Trupa gjyqësore e KPA duke shpallur vendimin për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani. Foto: Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

KPA rrëzon ankimin dhe e lë Arjana Fullanin jashtë sistemit të drejtësisë

Me shumicë votash, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të rrëzojë si të pabazuar ankimin e ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, duke lënë në fuqi ndalimin për të mbajtur poste në drejtësi në 15 vitet e ardhshme.

Trupa gjyqësore e KPA duke shpallur vendimin për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani. Foto: Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të rrëzojë ankimin e ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, duke lënë në fuqi vendimin që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore  Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Në tetor 2017, Fullani dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, mes tyre edhe përfaqësuesja e saj ligjore në procesin në KPA, Evelina Qirjako, njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ato refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por për shkak se pesë gjyqtarët i kishin refuzuar pozicionet, u konsiderua si dorëheqje dhe u vendos deklarimi i mbarimit të statusit të magjistratit. Pas vendimi të KLGJ-së, Komisioni e ndërpreu procesin e rivlerësimit dhe u hoqi pesë ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë të drejtën që në 15 vitet e ardhshme mos të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Ish-gjyqtarët Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako e apeluan vendimin e KPK-së duke pretenduar se sanksionimi i tyre ishte i paligjshëm. Ndërkohë, këmbëngulin se nuk duhet t’i nënshtrohen vetingut pasi e kishin humbur statusin e magjistratit kur u kishte mbaruar mandati si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Trupi gjykues i Kolegjit, po me shumicë votash, vendosi më 16 tetor që ankimi të shqyrtohej në seancë publike për t’i garantuar Fullanit të drejtën për t’u dëgjuar dhe mbrojtur.

Edhe pse pretendoi se në KPK nuk i ishte ofruar një proces i rregullt ligjor, në parashtrimet e paraqitura në seancën e 4 nëntorit nëpërmjet avokates dhe ish-koleges Evelina Qirjako, Arjana Fullani sqaroi se ankimi kishte të bënte vetëm me sanksionimin që e ndalonte të rikthehej në sistemin e drejtësisë.

Fullani e quajti të pavlefshëm konstatimin e KLGJ se refuzimi për t’u emëruar në Apel ishte dorëheqje nga statusi i magjistratit. Gjatë parashtrimeve u tha se nuk kishte asnjë parashikim ligjor që të përcaktonte paraqitjen e dorëheqjes pas mbarimit të mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë.  Gjithashtu, Fullani pretendoi se nuk mund të ekzistonte statusi i magjistratit pas mbarimit të detyrës.

Pas shpalljes së vendimit në Kolegj, Fullani tha se e kishte ndërmarrë këtë betejë për dinjitet.

“Jo çdo gjyq bëhet për post dhe për para, bëhet edhe për dinjitet,” deklaroi për mediat ish-gjyqtarja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *