Lajme

KPA rrëzon denoncimet ndaj Alma Bratit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mos hapë hetim mbi dy denoncime identike ndaj gjyqtares Alma Brati. Denoncimet e bëra nga një ish-këshilltare e Kolegjit dhe një person i tretë, sipas  Bratit kishin shkelur ligjin dhe shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme të dhënat kofidenciale. KPA vendosi të ribëjë analizën finaciare për gjyqtaren. 

Gjyqtarja Alma Brati, gjatë seancës dëgjimore në Kolegjin e Apelimit | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të mos merrte parasysh dy denoncime ndaj gjyqtares Alma Brati, duke mos hapur hetim për to. Denoncimet u paraqitën në seancën e kaluar dhe rezultoi se ishin identike dhe ishin bërë nga ish-këshilltarja e KPA Betula Toto dhe një person me inicialet K.Ç.

Mosmarrja parasysh e denoncimeve u kërkua nga Brati, e cila parashtroi gjatë seancës se dokumentet për kreditë që të afërmit e saj kishin marrë në Itali, ishin marrë në shkelje të ligjit duke shfrytëzuar të dhëna kofidenciale që ish-këshilltarja kishte pasur gjatë kohës që punonte për KPA dhe të dhënat në to ishin deformuar për të cënuar “imazhin e saj” para trupës gjykuese.

Komisioneri Publik nga ana tjetër kërkoi që denoncimet të merreshin parasysh duke thënë se ato ishin të rëndësishme sa i përket kontrollit të kriterit të pasurisë së subjektit.

Në vendim të ndërmjetëm KPA u shpreh se “nuk do të hapte hetim gjyqësorë për denoncimet”, ndërsa pranoi prova të reja të paraqitura nga Brati dhe caktoi një seancë tjetër për analizë të re financiare më 22 maj ora 10.00.

Seanca e rradhës ndaj Bratit, e cila u konfirmua nga KPK dhe u apelua nga Komisioneri Publik, filloi rreth 45 minuta me vonesë nga ora e planifikuar. Po ashtu trupa gjykuese e cila kishte njoftuar shpalljen e vendimit të ndërmjetëm në orën 13.00 mori një orë kohë shtesë.

Shqyrtimi i ankimit në KPA udhëhiqet nga Natasha Mulaj, dhe anëtarë të trupit gjykues janë gjyqtarët Luan Daci, Albana Shtylla, Ina Rama, dhe Rezarta Schuetz. Deri tani Kolegji ka zhvilluar shtatë seanca sa i përket këtij gjykimi, dy të tjera janë shtyrë.

Gjatë seancës së të pretes Brati mori fjalën për të kundërshtuar denoncimin e Totos pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe denoncimi i K.Ç pranë KPA. Ajo tha se ato ishin bërë duke shkelur ligjin për ruajtjen e të dhënave personale dhe atë të kofidencialitetit nga ish-këshilltarja e KPA.

Brati tha se ish-këshilltarja e KPA Betula Toto kishte “vepruar në shkelje të hapur të ligjit” i cili e detyronte atë të ruante të dhënat e marra gjatë kohës që ishte punonjëse e KPA edhe pas largimit nga kjo detyrë.

Brati, që tha se nuk njihte personalisht asnjë nga denoncuesit vuri në dukje se denoncimet ishin bërë nga i njëjti person pasi dokumentet e marra nga një institucion italian ishin lëshuar në të njëjtën ditë, orë, minutë e sekondë.

Gjyqtarja ndërkohë parashtroi se pretendimi në denoncime nuk qëndronin dhe se denoncuesit kishin “shtrembëruar qëllimisht të dhënat finaciare” në këto denoncime duke “konvertuar” Liretat në Euro dhe dhënë përshtypjen e një shume kredie dy herë më të madhe se sa kredia reale. Brati tha se shuma e marrë kredi ishte 110 milion lireta dhe ishte paraqitur si 110 mijë euro, ndërsa në fakt shuma duhej të ishte konvertuar në 56 mijë euro.

Brati i cilësoi pasaktësitë në paraqitjen e të dhënave në denoncim si të qëllimshme, për të dëmtuar imazhin e saj. Ajo megjithatë pretendoi se të afërmit e saj kishin pasur mundësitë finaciare për të paguar këstet e kredisë dhe po ashtu edhe për të kursyer.

Gjyqtarja tha se të dhënat finaciare të çiftit që i kishte huazuar asaj 25 mijë euro kishin qenë të besueshme edhe për bankat italiane që u kishin dhënë atyre kredi, ndërsa shtoi se në bazë të llogaritjeve çifti në pesë vitet për të cilat asaj i ishte kaluar barra e provës kishte mundësi të kursente 35 mijë euro.

Brati kërkoi po ashtu nga KPA që të merrte prova të reja për të ardhurat e nënës së saj dhe të babait. Ajo po ashtu i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë faktin se një pjesë e të dhënave nuk ishin të mundura të siguroheshin për shkak të arkivave të djegura, ndërsa vuri në dukje pasaktësinë e të dhënave nga institucionet publike. Brati kërkoi mbylljen e hetimit gjyqësorë dhe tha se ishte gati të bënte parashtrimet përfundimtare.

Në krahun tjetër edhe Komisioneri Publik tha se ishte gati për të bërë parashtrimet përfundimtare. Komisioneri megjithatë kundërshtoi qëndrimin e Bratit sa i përket denoncimeve dhe kërkoi që ato të merreshin parasysh. Komisioneri tha se KPA nuk duhej të konsideronte disa prej dokumenteve të paraqitura nga Brati.

Sipas Komisionerit të dhënat nga Qendra Kombëtare e Biznese se babai i gjyqtares kishte pasur licensë dhe vendimet e gjykatës në të cilat ai kishte qenë si avokat nuk tregonin asgjë për të ardhurat e tij dhe nuk provonin se shuma që Brati kishte marrë si dhuratë nga nëna ishte e ligjshme. “Nuk provohet mundësia e krijimit të shumës me të ardhura të ligjshme”, tha Komisioneri Publik.

KPA pasi u mblodh për rreth 2 orë e 30 minuta për vendim të ndërmjetëm vendosi të mos hapte hetim për denoncimet dhe po ashtu të merrte si prova dy dokumente të dorëzuara nga Brati. Megjithatë pavarësisht kërkesës së palëve për t’i dhënë fund hetimit Kolegji vendosi të marrë kohë për analizë të re financiare që do të paraqitet më 22 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *