Prokurori Arben Dollapaj dhe avokati i tij Viktor Gumi pas seancës në KPA. Foto LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA shkarkon nga detyra anëtarin e KLP, Arben Dollapaj

Trupi gjykues i Kolegjit e ka gjetur të drejtë ankimin e Komisionerit Publik për shkarkimin e Dollapajt për deklarim të pamjaftueshëm.

Prokurori Arben Dollapaj dhe avokati i tij Viktor Gumi pas seancës në KPA. Foto LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 12 mars shkarkimin nga detyra të prokurorit dhe njëkohësisht anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë, në mënyrë unanime ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 63 datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të anëtarit të KLP, Arben Dollapaj.

Më datë 5 mars, Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi gjatë parashtrimeve shkarkimin e Dollapajt duke argumentuar se subjekti nuk arriti të përmbysë barrën e provës për çështjet e ngritura, një shtëpi në Tiranë, një banesë në Valbonë, huatë dhe dhuratat nga të afërm, duke insistuar se kishte bërë “deklarim të pamjaftueshëm” në lidhje me këto pasuri e të ardhura. Gjithashtu, Ballhysa tha se përfitimi i një kredie të butë nga Dollapaj kishte cënuar etikën e magjistratit.

Ndërsa avokati i Dollapajt, Viktor Gumi, i kundërshtoi kërkimet e Komisionerit. Gumi u fokusua të vinte në dukje se megjithëse kishte vendime të Gjykatës së Strasburgut që ofronin mbrojtje proceduriale, ndaj kërkimeve të Komisionerit për ngjarje të ndodhura vite më parë, Dollapaj kishte përmbushur çdo kërkesë në proces dhe nuk kishte parashtruar kundërshtime të tilla. Gumi tha se provat e sjella kishin qenë të mjaftueshme dhe se disa nga kërkimet e Komisionerit Publik ishin lehtësisht të verifikueshme.

Prokurori i Apelit në Shkodër Arben Dollapaj u konfirmua në detyrë në 6 gusht 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe më pas u zgjodh anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por konfirmimi i tij u kundërshtua nga Komisioneri Publik me pretendimin se hetimet në kriterin e pasurisë sa i përket një ndërtese tre katëshe në Tiranë dhe një ndërtese në Valbonë nuk kishin qenë të plota.

KPA rihapi hetimin mbi këto çështje dhe ka administruar një sërë provash të reja nga subjekti dhe nga disa institucione. Dollapaj është anëtari i katërt prokuror i KLP që i nënshtrohet Apelimit. Më herët në një vendim të debatuar Kolegji shkarkoi prokuroren Antoneta Sevdari. Po ashtu u shkarkua prokurori Gentjan Osmani dhe prokurori Besnik Cani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *