KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Dritan Rreshka
Lajme

KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Dritan Rreshka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që pati vendosur shkarkimin e prokurorit Rreshka për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Prokurori i Prokurorisë së Tiranes, Dritan Rreshka, duke dale nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që pati vendosur në korrik 2018 shkarkimin e prokurorit Dritan Rreshka për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Rreshka kishte ankimuar vendimin e KPK, ndërsa pati pretenduar se provat dhe faktet për pasurinë e tij ishin fshehur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama  relatore dhe me anëtarë Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, vendosi pas shqyrtimit për dy ditë në dhomë këshillimi që vendimi i KPK duhej lënë në fuqi.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë në kuptim të nenit 61, pika 3, të ligjit nr.84/2016”, thuhet në vendimin e publikuar nga KPA.

Sipas njoftimit vendimi për Rreshkën ishte unanim dhe “është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”.

Në vendimi e arsyetuar KPK e bënte Rreshkën përgjegjës për “burime të pamjaftueshme dhe deklarime të rreme” me një shtëpie 5-katëshe si dhe “cënim të besimit te drejtësia” përmes veprimeve fiktive për përfitimin e një kredie të butë. Rreshka i kundërshtoi gjetjet e KPK në Kolegj, por ky i fundit ka vendosur se Komisioni kishte të drejtë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *