KPA lë në fuqi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja
Lajme

KPA lë në fuqi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gentian Medja

I apeluar për probleme me profesionalizmin gjyqtari Gentjan Medja u konfirmua përfundimisht në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. KPA miratoi edhe një metodologji orientuese për rivlerësimin profesional.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në seancën e subjektit Gentjan Medja në Tiranë më 17 korrik 2019. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Luan Daci relator, Artan Hajdari, Ina Rama dhe Sokol Çomo anëtarë shpallën mëngjesin e të premtes vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gentian Medja.

Kryesuesja Natasha Mulaj, u shpreh se Kolegji ka vendosur me shumicë votash lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyra të Medjas. Ajo sqaroi se ishte marrë parasysh kërkesa e Komisionerit Publik që Kolegji të arsyetojë në vendimin e tij edhe orientimin që duhet të ketë Komisioni lidhur me vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale.

Komisioneri ka kërkuar që ky vlerësim të kryhet duke u bazuar në metodologji konkrete dhe jo vetëm në raportet e hartuara nga organet ndihmëse të procesit të vetingut, arsyetim që u pranua nga KPA. “KPA shikon të nevojshme që në arsyetimin e plotë të vendimit që lidhet me këtë çështje të japë edhe orientimin e tij në lidhje me kryerjen e procesit të rivlerësimit përsa i përket kriterit të aftësive profesionale”, tha Mulaj.

“Në përfundim, Kolegji, pasi mori në shqyrtim metodologjinë e propozuar nga Komisioneri Publik shqyrtoi vendimin e KPK, mbështetur në kriteret dhe treguesit që janë përdorur në këtë metodologji, arriti në përfundimin se vendimi i KPK është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi.  Për këto arsye, trupi gjykues i KPA, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK për Medjan”, tha ndër të tjera kryesuesja Mulaj.

Medja u konfirmua në detyrë në korrik 2018 pasi doli i përshtatshëm në të treja kriteret, por vlerësimi profesional për të shkaktoi debate. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati konkluduar se vendimet e Medjas të shqyrtuara si pjesë e rivlerësimit profesional, kishin mangësi, përfshirë mosrespektim të afateve të gjykimit, moszbardhje të vendimeve dhe urdhrave të gjykatës si dhe referenca të gabuara të ligjeve. Këto probleme u justifikuan nga Medja para Komisionit, si rrjedhojë e mbingarkesës anormale në punë të gjyqtarëve të gjykatave administrative.

Vndimi i KPK u apelua nga Komisioneri Publik dhe Kolegji rishqyrtoi problemet e gjetura në profesionalizmin e gjyqtarit, ndërsa po ashtu miratoi edhe një metodologji që standardizon mënyrën se si mund të kryhet vlerësimi profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *