Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

KPA rrëzoi pretendimet e Artan Zenelit për proces të parregullt

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i dha të drejtë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, por u nda 4 me 1 në argumentet për mosdeklarimin e revokimit të vizës amerikane.

Kryetarja e Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anetaret, Sokol Como, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjate nje seance te KPA. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi më 5 shkurt 2019 që të lërë në fuqi vendimin e shkarkimit të Artan Zenelit, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë. Vendimi tashmë i argumentuar u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga Rezarta Schuez kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe anëtarët Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë pretendoi para Kolegjit se vendimi i Komisonit të Pavarur të Kualifikimit është marrë në shkelje të parimeve kushtetuese, në cënim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Gjykatës së Strasburgut. Zeneli pretendoi gjithashtu se nuk ishte njohur me relacionin e plotë të KPK-së, se njëra nga anëtaret e Komisionit ishte në kushtet e konfliktit të interesit me të dhe se procesi i hetimit administrativ kishte qenë i parregullt.

Megjithatë, dy shtyllat kryesore të ankimit të Artan Zenelit në Kolegj lidhen me raportin e DSIK-së me bazë revokimin e një vize amerikane si dhe kundërshtimin si të pasaktë të vlerësimit pasuror.

Trupa gjyqësore e KPA-së ka rrëzuar unanimisht pretendimet e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë për proces të parregullt ligjor, por është ndarë 4 me 1 në disa prej argumenteve që lidheshin me raportin e DSIK-së dhe disa prej pasurive.

Gjyqtari Zeneli pretendon në ankim se gjetja e Komisionit për revokimin e vizës amerikane

nuk është e sqaruar se në ç’mënyrë ka afektuar kriterin e kontrollit të figurës. Subjekti ankohet gjithashtu se nuk ka mundur të bëjë një mbrojtje efektive, pasi i është njoftuar vetëm një konkluzion i përgjithshëm dhe i padetajuar nga ana e Komisionit.

“Shumica e trupit gjykues të komisionit nuk ka bërë një analizë ligjore për të përcaktuar nëse koncepti i refuzimit të hyrjes është i njëjtë me konceptin e revokimit të vizës,” pretendoi Zeneli para KPA-së, duke sqaruar se nuk i është ndaluar hyrja në SHBA dhe se në kohën e plotësimit të formularit ai kishte një tjetër vizë amerikane.

Shumica e trupës gjykuese çmon se Zeneli është njoftuar nga Komisioni për gjetjen mbi revokimin e vizës dhe i ka kërkuar atij të japë shpjegime për të provuar të kundërtën.

Gjithashtu në vendim, shumica e trupit gjykues argumenton se se subjekti i rivlerësimit ka qenë i qartë për fatin e vizës dhe arsyet e revokimit të saj.

“Si rrjedhojë, justifikimi i parashtruar prej subjektit që revokimi i vizës turistike nuk barazohej me refuzim hyrjeje, pasi ai vazhdonte të gëzonte vizë zyrtare, nuk mund të pranohet pasi sfidon logjikën”, citohet në vendim.

Në konkluzionet e saj, KPA argumenton se Zeneli ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës në mënyrë të pavërtetë dhe të pasaktë dhe se është përpjekur të bëjë deklarime të pasakta, duke përligjur masën e shkarkimit nga detyra.

Ndërsa anëtarja Ina Rama sqaron përmes një mendimi paralel se ka votuar kundër qëndrimit të mbajtur nga shumica në lidhje me kriterin e kontrollit të figurës për subjektin e rivlerësimit Artan Zeneli.

“…Instituti i refuzimit të hyrjes në një shtet nuk është i njëjtë me atë të refuzimit/revokimit të vizës, por lidhet me pengesën objektive që një subjekt ka pasur për të hyrë në territorin e një shteti,” argumenton Rama.

Në kushtet kur ky fakt ishte lehtësisht i verifikueshëm, ajo argumenton se “subjekti i rivlerësimit vështirë të kishte iluzione” se nëpërmjet mosdeklarimit do të arrinte fshehjen e faktit.

“Asnjë rrethanë nuk provon përpjekjen e tij për ta fshehur këtë të dhënë e për pasojë nuk provohet se ekziston shkaku kushtetues i shkarkimit nga detyra,” argumenton Rama.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë kontestoi gjithashtu vlerësimin e Komisionit për pasaktësi në deklarimin e disa pasurive të paluajtshme, por argumentet e tij nuk u pranuan nga shumica në KPA.  Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues i Kolegjit e ka gjetur të drejtë vendimin e komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *