Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA
Analiza KPA Vendi

KPA: Pretendimet e gjyqtarit të ‘El Classico’ ndaj KPK-së, të pavërteta dhe të papabazuara

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vëren se sjellja e ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petraq Dhimitri duket se demonstron një përpjekje të tijën për t’iu shmangur përgjegjësive në raport me procesin e vetingut, duke vështirësuar komunikimin e Komisionit me të, në kundërshtim me detyrimin ligjor për bashkëpunim.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i rrëzoi më 23 nëntor 2020 si të pavërteta dhe të pabazuara pretendimet e Ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petraq Dhimitri, ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që ndëpreu procesin e rivlerësimit ndaj tij për shkak të dorëheqjes dhe i hoqi të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Ish-gjyqtari Petraq Dhimitri dhe dy kolegët e tij Kliton Spahiu e Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në tetor të vitit 2019 dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit. Fajtor u shpall edhe biznesmeni Namik Sadiku, që u akuzua se u ka paguar atyre udhëtimin dhe qëndrimin në Madrid për të parë një ndeshje futbolli midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Por, ndryshe nga Shkalla e Parë që i dënoi tre gjyqtarët me nga 2 vjet burg secilin dhe biznesmenin Sadiku me një vit heqje lirie, Gjykata e Posaçme e Apelit, me shumicë votash, vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg për të katër të pandehurit duke i vendosur në afat prove, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale.

Dhimitri u shortua si subjekt rivlerësimi nga KPK në nëntor të 2019-ës, ndërsa më 23 janar 2020 Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi, për shkak të dorëheqjes së tij.

Komisioni, ka njoftuar më 30 qershor 2020 subjektin e rivlerësimit se gëzon të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore publike. Po atë ditë Dhimitri i është përgjigjur Komisionit duke vërejtur se nuk është vënë asnjëherë në dijeni për përbërjen e trupit gjykues të Komisionit, i cili ka filluar procedurën e tij të rivlerësimit. Ndërkohë ai ka shprehur vullnetin për të mos ushtruar të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore.

Më 6 korrik 2020, KPK vendosi të deklarojë ndërprerjen e vetingut për Dhimitrin dhe humbjen e të drejtës së tij për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Një muaj më vonë, Dhimitri ka ushtruar ankim duke pretenduar se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, pasi Komisioni ka dështuar në lidhje me njoftimin e tij për fillimin e procedurës së rivlerësimit dhe veprimet e ndërmarra për këtë qëllim.

Ai ka pretenduar në ankim se KPK, në shkelje të Kodit të Procedurës Administrative, nuk i ka dhënë mundësinë për t’u shprehur në lidhje me aspekte ligjore të çështjes së rivlerësimit. Sipas Dhimitrit, kjo lidhej kryesisht me pezullimin e kësaj procedure deri në përfundimin e çështjes penale në gjykim të nisur ndaj tij, duke argumentuar se rezultati i atij procesi kushtëzonte qartazi rezultatin e rivlerësimit ex-officio nga ana e Komisionit.

Lidhur me themelin e çështjes, subjekti i rivlerësimit ka pretenduar se nga ana e Komisionit është zbatuar në mënyrë të ngurtë parashikimi kushtetues i pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, që ka të bëjë me ndalimin e magjistratëve të dorëhequr për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Për shkakun e ankimit për cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, Kolegji vëren se Komisioni ka komunikuar me subjektin e rivlerësimit

“Me e-mail-in e datës 25.06.2020, dërguar nga një prej adresave elektronike të Komisionit, {***}, në adresën elektronike të subjektit të rivlerësimit Petraq Dhimitri, {***}, është informuar subjekti (i) për shortin e hedhur më 12.11.2019 dhe fillimin e procedurës së rivlerësimit të tij; (ii) për ndryshimin e relatorit të çështjes dhe për vendimin nr. 36 të KLGj-së për mbarimin e statusit të tij të magjistratit”, konstaton Kolegji dhe shton se Dhimitri është njoftuar edhe për të drejtën për tu dëgjuar  dhe se nëse nuk e ushtron këtë të drejtë, procesi i tij i rivlerësimit do të ndërpritet pa zhvilluar seancë dëgjimore.

Në vendim thuhet se bashkëlidhur këtij e-mail-i gjendet e administruar edhe përgjigjja automatike e marrë nga sistemi, se njoftimi te pritësi i këtij e-mail-i është përmbushur, por se nuk ka njoftim marrjeje nga serveri i adresës. Disa ditë më vonë, nga adresa elektronike e Komisionit, Dhimitrit i është dërguar një e-mail tjetër me të njëjtin tekst si ai i mëparshmi.

Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Sokol Çomon dhe Rezarta Schuetz, vëren se nga praktika e përcjellë Komisionit prej ILDKPKI-së, rezulton ndryshe nga sa pretendon Dhimitri, pasi si adresë elektronike për efekt komunikimi lidhur me procesin kalimtar të rivlerësimit, ai ka deklaruar adresën e-mail-it ku Komisioni ka dërguar informacionin.

