Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA mbyll hetimin gjyqësor për prokurorin Dritan Peka

Komisioneri Publik, Darjel Sina deklaroi se analiza financiare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i plotësonte kërkimet e tij, ndërsa prokurori Dritan Peka e quajti analizën joreale dhe kërkoi rishikimin e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit dhe të ardhurat.

Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten të mbyllë hetimin gjyqësor lidhur me ankimin e kryer nga Komisioneri Publik, Darjel Sina ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka. Vendimi i ndërmjetëm u mor pasi palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve të familjes së Pekës, të urdhëruar nga Kolegji më 14 shtator.

Në fillim të seancës Komisioneri Sina u shpreh se, analiza financiare e kryer nga Kolegji i plotësonte kërkesat e tij për verifikimin e mundësisë së mbulimit të shpenzimeve dhe investimeve për periudhën 2003-2016 me burime nga të ardhura të ligjshme.

Sina u ndal në analizën financiare të vitit 2005, kur Peka rezulton me balancë negative në vlerën 133 mijë lekë. Ai kërkoi që të mos merrej në konsideratë gjendja cash 500 mijë lekë e deklaruar prej subjektit në vitin 2005, me pretendimin se nuk justifikohej burimi i ligjshëm. Gjithashtu, Sina parashtroi se kjo gjendje nuk duhet të merrej në konsideratë as si e mbartur dhe as si burim të ardhurash për vitin pasardhës e në vijim.

Komisioneri Publik argumenton se në vitet kur analiza financiare rezulton negative, atëherë nuk mund të konsiderohen si burim të ardhurash të ligjshme për vitet në vazhdim kursimet cash të deklaruara që gjenden jashtë sistemit bankar.

Sina pretendoi se nuk përputheshin deklarimet e Pekës për vitin 2010 lidhur me dy gjendje cash, një si të kursyer prej pagave në shumën 1 milion lekë dhe tjetra në vlerën 1.5 milionë lekë, nga kredia.

Prokurori Peka e kundërshtoi analizën financiare të Kolegjit. Ai pretendoi se dilte me balancë pozitive edhe në vitet për të cilat KPA kishte konstatuar pamundësi financiare për kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve.

“Parashtroj se balancat negative për disa vite janë të pabazuara”, pohoi Peka dhe shpjegoi se kishte dorëzuar prova që sipas tij kundërshtonin gjetjet e analizës financiare lidhur me vlerat e shpenzimeve të udhëtimeve ndër vite, si edhe për të ardhurat.

Ai tha se në vitet 2005, 2006, 2007, 2012, 2013, 2015 dhe 2016 nuk ishin përllogaritur të gjitha të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes. Sipas Pekës, në analizë nuk janë përfshirë të gjitha të ardhurat e përfituara nga puna, si honorare, shpërblime dhe pagesa nga mësimdhënia. Peka këmbënguli se në gjithë vitet kur ishin konstatuar mungesa, nëse konsideroheshin provat që kishte dorëzuar për të ardhurat shtesë dhe lidhur me shpenzimet e udhëtimeve, atëherë rezultonte me bilanc pozitiv.

Sipas Pekës, në vitin 2005 nuk kishin pasur shpenzime jashtë shtetit, pasi kishin qëndruar tek një i afërm. Për vitin 2006, ai pretendoi se dy udhëtime të bashkëshortes ishin kryer për shkak të punës dhe se ajo nuk kishte pasur shpenzime. Për një udhëtim familjar në këtë vit, Peka tha se shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit ishin mbuluar nga babai i tij që shërbente si ambasador në vendin ku ata kishin shkuar.

Edhe për vitin 2007, Peka tha se nga 12 udhëtime, 5 ishin kryer nga bashkëshortja për shkak të punës. “Dy kanë qenë udhëtime në Pekin tek prindërit e mi dhe i kanë mbuluar ata shpenzimet. Ndërkohë që pushimet për në Turqi e në Pragë kanë qenë shpenzime minimale me oferta të agjencive turistike”, shpjegoi ai.

