KPA pranon prova të reja në procesin ndaj prokurorit Anton Martini

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi një seri të dytë prapësimesh kryesisht mbi procedurën dhe afatet e ankimit në seancën ndaj prokurorit Anton Martini. KPA pranoi edhe disa prova të reja nga prokurori Anton Martini dhe u dha kohë palëve të shpreheshin mbi tre denoncime.

Prokurori Anton Martini dhe avokati Jualian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto:Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten prapësimet e Komisionerit Publik Florian Ballhysa mbi kundërankimin e prokurorit Anton Martini mbi shkelje të afateve, në çështjen ndaj këtij të fundit.

Ballhysa në fillim të seancës u shpreh se nuk kërkonte hetim të ri, por ndryshim të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkim të subjektit bazuar mbi hetimin e bërë tashmë. Ai tha se ia linte në dorë KPA të vendoste mbi provat e paraqitura nga Martini.

Ndërkohë ai këmbënguli se ankimi i bërë në qershor ishte brenda afateve. Ballhysa argumentoi se KPA dhe Komisioneri Publik u nënshtroheshin njësoj masave të parashikuara për pandeminë. Në përgjigje të pretendimeve të Martinit se KPA nuk i nënshtrohej kufizimeve të pandemisë për shkak se ishte dhomë e Gjykatës Kushtetuese, Ballhysa solli argument cilësimin e KPA si institucion gjyqësorë prej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionit të Venecias.

Ai po ashtu tha se publikimi i vendimit online dhe pasja e një kopjes elektronike të vendimit nuk ishin të mjaftueshme për ankimin, pasi Komisioneri që të merrte këtë vendim do duhej të njihej me gjithë dosjen gjë që kishte ndodhur vetëm në 28 maj. “Komisioneri nuk mund të marrë vendim për ankimin pa u njohur me dosjen”, tha Ballhysa, ndërsa shtoi se pjesë të dosjes për shkak se ishin sekret nuk transmetoheshin elektronikisht.

Pas këtyre prapësimeve avokati i Martinit, avokati Julian Mërtiri, kundërshtoi duke thënë se ligji nuk kërkonte që ankimi të bëhej pas njohjes me dosjen, por 15 ditë pas marrjes së  vendimit dhe se dosja nuk përmendej në ligj. Po ashtu ai kundërshtoi pretendimet për pandeminë, duke theksuar se Komisioner kishte pasur mundësinë të rezervonte ankim apo edhe të kërkonte rivendosje në afat.  Ai tha se ankimet e subjekteve kundër KPK ishin pranuar nga kjo e fundit edhe në këtë kohë duke lënë të kuptohej se nuk kishte pasur kufizime.

Vetë Martini tha se kishte pyetje se pse nga të gjithë palët në proces KPK nuk kishte informuar me vendimin vetëm Komisionerin, ndërsa ishte informuar ai vetë dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vetëm pak ditë pas shpalljes së vendimit në mars 2020.

Kolegji më pas u tërhoq për një vendim të ndërmjetëm dhe pranoi disa prova të reja nga Martini, pasi më herët mori sqarime mbi origjinën e dokumenteve. Në fund KPA njoftoi se u jepte kohë palëve për tu shprehur mbi tre denoncime të ardhura në 30 mars 2021, për të cilat u caktua seancë më 19 prill në orën 11.00.