Sipas KPA, mosaksesimi prej subjektit në adresën elektronike të deklaruar në deklaratën veting, nuk ngarkon me përgjegjësi Komisionin për mosnjoftimin e tij dhe as përfaqëson veprimtari të Komisionit në kundërshtim me nenin 46 të ligjit nr. 84/2016, ku parashikohen mënyrat e njoftimit të subjektit të rivlerësimit.

“[…] në lidhje me pretendimin e subjektit se Komisioni ka ‘dështuar’ të përmbushë kriteret e nenit 46 të ligjit nr. 84/2016, Kolegji konstaton se ky pretendim është i pavërtetë”, vlerëson Kolegji.

“Në një vlerësim tërësor të kësaj situate faktike, e gjithë kjo sjellje e subjektit dhe pretendimet e tij për një mungesë komunikimi të Komisionit me të, përgjatë procesit të rivlerësimit jo vetëm që nuk kanë prodhuar shkeljen e ndonjë të drejte të subjektit, por duket se demonstrojnë një përpjekje të subjektit për t’iu shmangur përgjegjësive të tij në raport me procesin duke vështirësuar komunikimin e Komisionit me të në kundërshtim me detyrimin e tij ligjor për bashkëpunim[…]”, vijon trupi gjykues.

Lidhur me elementin tjetër të këtij shkaku ankimi se, mosnjoftimi për fillimin e procesit të rivlerësimit, për përbërjen e trupit gjykues dhe për aktet e administruara, Kolegji sjell në vëmendje se vetingu për Dhimitrin është ndërprerë për shkak të dorëheqjes së tij.

“[…]është evidente se vendimmarrja e Komisionit nuk ka ardhur si pasojë e procedurave rivlerësuese të Komisionit në drejtim të kontrollit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të subjektit, procedurë e cila natyrshëm do të kërkonte përfshirjen e subjektit[..]”, citohet në vendim.

Kolegji vëren se, edhe nëse do të pranohej që Komisioni ka dështuar në njoftimin e subjektit për fillimin e procedurës së rivlerësimit, mbi përbërjen e trupës gjykuese dhe të akteve të mbledhura përgjatë hetimit, nuk rezulton të jetë cenuar asnjë e drejtë e subjektit, për sa kohë të dhënat e mbledhura nga Komisioni përgjatë hetimit administrativ nuk kanë shërbyer për asnjë moment për vendimmarrjen për procesin e tij të rivlerësimit.

KPA vëren se, pasi Komisoni ka konstatuar se prej subjektit nuk është aksesuar adresa elektronike e deklaruar prej tij në deklaratën veting, e ka informuar atë në adresën tjetër elektronike të konfirmuar me anë të komunikimit telefonik prej vetë Dhimitrit.

Në vendim sqarohet se nga ky komunikim me Komisionin, kuptohet se përpara marrjes së vendimit, subjekti është informuar në mënyrë të përmbledhur për të gjitha fazat e procedurës administrative të ndjekur për procesin e tij të rivlerësimit. Gjithashtu, i është bërë e ditur e drejta e tij për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore publike dhe madje edhe vendimmarrja e pritshme për t’u marrë në rrethanat faktike në të cilat gjendej procedimi.

Lidhur me pretendimin e Dhimitrit se Komisioni ka zbatuar në mënyrë të ngurtë parashikimin kushtetues për ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë për një afat 15-vjeçar dhe se KPA ka detyrimin për interpretimin shterues të kësaj dispozite, Kolegji arrin në konkluzionin se ky shkak ankimi nuk është i bazuar ligjërisht.

[…]as Komisioni dhe as Kolegji nuk kanë një kompetencë diskrecionale për të vlerësuar ose jo aplikimin e ndalimit që parashikon neni G, pika 2 e Aneksit të Kushtetutës, përveç se të deklarojnë ndalimin e parashikuar në këtë dispozitë[…]”, argumenton trupi gjykues.

Kolegji ka rrëzuar si të pabazuara edhe shkaqet e tjera të ngritura në ankim nga ish-gjyqtari Dhimitri, i cili ka pretenduar se koha në të cilën ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra ka përkuar me një fazë të procesit të rivlerësimit në të cilën nuk ishin ndërmarrë hapa procedural e për pasojë ajo nuk duhet të ndikonte në vendimmarrje; se duhej të konsideroheshin motivet personale që e kanë shtyrë drejt dorëheqjes dhe se në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit nga Komisioni, ai nuk ka qenë gjyqtar efektiv pasi është pezulluar nga detyra për shkak të procesit penal të regjistruar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në përfundim KPA konkludon se Komisioni me të drejtë ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Petraq Dhimitri, për shkak të mbarimit të statusit të magjistratit si pasojë e dorëheqjes së tij. Gjithashtu, i drejtë është vlerësuar edhe sanksioni i vendosur ndaj Dhimitrit që i ndalon atij rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *