Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Analiza KPA Vendi

KPA thotë se Komisioni ishte treguar “i butë” ndaj ish-gjyqtarit Idriz Mulkurti

Kolegji rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtarit Idriz Mulkurti, duke i cilësuar një pjesë të provave të sjella prej tij si përpjekje për të justifikuar mungesën e burimeve. Sipas arsyetimit të KPA-së, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte pranuar në shkelje të ligjit disa prej justifikimeve të ish-gjyqtarit.

Shpallje vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tha se i gjeti ish-gjyqtarit të Apelit të Krimeve të Rënda, Idriz Mulkurti më shumë probleme të pasurisë se ato të identifikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili pati vendosur fillimisht shkarkimin e tij në qershor 2019.

Trupa e KPA e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ardian Hajdarin dhe Sokol Çomon, shprehet në vendim se Komisioni në disa raste në shkelje të legjislacionit dhe duke mos zbatuar precedentët e vendosur më parë, i kishte pranuar Mulkurtit si të ligjshme burime të ardhurash që nuk duheshin konsideruar të tilla.

“Nga shqyrtimi i vendimit, rezulton e kundërta. Komisioni në disa raste, në kundërshtim me detyrimet ligjore të cituara edhe në nenin 49, pika 4 e ligjit nr. 84/2016, ka pranuar deklarime të paprovuara me akte dhe dokumente shkresore të subjektit, të cilat janë në favor të qartë të analizës financiare të pretenduar nga vetë subjekti”, shprehet KPA në rrëzimi e pretendimeve të Mulkurtit për gjykim të paragjykuar në KPK.

Kolegji, i cili la në fuqi vendimin e shkarkimit, arsyeton se këto shkelje dhe një analizë financiare e përkeqësuar nuk u morën në konsideratë në gjykimin në apel, për të ruajtur garancitë e ankuesit. KPA megjithatë vë në dukje se sipas saj Mulkurti u angazhua në prodhimin e justifikimeve për pasurinë e vënë vetëm pasi mori pyetje nga KPK mbi burimin.

Kolegji thotë se të dhënat për një hua, 1.5 milionë lekë, për apartamentin e blerë në Tiranë për 50 mijë euro dhe ato të një shtëpie të dhënë me qira në Tropojë, krijonin dyshime se ishin bërë për të justifikuar pasuritë.  KPA thotë se Mulkurti përmendi për herë të parë huanë nga një person vetëm pasi i ishin dërguar pyetjet nga KPK. “Kjo hua nuk është deklaruar në deklaratat e interesave privatë në vitin 2006 dhe as në deklaratën vetting, si burim për krijimin e kësaj pasurie, në përputhje me përcaktimet e ligjit për deklarimin e burimit në momentin e krijimit të pasurisë”, thuhet në vendim.

Kolegji arsyetoi se deklaratat noteriale të prodhuara për efekt të procesit të vetingut në mungesë të provave ligjorë të kohës kur veprimet ishin kryer nuk kishin vlerë provuese.

Sipas Kolegjit pretendimet e Mulkurtit se burimi i pasurisë nuk i ishte kërkuar nuk qëndrojnë dhe se bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që ai kishte.

Njësoj KPA vlerësoi një marrëdhënie huaje prej të cilës Mulkurti deklaronte se kishte marrë 10 mijë euro me të cilat justifikonte pagesën për garazh. Kolegji vuri në dukje se për të ardhurat nuk kishte prova, ndërsa arsyetoi se kishte një mori të dhënash që kundërshtonin pretendimet e Mulkurit. Kolegji arsyetoi se personi që supozohej se përdorte për biznes banesën kishte qenë vetëm dy herë në Shqipëri në vitin 2011 dhe se fatura elektrike për banesën tregonin shpenzime minimale.

Kolegji rrëzoi pretendimet e Mulkurtit mbi mundësinë e kursimit. KPA cilësoi të ligjshme vetëm të ardhurat e deklaruara si kursime, ndërsa arsyetoi se pretendimi për të marrë në konsideratë si kursime të mundshme të shumës q ëmbetej nga zbritja e shpenzimeve ishte i paarsyeshëm.

Kolegji tha se ky kontroll teorik bëhej prej ILDKPKI-së për efekt të llogaritjes së mundësisë së kursimit, por nuk tregonte kursimet reale. Kolegji arsyetoi se kursime cilësoheshin vetëm ato që ishin deklaruar si të tilla.

“Si rrjedhojë, në kushtet kur subjekti i rivlerësimit për vitin 2005 ka deklaruar 500.000 lekë kursime cash, jashtë sistemit bankar, është alogjike të pretendohet që në fakt kursimet e tij nuk kanë qenë ato të deklaruara, por ato që rezultojnë si mundësi teorike”, shprehet KPA.

Kolegji rrëzoi edhe pretendimet e Mulkurtit për të çëlur hetim gjyqësore. KPA vuri në dukje se nuk kishte shkelje proceduriale të Komisionit, ndërsa arsyetoi se pretendimet e Mulkurtit për shkelje të nenit 6 të Konventës së Të Drejtave të Njeriut ishte i pabazuar.

KPA shprehet në vendim se përputhshmëria e veprimtarisë së institucioneve që kryejnë procesin e rivlerësimit me parimet e nenit 6 të KEDNj-së është certifikuar nga Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese dhe “konfirmuar edhe nga shqyrtimi në praktikë nga GjEDNj-ja në vendimin që i përket Xhoxhaj kundër Shqipërisë”.

Duke iu referuar një sipërfaqe toke që Mulkurti pretendonte se kishte nga e ëma në Durrës, por që nuk ishte deklaruar për shkak se nuk ishte ligjëruar ndonjëherë, KPA thotë se gjeti shkelje të etikës dhe të ligjit për deklarimin. “Duke abstraguar nga fakti që posedimi pa titull i një pasurie të paluajtshme, në afërsi të bregdetit, nga një magjistrat karriere që ka gjykuar çështje penale të profilit të lartë, produktet e të cilave ndër të tjera investohen haptazi ose në mënyrë të kamufluar edhe në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme të autorëve të këtyre veprave, në vlerësimin e trupit gjykues të Kolegjit, minimalisht cenojnë besimin te sjellja jashtëgjyqësore e subjektit për të respektuar ligjin, apo edhe besimin te drejtësia në përgjithësi”, shprehet KPA.

Kolegji tha se Mulkurti kishte kërkuar ulje të një sërë shpenzimesh në analizën financiare, por një pjesë e mirë e kërkesave u cilësuan të paprovuara prej KPA dhe u rrëzuan. KPA shprehet se pretendimet e Mulkurtit që shpenzimet e shkollimit të fëmijëve në shkollë private e të ngjashme të konsideroheshin shpenzime jetike, nuk u morën parasysh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *