KPA lë në fuqi vendimin e Komisionit për Arjana Liçon
Lajme

KPA lë në fuqi vendimin e Komisionit për Arjana Liçon

Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vijim të një sërë vendimesh të ngjashme arsyetoi, se dorëheqja për shkak të moshës së pensionit e gjyqtares Liço, kishte po ashtu për efekt ndalimin për 15 vjet të kandidimit në sistemin e drejtësisë.

Gjyqtarja në pension, Arjana Liço dhe djali i saj avokat përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të ndaluar me 15 vjet përfshirjen në sistemin e drejtësisë të ish-gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Arjana Liço. Trupa gjykuese që shqyrtoi rastin drejtohej nga Rezarta Schuetz, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj.

Liço kishte apeluar vendimin e Komisionit që e kishte konsideruar dorëheqjen e saj si largim nga procesi i vetingut, duke pretenduar se ajo kishte dalë në pension dhe se ndaj saj nuk mund të aplikohej ndalimi. Në seancën dëgjimore në Kolegj, Liço 65 vjeç pretendoi se ankimi i saj ishte për dinjitet, pasi ajo nuk kishte ndërmend të kthehej në sistemin e drejtësisë për dy vjet që mbeteshin deri në përfundimin e statusit.

Por Kolegji shkoi me precedentët e vendosur në këtë drejtim. KPA arsyetoi se Liço ka paraqitur në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për dorëheqje “duke u shprehur vullnetin e saj për mosvazhdimin e gëzimit të statusit të magjistratit deri në mbushjen e moshës 67 vjeç”.

Duke u nisur prej këtij fakti dhe se automatikisht pas kësaj ishte ndërprerë procesi i rivlerësimit Liços sipas KPA i ndalohej përfshirja në sistem për 15 vjet. “Për rrjedhojë, sipas parashikimeve të pikës 2 të këtij neni, subjekti humbet të drejtën për tu emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare”, u shpreh Kolegji.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *