Gjyqtari i pezulluar  i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA
KPA Lajme Vendi

KPA shkarkon Luan Dacin për shkelje të rëndë disiplinore

Nëntë muaj pasi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për falsifikim anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u shkarkua nga detyra prej një Komisioni Disiplinor me anëtarë të Kolegjit.

Gjyqtari i shkarkuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Nëntë muaj pasi u dënua me vendim të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’, gjyqtari Luan Daci u shkarkua të enjten nga Komisioni Disiplinor i ngritur në KPA për çështjen e tij.

Natasha Mulaj që kryesoi Komisionin Disiplinor në rastin e Dacit lexoi se anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkarkohej për shkak se ishte gjetur fajtorë për krim me vendim të formës së prerë.

Trupa e përbërë edhe nga gjyqtaret Ina Rama dhe Albana Shtylla vlerësoi se “natyra dhe rrethanat e shkeljes disiplinore, për shkak të dënimit për kryerjen e një krimi, klasifikohen nga më të rëndat”. Shkarkimi i Dacit, i cili u bë me efekt të menjëhershëm, i mori Kolegjit mbi 9 muaj.

KPA që nisi fillimisht procesin disiplinorë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për të lënë në fuqi dënimin e Dacit me 6 muaj burg të pezulluar për një vit me kusht për falsifikim dokumentesh, e pezulloi atë në pritje të rekursit në Gjykatën e Lartë. Pas rrëzimit të rekursit në 26 tetor të këtij viti, KPA mori edhe 1 muaj shtesë deri në vendimin për shkarkimin e anëtarit të saj.

Daci në mbrojtjen e tij këmbënguli se dënimi nga gjykata ishte i padrejtë dhe kërkoi nga KPA që të mos merrte masë disiplinore, duke pretenduar se në rastin konkret nuk kishte arsye për procedim.

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla. Prej korrikut 2020, ai ishte i pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *