Prokuori Hysen Keta duke dalë nga KPA | Foto : V. Karaj
KPA Veting

KPA pranoi prova të reja në çështjen ndaj prokurorit Hysen Keta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi të mërkurën një seancë publike për shqyrtimin e ankimit të prokurorit Hysen Keta, ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e ka shkarkuar nga detyra.

Trupa e kryesuar nga Sokol Çomo me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama, vendosi ta kalojë çështjen në seancë publike me qëllim “konstatimin e drejtë të gjendjes faktike të çështjes, nëpërmjet përsëritjes së marrjes së provave të nevojshme”.

Në seancë kryesuesi Çomo vuri në dukje se provat shtesë ishin përgjigjet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Tiranës në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të ardhurat e Ketës në vitet 93-98.

Çomo tha se institucionet kishin kthyer përgjigje se nuk kishin dokumente për këtë periudhë. I pyetur në seancë prokurori Keta dhe avokati i tij Julian Mërtiri kërkuan që përgjigja të merrej si provë. Mërtiri tha se ajo provonte pamundësinë objektive të Ketës për të dokumentuar pagesën e detyrimeve tatimore në periudhën që kishte punuar si avokat. Ai i kërkoi Kolegjit që kjo të konsiderohej në shqyrtimin e çështjes së tij.

Në vijim pas një shkëputje të gjatë, Kolegji pranoi t’i merrte si prova përgjigjet nga tatimet dhe caktoi datën 7 shkurt si datë për njoftimin e vendimit.

Drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 korrik 2019. Vendimi unanim u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Vendimi i arsyetuar i KPK-së tregon se prokurori Keta –i cili ka punuar për më shumë se një dekadë në Prokurorinë e Përgjithshme, u penalizua për shkak të deklarimit të pamjaftueshëm të kostove reale të ndërtimit të dy shtëpive mbi një truall të trashëguar nga babai në Tiranë.

Komisioni ka arritur gjithashtu në përfundimin se subjekti nuk kishte pasur aftësi financiare për të mbuluar investimet, nuk arriti të dokumentonte të ardhurat nga avokatia në fillim të viteve ’90 si dhe nuk deklaroi ndër vite disa pasuri në emër të tij dhe të familjarëve. Keta u ankua për vendimin në Kolegjin e Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *