KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Ardian Ylli

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nda detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli. 

Seanca dëgjimore në KPK ndaj kreu të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli, datë 15.07.2019 | Foto : Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 29 korrik të rrëzojë ankimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.

Komisioni e shkarkoi Yllin më 18 korrik 2019 pasi konstatoi mungesë të burimeve të ligjshme për shpenzimet ndër vite dhe deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i Kolegjit i kyesuar nga Ina Rama me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Yllit, vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij.

Ardian Ylli punonte si prokuror prej 25 vitesh, duke mbajtur edhe postet drejtuese në Fier dhe më pas në Vlorë.