Për vitet 2012 dhe 2013, Peka pretendoi se nuk ishin përfshirë të gjitha të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes, si edhe nga mësimdhënia.

Ajo vijoi se në vitin 2015 pagat i kishin lënë në bankë, pasi kishin konsumuar gjendjen cash dhe se në fund të vitit 2016, kishte deklaruar gjendje cash në vlerën 1.6 milion lekë. “Në asnjë rast nuk kam kryer deklarime që kanë pasur qëllim fshehjen e pasurive, të ardhurave apo shpenzimeve. …Kemi pasur gjithmonë burime të ligjshme. Të ardhurat për gjithë periudhën e përfshirë në analizën financiare kanë qenë 37 milionë lekë, ndërkohë që pasuritë tona kapin vlerën rreth 12 milionë lekë, më pak se 1/3 e të ardhurave”, pohoi Peka.

Ai e quajti jo reale balancën negative në vlerën -3.8 milionë lekë të konkluduar nga KPA dhe pretendoi se për periudhën e verifikuar rezultonte me tepricë në shumën 7.3 milionë lekë.

I pyetur nga Kolegji, Komisioneri Publik tha se nuk kishte pretendime për anën formale të provave të paraqitura nga Peka dhe e la në çmim të Kolegjit nëse do t’i administronte apo jo në funksion të procesit.

Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues i KPA i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi të pranojë provat e dorëzuara nga Peka lidhur me shpenzimet e udhëtimeve dhe të ardhurat. Pasi palët mohuan të kishin kërkesa të tjera, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe e shtyu seancën për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare për më datë 8 tetor, ora 10:00.

Ankimi i Komisionerit Publik përfshin të tre kriteret e rivlerësimit dhe është i bazuar mbi dokumentet e hetimit të përfunduar tashmë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe denoncime të reja të mbërritura në adresë të Pekës. Njëri prej denoncimeve, sipas Komisionerit Sina ngre dyshime për lidhje me persona të inkriminuar, ndërsa një denoncim i dytë për tërheqjen paraprake nga ankimi ndaj një vendimi penal dhe një denoncim në lidhje me shortimin e çështjeve.

Sipas Komisionerit Peka ka bërë deklarime të pasakta në lidhje me pagesat për një apartament në Tiranë. Sipas Sinës kishte një sërë ndryshimesh mes deklarimeve vjetore për ILDKPKI dhe deklaratës veting.

Peka e kundërshtoi këtë pretendim duke u justifikuar kryesisht me faktin se bëhej fjalë për deklarime të hershme dhe për formularë që siç tha ai nuk kishin pasur hapësirë për detaje.

Sina pretendoi se Peka kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia dhe kishte përfituar një kredi të butë si i pastrehë, ndërsa kishte pasur një shtëpi. Kredia e butë e marrë nga bashkëshortja e Pekës, u cilësua nga KPK se nuk prekte subjektin, por Komisioneri thotë se ai ka cënuar etikën dhe se kredia e marrë për strehim ishte përdorur për të blerë shtëpi në Orikum.

Komisioneri po ashtu pretendon probleme mbi rivlerësimin në kriterin e profesionalizmit, përfshi një praktikë “të dyshimtë” punësimi në Prokurorinë e Apelit të Tiranës të kuantit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Lalla.

Në seancën paraardhëse, Peka u mbrojt duke u shprehur se kunati i Llallës, Adrriatik Mema ishte teknik i mesëm dhe se për këtë nivel punonjësi ligji dhe praktika në prokurorisë nuk parashikonte procedura rekrutimi apo kërkesa për kualifikim. Lidhur me prezencën në punë të Memës, Peka fajësoi kancelaren e Prokurorisë së Apelit Tiranë. Ai dha shpjegime edhe për denoncimin për lidhje me një shtetas me precedentë kriminal, L.Kolaveri për të cilin u shpreh se e njihte prej vitit 2010 dhe se nuk kishte pasur dijeni që kishte qenë i proceduar në periudhën 2002-2003.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *