Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, Donika Prela në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto :LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA shkarkon Donika Prelën për mungesë burimesh financiare dhe fshehje pasurie

Kolegji i Posaçëm i Apelimit arriti në përfundimin se prokurorja Donika Prela nuk justifikoi burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe krijimin e një depozite 4.5 milionë lekë. Mungesë burimesh u konstatuan edhe për shumën 25 mijë euro që bashkëshorti i subjektit e kanë dhënë hua, për të cilën Kolegji tha se Prela e kishte fshehur.

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, Donika Prela në seancën e parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten më 25 shtator, të shkarkojë nga detyra ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, prokuroren Donika Prela, pasi u konstatuan mungesë të burimeve financiare për krijimin e pasurive si dhe fshehje e tyre. Donika Prela nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit në KPA.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj renditi konkluzionet e shqyrtimit gjyqësor lidhur me problemet për pasurinë. Mulaj shpjegoi se nga shqyrtimi gjyqësor në KPA kishte rezultuar se prokuroja Donika Prela dhe bashkëshorti i saj kishin qenë në pamundësi të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e apartamentit të banimit me sipërfaqe 95.6 m2, ndodhur në rrugën Bajram Curri Tiranë dhe për krijimin e likuiditeteve në shumën 4 milionë e 501 mijë lekë.

Sipas Kolegjit, vlera 25 mijë euro që bashkëshorti i Prelës ka dhënë hua u përkiste atyre. Mulaj tha se, edhe për këtë pasuri kishte rezultuar mungesë e burimeve financiare. Gjithashtu, KPA vlerëson se prokurorja Donika Prela e ka fshehur këtë pasuri.

Në fund të seancës dëgjimore, Mulaj njoftoi vendimin për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe shkarkimin përfundimtar nga detyra të prokurores Donika Prela.

Gjatë shpalljes së vendimit, Kolegji nuk u shpreh lidhur me kërkesën e Komisionerit Publik Florian Ballhysa që i kërkoi KPA të çmonte sjelljen e Prelës lidhur me dy kërkesat për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues, i cili i konsideroi si tentativë për të zvarritur procesin.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin e Prelës. Ai tha se Prela nuk arriti të provojë mosdijeninë e saj dhe të bashkëshortit për mospagesën e tatimeve për të ardhurat e përfituara nga puna e këtij të fundit në një shoqëri ndërtuese.

Komisioneri tha gjithashtu se Prela rezultonte me balancë negative në vitin 2006 në vlerën e 500 mijë lekëve dhe 450 mijë lekë në vitin 2007. Ai shtoi se nuk u arrit të provohej burimi i një huaje 15 mijë euro të deklaruar nga Prela si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë. Sipas Ballhysës Prela rezulton me balancë negative në vlerën 2.8 milionë lekëve për blerjen e apartamentit.

Komisioneri nuk e konsideron të krijuar me burime të ligjshme edhe depozitën 4 milionë lekë, për të cilën Prela ka deklaruar si burim shitjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2014, që e ka blerë po atë vit për 1.4 milionë lekë. Nga përllogaritja e kryer prej Komisionerit Publik, ka rezultuar se Prela ka qenë në pamundësi për blerjen e këtij apartamenti.

Ballhysa vijoi se Prela nuk kishte arritur të provonte të kundërtën lidhur me vlerën 25 mijë euro që bashkëshorti i saj i kishte dhënë hua ish-punëdhënësit. Komisioneri shpjegoi se në deklaratën noteriale si huadhënës figuron bashkëshorti i Prelës dhe nuk është pasqyruar prokura e posaçme mes tij dhe një kushëriri për përfaqësimin e këtij të fundit në këtë transaksion.

Komisioneri mbajti të njëjtin qëndrim edhe për një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh, që bashkëshorti i subjektit kishte kryer në favor të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë, ndërkohë që rezultonte i punësuar në Bashkinë Tiranë.

Sipas Ballhysës, në të dyja këto raste, Prela është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë. Komisioneri konsideroi se të gjitha provat e dorëzuara nga subjekti gjatë procesit në KPA, nuk sollën ndonjë ndryshim.

Prela dhe përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Blerina Dodaj i kundërshtuan të gjitha konkluzionet e Komisionerit Publik. Ato këmbëngulën se Kolegji duhej t’i vlerësonte të pabazuara të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe t’i rrëzonte ato duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *