Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj
Analiza KPA Vendi

KPA u nda në vlerësimin e pasurisë dhe profesionalizmit të gjyqtarit Ramiz Lala

Balanca negative në shumën totale 939 mijë lekë e shtrirë në 4 vite, është vlerësuar jo shkarkuese prej shumicës së trupit gjykues të KPA, ndërsa pakica e clerëson të gabuar zbatimin e parimit të proporcionalitetit në këtë rast duke argumentuar se mungesa financiare përbënë gati 1/5 e të ardhurave të gjyqtarit Ramiz Lala dhe konkludon se duhej të ishte shkarkuar. Kolegji është ndarë edhe në vlerësimin profesional.

Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Një denoncim i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rihapi procesin e vetingut për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala, pasi pretendohej se kishte gjykuar gjë të gjykuar dhe jashtë kompetencave të tij lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi gradat policore.

Pretendimeve të Policisë së Shtetit, Komisioneri Publik Florian Ballhysa u shtoi kërkesa edhe për rihetimin e zërave në analizën financiare për disa vite në të cilat pretendoi se kishte balanca negative dhe ushtroi ankim më 3 dhjetor 2019 ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin e Lalës, duke kërkuar ndryshimin ose lënien në fuqi të tij.

Megjithatë, në përfundim të hetimit gjyqësor në Kolegj, Komisioneri konkludoi se asnjë prej shkaqeve të ngritura në ankim nuk mund të cënonin konfirmimin e Lalës, që u vlerësua në të njëjtën mënyrë edhe prej shumicës së trupit gjykues Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA të përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo, relatori Ardian Hajdari dhe anëtare Ina Rama. Ndërsa dy gjyqtaret Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz dolën në pakicë duke i konsideruar argumentet e shumicës të pabazuara në ligj dhe në jurispudencën e Kolegjit, si dhe kërkuan shkarkimin e Lalës.

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala u konfirmua në detyrë më 26 korrik 2019 nga KPK. Vendimi erdhi pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit. Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall. Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK, që sollën përmbysjen e balancës negative.

Mendimet ndryshe për pasurinë

Ballhysa i kërkoi Kolegjit rivlerëzimin e zërave në analizën financiare për vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016, ku Komisioni ka reduktuar zërin e pagesës së shpenzimeve dhe transportit në Përmet dhe Gjirokastër, pasi në këto vite subjekti i rivlerësimit ka rezultuar me balancë negative. Komisioneri kërkoi që të konkludohet mbi mundësinë financiare të subjektit për të mbuluar me burime të ligjshme të ardhurat e deklaruara dhe shpenzimet e kryera.

Sipas përllogaritjes së kryer në Kolegj për të ardhurat e dokumentuara, shpenzimet, investimet, likuiditetet në cash dhe gjendjet bankare, subjekti i rivlerësimit ka rezultuar me balancë negative totale 939 mijë lekë të shpërndarë në vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016.

Komisioneri Publik nuk ka paraqitur kundërshtime për analizën financiare, ndërkohë që Lala kërkoi që të rishikohej konsiderimi i shpenzimeve për mobilimin e shtëpisë në tre vite. Gjithashtu, ai kërkoi që të përfshiheshin edhe të ardhurat nga prodhimet bujqësore e blegtorale, dietat në funksion të shërbimit dhe bonusi i një kredie.

Kolegji ka pranuar kërkesën për rishikimin e analizës për shpenzimet e arredimit ku balanca negative totale është reduktuar me 250 mijë lekë, duke mbetur në shumën 689 mijë lekë. Por, sipas kësaj përllogaritje është konstatuar mungesë burimesh në shumën 928 mijë lekë në 2011-ën.

Shpjegimet dhe dokumentet e dorëzuara nga subjekti për të provuar të ardhurat nga bujqësia janë konsideruar deklarative dhe të padokumentuara plotësisht.

“[…]rezulton i besueshëm shpjegimi se të ardhurat nga toka bujqësore mund të kenë ndikuar apo ndikojnë në reduktimin e shpenzimeve të jetesës së anëtarëve të saj”, vlerëson shumica e trupit gjykues dhe çmon se diferencat negative të konstatuara bazuar në dokumente nuk duket se janë realisht të tilla.

Lidhur me pretendimin e subjektit për përfshirjen e dietave në analizën financiare, Kolegji vëren se ato nuk janë pasqyruar në deklaratën ‘veting’, si dhe nuk janë konfirmuar veçmas në vërtetimet e pagave nga institucionet përkatëse. Në këto kushte nuk është pranuar as kjo kërkesë e subjektit dhe balanca negative totale është konkluduar po në shumën 939 mijë lekë.

Megjithatë, duke ju referuar parimit të proporcionalitetit, shumica argumenton se balanca negative e konstatuar ka qenë e shtrirë në katër vite dhe si pasojë nuk mund të ngrihet në nivelin e një shkaku shkarkimi.

Ndryshe nga shumica, gjyqtaret Mulaj dhe Schuetz në pakicë vlerësojnë se në këtë rast nuk gjente vend zbatimi i parimit të proporcionalitetit për vlerën negative prej 939 mijë lekësh. Ato vwrejnw se legjislatori nuk ka përcaktuar çfarë përbënë një shumë proporcionalisht të ulët, duke e lënë vlerësimin në çmimin e gjykatës.

Pakica konstaton se balanca negative përbënë mesatarisht 19.5 % të pagave vjetore të subjektit në ato vite dhe vlerëson se mungesa e burimeve në këtë rast nuk mund të konsiderohet e papërfillshme. Sipas dy gjyqtareve në pakicë, në këto kushte proporcionaliteti nuk mund të diktojë përjashtimin e gjendjes së mungesës së burimeve.

“[…]nëse thuajse 1/5 e të ardhurave vjetore do të konsiderohen të atilla sa edhe në mungesë të tyre, ligjshmëria e mjaftueshmëria e burimeve është pa efekt në procesin e rivlerësimit, raporti mes burimeve të ligjshme dhe atyre të pajustifikuara ligjërisht, që do të përdoren si standard që e çon një subjekt drejt shkarkimit, do të jetë arbitrar, i pabazuar në një diskrecion të njohur nga legjislatori për institucionet e rivlerësimit dhe në mospërputhje me standardin e përdorur nga Kolegji në jurisprudencën e tij të deritanishme”, vlerëson pakica dhe konkludon se Lala nuk rezulton i besueshëm në kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se duhet të shkarkohet për këtë shkak.

Kundërshtitë për profesionalizmin

Në vendimin e arsyetuar të KPA analizohen të dy çështjet e denoncuaara nga Policia e Shtetit. Në lidhje me çështjen me palë paditëse A.Gj. dhe palë e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka rezultuar se vendimi i subjektit për pranimin e padisë nuk është ankimuar dhe ka marrë formë të prerë.

Kolegji vëren se gjen mbështje në prova pretendimi i Komisionerit, se nuk rezultonte që subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e gjyqtarit të çështjes, të kishte arsyetuar për shterimin e ankimit administrativ, sipas ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

Në vijim Kolegji vëren se subjekti i rivlerësimit nuk ka hetuar plotësisht procedurën e ankimit administrativ, por është mjaftuar me konstatimin e njw përgjigje negative të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit Gjirokastër. Por, nisur nga fakti se Policia e Shtetit nuk e ka ankimuar këtë vendim, shumica e trupit gjykues vlerëson se gjetja nuk mund të ngrihet në nivelin e mosrespektimit normalisht të të drejtave të palëve.

Pretendimi i Komisionerit Publik për dhënien pa konkurs të gradës ‘Drejtues’, nuk është shqyrtuar prej Kolegjit pasi kjo çështje është shtruar për njehsim në Gjykatën e Lartë.

Për çështjen tjetër me palë paditëse punonjësin e policisë S.R., ku policia e Shtetit pretendon se subjekti ka gjykuar mbi një objekt të gjykuar, KPA vëren se Lala ka marrë në shqyrtim dhe i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi të palës së paditur në proces. Shumica e trupi gjykues shprehet se gjendet në pengesë ligjore për të marrë në shqyrtim pretendimin e ngritur nga Komisioneri në këtë gjykim, sepse vlerësimi i këtyre rrethanave nga Kolegji do të zëvendësonte interpretimin dhe logjikën e gjyqtarit të çështjes.

Shumica i ka gjetur të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit konstatimet për profesionalizmin. Nisur nga fakti se Policia e Shtetit i ka drejtuar ankesë edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kolegji shprehet se këto çështje mund të trajtohen edhe sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipësisë”, nga organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Gjyqtaret në pakicë, Natsha Mulaj dhe Rezarta Schuetz çmojnë se çështjet duhej të ishin marrë në konsideratë në drejtim të vlerësimit të aftësive profesionale të subjektit.

Qëndrimin e shumicës se çështja mund të shqyrtohet edhe prej KLGJ-së bazuar në ankesën e Policisë së Shtetit, pakica e vlerëson të pabazuar pasi e konsideron evitim të përgjegjësive që rrjedhin nga ligji për vetingun e magjistratëve.

“Kolegji do të duhet të ishte shprehur minimalisht për orientimin e kësaj gjetjeje në funksion të vlerësimit periodik të subjektit nga institucioni përkatës [Këshilli i Lartë Gjyqësor]”, konstaton pakica.

Për aspektin profesional, pakica konkludon se ka elemente për t’u marrë në konsideratë në drejtim të tejkalimit të tagrave që ligji u njeh gjykatave në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e gradave dhe në shkelje të parimeve të përgjithshme të së drejtës.

Në përfundim, Mulaj dhe Schuetz çmojnë se gjyqtari Ramiz Lala nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë për shkak të mungesës së burimeve financiare në disa vite. “Shumica e trupit gjykues ka gabuar kur ka vendosur lidhur me parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, për lënien në fuqi të vendimit”, çmon pakica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *