KPA pranon pjesërisht dokumentet e gjyqtarit Faqolli si prova

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Gjyqtari i Tiranës Astrit Faqolli përballet me kërkesën e komisionerit publik për shkarkimin e tij nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi kishte kaluar me sukses testin e vetingut para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtari Astrit Faqolli dhe avokati i tij në pritje të seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Astrit Faqolli nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në konkluzionet përfundimtare të dhënë në seancë ditën e mërkurë më 20 mars. Faqolli dhe avokati i tij Julian Mërtiri kërkuan kohë për të përgatitur prapësimet e tyre. Gjykata vendosi ta shtyjë seancën me një ditë, të enjten në orën 09:30.

Ai e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2010, Faqolli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 e ushtron detyrën në Gjykatën e Tiranës.

Ai kaloi me sukses testin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit korrikun e kaluar, por Komisioneri Publik mendon se vendimi ka qenë i gabuar në kriterin e pasurisë, pasi sipas tij, të ardhurat e bashkëshortes së tij nga një farmaci të mbyllur vite më parë.

Në këtë seancë pritej që Faqolli të paraqiste si prova dokumentacion ligjor për të vërtetuar shitjen stokut të barnave pas mbylljes së aktivitetit të bashkëshortes në vitin 2003 dhe kontratën e shitjes së autoveturës së tij në vitin 2006. Ndërkohë, që gjatë seancës para ardhëse të zhvilluar më datë 7 mars, gjykata i kërkoi komisionerit të përgatiste parashtrime lidhur me provat e paraqitura më parë nga Faqolli.

Trupa gjyqësore e KPA e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci dhe Sokol Çomo i kërkuan gjyqtarit Faqolli që të paraqiste provat për sigurimin e të cilave kërkoi shtyrjen e seancës dy javë më parë.

Avokati mbrojtës Julian Mërtiri u shpreh se kishin siguruar një deklaratë noteriale nga subjekti “Elba FARMAKREM”, ku pasqyrohet se ka pasur shkëmbime dhe aktivitet tregëtar me farmacinë që administrohej nga bashkëshortja e gjyqtarit Astrit Faqolli dhe se kjo mund të provohej nëpërmjet librave te shitjes që kanë organet tatimore. Ndërkohë, sipas avokatit Mërtiri, në deklaratë thuhet se dokumentet për kthimin e stokut të barnave dhe vlerës së shitjes së tyre nuk janë gjetur për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar dhe për shkak të lëvizjes së vendndodhjes së aktivitetit. Ai shtoi se në deklaratë thuhet se kur është mbyllur aktiviteti i farmacisë së bashkëshortes së gjyqtarit Faqolli, është kthyer stoku i barnave dhe është kryer pagesa. Sipas deklaruesit të “Elba FARMAKREM”, kjo kujtesë është e bazuar edhe në faktin se bashkëshortja e gjyqtarit Faqolli punon si drejtuese teknike në këtë subjekt. Avokati i Faqollit shtoi se drejtoria e tatim paguesve të mëdhenj nuk u ka servirur dokumentacionin për transaksionet e depos farmaceutike dhe kërkoi që kjo gjë që ta mundësohej nga KPA.

Lidhur me shitjen e makinës në vitin 2006, avokati i Faqollit shpjegoi se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit(ILDKPKI) u ka kthyer përgjigje ku ka shpjeguar se kontrata nuk gjendet në deklarimin e kryer në vitin 2006 nga gjyqtari Faqolli, por ka shtuar se në atë periudhë nuk kërkohej nga ligji një gjë e tillë.

Mërtiri shtoi se Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Tiranë ka kthyer përgjigje ku shpjegon se mjeti në fjalë ka qenë në pronësi të gjyqtarit Faqolli dhe aktualisht është në pronësi të qytetarit F.S. dhe se dosja gjendet në drejtorinë rajonale të Elbasanit. Ai i kërkoi kohë të mjaftueshme kolegjit për të mundësuar sigurimin e dokumenteve të kësaj dosjeje në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor Elbasan, pasi aty mund të gjendej edhe kontrata e shitjes së makinës.

Në këtë moment ka ndërhyrë vëzhguesja ndërkombëtare, Mia Roessingh, e cila e pyeti ndër të tjera gjyqtarin Faqolli nëse bashkëshortja e tij vazhdonte të punonte në subjektin “Elba FARMACREAM” dhe se si ishte punësuar aty. Gjyqtari Astrit Faqolli shpjegoi se fillimisht bashkëshortja ka nisur punë në një shoqëri ortake me “Elba FARMACREAM” dhe se tani punonte tek kjo e fundit. Pyetjes tjetër që Roessingh i drejtoi Faqollit nëse ishte dakort që kishte nisur të interesohej pak vonë për sigurimin e provave, gjyqtari ju përgjigj se: “edhe mund të jetë edhe vonë, por ka kaluar shumë kohë dhe prandaj nuk gjenden dokumentet”.

“Me sa kuptova kompania nuk mund të japë shifrën e parave”, konstatoi më pas vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh. Faqolli u përgjigj se nuk e jepte dot shifrën e saktë pasi koha ishte e gjatë.

Ndërkohë që kryesuesja e trupës gjykuese, Natasha Mulaj i kërkoi komisionerit Florian Ballhysa që të shprehej lidhur me dokumentet e depozituara nga Faqolli, ai kërkoi një orë kohë për t’u njohur edhe me aktet e reja dhe pohoi se do të paraqiste parashtrimet lidhur me gjithë provat.

Pas rinisjes së seancës, komisioneri theksoi se kërkesat e mbrojtjes për pranimin e provave dhe riçeljen e hetimit administrativ janë jashtë kuadrit të objektit të ankimit. “Sjellim në vëmendje se nuk kemi kërkuar hetim të mëtejshëm në ankimin tonë, por vlerësimin e provave të hetimit të kryer nga komisioni dhe shkarkimin e Faqollit, pasi vendimi i KPK-së nuk është i skatë”, u shpreh komisioneri Ballhysa.

Ai shtoi se aktet e praqitura në KPA nuk janë paraqitur më parë prej gjyqtarit Faqolli dhe se ishte e panevojshme të vazhdohej me tej hetimi. Komisioneri kërkoi që aktet e depozituara nga Faqolli të mos merreshin si prova pasi ishin të panevojshme.

Lidhur me mundësinë e kursimeve gjatë periudhës 1994-1997 kur ka punuar si specialist, kohë në të cilën Faqolli pretendon se ka pasur 284 mijë lekë të ardhura, Ballhysa arsyetoi se në këtë logjikë duhej të merreshin parasysh edhe shpenzimet në masën 50%. “Kjo shumë nuk ndikon në mbulimin e burimeve të ligjshme”, theksoi komisioneri.

Për shumën 2 milionë lekë të stokut të barnave, komisioneri u shpreh se Faqolli e ka paraqitur këtë pretendim vetëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por pa e parashtruar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. “I tërheqim vëmendjen trupës se Faqolli nuk ka paraqitur pretendim në KPK për 2 milionë të ardhura nga shitja e sotkut të barnave”, theksoi ndër të tjera komisioneri Florian Ballhysa. Gjithashtu ai pohoi se edhe aktet e dorëzuara të mërkurën nuk mund të konsideroheshin si prova apo të administroheshin.

“Gjyqtari Astrit Faqolli ka qenë në dijeni të ankimit të Komisionerit Publik që prej fundit të gushtit të vitit të kaluar dhe u vu në lëvizje vetëm pas urdhërimit të trupës gjykuese për sigurimin e dokumenteve”, konstatoi Ballhysa. Komisioneri shtoi se nëse Faqolli do të kishte pasur vullnetin, do të kishte kërkuar nga depoja farmaceutike, jo vetëm deklaratën noteriale të cilën e cilësoi si të pavlerë, por edhe të dhëna konkrete për të vërtetuar pretendimin e shitjes së stokut.

“Theksojmë se gruaja është drejtuese në këtë subjekt dhe ka pasur mundësi të merrte aktet. Trupa duhet të mos e pranojë këtë akt si provë se bëhet me qëllim zvarritjen e procesit”, theksoi Ballhysa lidhur me deklaratën notriale të “Elba FARMAKREM”.

Ai arsyetoi më tej se kjo shumë nuk do të kishte ndikim, pasi nuk janë llogaritur shpenzimet për hapjen e aktivitetit të bashkëshortes së Faqollit dhe parapagimet e kryera të cilat janë deklaruar nga vetë subjekti.

Komisioneri pohoi se edhe aktet e paraqitura për të vërtetuar burimin e të ardhurave të kunatit të Faqollit, i cili i ka dhënë huanë prej 10 mijë euro, nuk janë në formën e kërkuar nga ligji. Sipas Ballhysës, këto dokumente nuk mund të merren si prova pasi nuk janë me vulë apostile. Gjithashtu, komisioneri konstatoi se për këtë hua ka mospërputhje mes deklaratës së vitit 2006 me atë ‘vetting’.

Edhe për pasurinë truall dhe godinën 3-katëshe të ndërtuar në Librazhd komisioneri u shpreh se gjyqtari Faqolli nuk ka pasur burime të ligjshme. Komisioneri kontestoi edhe ligjshmërinë e burimit të huasë 1 milionë lekë që gjyqtari Faqolli ka marrë nga shtetasi L.R. duke shtuar dhe faktin se në këtë periudhë ky i fundit kishte blerë prona në vlerë totale rreth 3.5 milionë lekë.

“U qëndrojmë gjithë shkaqeve të ankimit dhe vlerësojmë se aktet e paraqitura nuk duhet të administrohen si prova pasi nuk janë në formën e duhur dhe nuk janë të nevojshme”, përfundoi Ballhysa.

Trupa gjykuese e KPA u tërhoq dhe njoftoi rifillimin e seancës në orën 14:00. Pas rinisjes së seancës 35 minuta me vonesë, Mulaj shpalli vendimin e ndërmjetëm se trupa gjykuese me shumicë votash kishte pranuar pjesërisht si prova aktet e reja të depozituara nga gjyqtari Faqolli. Ndërkohë, kryesuesja Natasha Mulaj njoftoi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor me aktet e dosjes së KPK-së dhe ato të paraqitura nga Faqolli.

Më pas trupa gjukuese u kërkoi palëve konkluzionet përfundimtare. Komisioneri Florian Ballhysa u shpreh në mënyrë të drejtëpërdrejtë se i qëndronte ankimit dhe se kërkonte prishjen e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Faqolli. Avokati mbrojtësi i gjyqtarit Faqolli kërkoj kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.