KPA shtyn pas pushimeve shqyrtimin e dorëheqjes së Mirela Fanës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Gjyqtarja Mirela Fana dha dorëheqjen më 31 janar 2017 dhe KPK vendosi ndërprejen e procesit të vetingut, por Komisioneri Publik e ka apeluar çështjen duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të ndryshojë vendimin.

Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Sokol Como, Luan Daci, Ina Rama, gjatë një seance të Kolegjit të Posaçem të Apelimit, KPA, | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i mbledhur për të shqyrtuar ankesën e Komisionerit Publik, për vendimin e KPK për të ndërprerë vetingun ndaj ish-gjykatëses së Gjykatës së Lartë Mirela Fana, e shtyu seancën dëgjimore për në datën 10 shtator. Trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo, vendosi në dhomë këshillimi shtyrjen e seancës dëgjimore, pasi as Fana dhe as avokati i saj nuk ishin të pranishëm.

Fana ishte ndër të paktit gjykatës e prokurorë që dhanë dorëheqjen nga funksioni brenda afatit 3 mujor të përcaktuar në ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve si hapësirë e kufizuar kohore e cila u mundësonte të dorëhequrve përfitimin e një pagese kalimtare.

Më herët KPA vendosi të ndryshojë pjesërisht vendimin e KPK për ndalimin e procesit të vetingut ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky i fundit dha dorëheqjen jashtë afatit 3 mujor të parashikuar nga ligji dhe Komisioneri Publik kërkoi që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të prishej dhe rivlerësimi të rifillonte. KPA vendosi me shumicë votash të ndryshojë vendimin për të saktësuar në dispozitiv ndalimin 15-vjeçar për rikthimin në sistem të Llallës.