. Gjithashtu, nuk ka arritur të provojë burimin e ligjshëm edhe për shumën prej 10 mijë e 800 euro të përdorur për blerjen e garazhit, si dhe për pagesën e studimeve për të birin në Londër në shumën 11 mijë 222 paund.

Mulkurti u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës dhe për profesionalizmin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *