KPA shtyn seancën gjyqësore ndaj prokurorit Artan Madani

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu seancën gjyqësore ndaj drejtuesit të prokurorisë së Kavajës, Artan Madani për mungesë të avokatit mbrojtës të infektuar me COVID-19.

Prokurori Artan Madani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u mblodh të enjten për seancën e parë gjyqësore, pjesë të ankimit të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa kundër konfirmimit në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Artan Madani.

Trupa gjyqësore përbëhej nga Albana Shtylla kryesuese, Ardian Hajdari relator, si dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz, Nashata Mulaj anëtare.

Në çelje të seancës kryesuesja Albana Shtylla njoftoi se me datë 5 shkurt, subjekti kishte depozituar një kërkesë për shtyrjen e seancës në Kolegj dhe për eficencë gjyqësore kishte njoftuar edhe Komisionerin Publik.

“Kërkoj shtyrje të seancës për dy javë në mënyrë që avokati të jetë prezent pasi është infektuar me COVID-19,” tha Madani.

Kërkesa e Madanit u miratua edhe nga Komisioneri Publik i cili kërkoi gjithashtu që procedurualisht të legjitimohet si përfaqësues ligjor i subjektit avokati i tij mbrojtës, Klodian Skënderi.

Trupa gjyqësore vendosi ta mbajë seancën e radhës me 23 shkurt ora 10:00.

Prokurori Artan Madani u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 1 korrik 2019.

Anikimi i Komisionerit Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u bë pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Komisioneri Publik argumenton në ankim se subjekti rivlerësimit – aktualisht drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, nuk e justifikon dot pasurinë ndërsa një pjesë e saj mund të rrjedhë nga aktiviteti i paligjshëm i të vëllait në Itali.