KPA nuk merr dot vendim për dorëheqjen e Regleta Panajotit

Lajme
Kolegji shtyu për herë të dytë seancën dhe ftoi gjyqtaren Regleta Panajoti të dëgjohet për pasojat që rrjedhin nga statusi i magjistratit. Gjithashtu ju kërkua informacion KLGj-së rreth njoftimit të vendimit për ndërprerjen e statusit të magjistratit.

Gjyqtarja Regleta Panajoti mungoi në seancën e parë të zhvilluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e pati sërish të pamundur të premten të merrte një vendim mbi dorëheqjen e gjyqtares së gjykatës së Tiranës Regleta Panajoti, nga statusi i magjistratit. Panajoti nuk ju përgjigj ftesës së KPA për tu dëgjuar në seancë publike të premten lidhur me kërkesën për dorëheqje nga statusi i magjistratit.

Kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Ardian Hajdari tha se, gjyqtarja Panajoti nëpërmjet postës elektronike ka kërkuar përshpejtimin e procesit të vendimmarrjes për shkak të efekteve të dorëheqjes së saj. Sipas Hajdarit, ajo ka shpjeguar gjithashtu se ishte njohur me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për mbarimin e statusit të magjistratit dhe se është e panevojshme që të zhvillohet seanca.

“Subjekti kërkon deklarimin e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit”, tha Hajdari dhe shpjegoi se në KPA kishte mbërritur vendimi i KLGj-së për mbarimin e statusit të Panajotit.

I pyetur nga Hajdari lidhur me qëndrimin e tij, Komisioneri Publik Florian Ballhysa pohoi se vendimi i KLGj ishte ende i ankimueshëm pasi nuk kishin përfunduar afatet. Ballhysa shtoi se Panajoti nuk shprehet lidhur me pasojën që rrjedh nga ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes, lidhur me deklarimin e humbjes së të drejtës për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror për një periudhë 15-vjeçare. “Jemi ende në pamundësi të vendimit”, tha Ballhysa.

Pasi u tërhoq për rreth një orë, trupi gjykues i KPA, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë informacion KLGj-së nëse e ka njoftuar Panajotin lidhur me vendimin e marrë, si dhe për çfarë e ka njoftuar konkretisht. Gjithashtu, u vendos t’i kërkohej KLGj-së data kur i është njoftuar gjyqtares Panajoti vendimi për mbarimin e statusit të magjistratit me qëllim përllogaritjen e afateve të ankimit, si edhe nëse është kryer ose jo ankim nga subjekti.

Kolegji vendosi të ftojë sërish gjyqtaren Regleta Panajoti të dëgjohet në lidhje me pasojat që vijnë për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit dhe shtyu seancën për më datë 30 korrik, ora 10:00.

Gjyqtarja Regleta Panajoti – kandidate për një post në Gjykatën Kushtetuese u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK me shumicë votash më 26 qershor 2019. Pro konfirmimit të saj votuan Genta Tafa Bungo dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari. Ndërsa komisioneri Lulzim Hamitaj argumentoi në mendimin e pakicës se “subjekti kishte mungesë prej 3.8 milionë lekësh” dhe duhej shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e marrë me shumicë votash për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Regleta Panajoti, me argumentin se ajo nuk e justifikon pasurinë dhe nuk ka bërë deklarim të mjaftueshëm në këtë kriter. “Komisioneri Publik, nga shqyrtimi i vendimit nr. 169/2019, çmon se ai është i cenueshëm në tërësinë e tij,”thotë në ankim Komisioneri.

Dorëheqja nga statusi i magjistratit sjell ndërprerjen e procesit të vetingut dhe ndalimin e subjektit për t’u emëruar në çdo pozicion të sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.