KPA rrëzon apelin e ish-kandidates për në Kushtetuese Valbona Bala
Lajme

KPA rrëzon apelin e ish-kandidates për në Kushtetuese Valbona Bala

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi kundër apelimit të ish-kandidates për në Gjykatën Kushtetuese Valbona Bala, duke përforcuar përjashtimin me 15 vjet nga institucionet e drejtësisë të atyre që kanë dhënë dorëheqjen pas hyrjes në fuqi të ligjeve për vetingun, pavarësisht rrethanave.

Trupa e KPA gjatë shpalljes së vendimit për Valbona Bala (Pajo). Foto:V.Karaj/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten vendimin për ankimin e Komisionerit publik dhe subjektit të rivlerësimit Valbona Bala (Pajo), kandidate për në Gjykatën Kushtetuese. KPA njoftoi se pasi kishte bashkuar dy ankimet për të njëjtën çështje gjeti të bazuar pretendimet e Komisionerit Florjan Ballhysa.

Kolegji arsyetoi se “nuk mund të interpretonte Kushtetutën”, duke bërë me dije se pavarësisht rrethanave të dorëheqjes së magjistratëve pas hyrjes në fuqi të ligjit 84/2016 për rivlerësimin kalimtarë, ky vendim sillte si pasojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe përjashtimin nga institucionet e drejtësisë për 15 vjet.

Bazuar në këtë vendim Bala që ishte kandidate për një nga vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të zgjidhet.

Më herët KPK kishte marrë një vendim për përjashtimin e Balës nga procesi i rivlerësimit. Vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik i cili pretendoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e  procesit të rivlerësimit kalimtar nuk është i drejtë dhe nuk argumenton në mënyrë shteruese natyrën specifike të statusit ligjor të subjektit dhe njëkohësisht se vendimi duhej “plotësuar me ndalimin e parashikuar nga neni G, paragrafi i dytë i Aneksit të Kushtetutës”.

Ndaj vendimit apeloi edhe Bala, ajo pretendoi se vendimi i KPK ishte “i paarsyetuar, i pambështetur në prova dhe në kapërcim të kompetencave ligjore te Komisionit”.  Ajo po ashtu pretendoi se nuk i ishte respektuar e drejta për tu dëgjuar dhe se vendimi i KPK ishte në shkelje proceduriale. “Bala i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në pjesën arsyetuese të tij, duke hequr nga kjo pjesë ndalimin e parashikuar nga neni G, paragrafi i dytë i Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në njoftim të KPA.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Luan Daci, Natasha Mulaj, vendosi në fund të ndryshonte vendimin e KPK-së duke sanksionuar se “Subjekti i rivlerësimit Valbona Bala (Pajo) nuk mund të emërohet gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

KPA arsyetoi në dispozitiv se pavarësisht llojit të dorëheqjes neni G i Kushtetutës nuk mund të interpretohej nga Kolegji, duke vënë në dukje se KPK kishte vendosur në kundërshtim me vendimet e mëparshme të KPA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *