
Gjatë seancës së çelur në orën 14:00 së të Martës, Komisioneri i qëndroi kërkesave të tij për hapjen e hetimit gjyqësor për Bratin duke e cilësuar hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të paplotë.
Kolegji i kërkoi Komisionerit të specifikojë kërkimet pas njohjes me provat e reja të depozituara nga gjyqtarja Alma Brati në seancën e zhvilluar më 13 dhjetor 2018. Komisioneri Publik Darjel Sina u shpreh se edhe pas njohjes me provat e reja kërkonte hapjen e hetimit gjyqësor për të verifikuar ligjshmërinë e burimeve për huanë prej 25 mijë euro që gjyqtarja Brati ka marrë nga tezja e saj për blerjen e një apartamenti 101 m2 në vitin 2015. Komisioneri kërkoi cilësimin si person tjetër i lidhur të tezes së subjektit të rivlerësimit dhe të familjarëve të saj. Ai kërkoi të hetohen edhe burimet e të ardhurave të tezes.
Sipas komisionerit, edhe pas depozitimit të dokumentacionit që Brati ka siguruar nga shteti Italian lidhur me të ardhurat e djalit të tezes së saj dhe bashkëshortes së tij, është e nevojshme të kryhet një analizë e mirëfilltë financiare për mundësinë e kursimit të tyre gjatë vitit 2015 kur është dhënë huaja. Komisioneri shtoi se nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë se djali i tezes së Bratit apo bashkëshortja e tij të kenë kryer ndonjë transfertë parash në llogari të nënës së tyre. Gjithashtu, komisioneri këmbënguli në faktin se vetëm pasi të serviret dokumentacioni për shpenzimet e tyre vjetore në Itali, mund të konkludohet në mundësinë ose jo të kursimit të parave që i janë dhënë hua gjyqtares Brati nga tezja e saj.
Ai kërkoi që edhe e ëma e gjyqtares Alma Brati të cilësohet si person tjetër i lidhur dhe të verifikohet burimi i 1.8 milionë lekëve që ajo i ka dhuruar të bijës.
“KPK është mjaftuar me faktin se nëna e Bratit në vitin 2006 kishte pasur në llogarinë e saj 12 mijë euro, pra 10 vite para se të kryhej dhurimi”, u shpreh komisioneri. Ai renditi dokumentet e paraqitura si prova nga gjyqtarja Brati për të vërtetuar se babai i saj kishte punuar si prokuror që nga viti 1973 e në vazhdim, duke theksuar se nga viti 94 deri në vitin 1998 nuk rezultonte që ai të kishte pasur aktivitet si avokat.
Komisioneri u shpreh se bazuar në një analizë financiare që kanë kryer që prej vitit 1968 deri në vitin 2015, mundësia e prindërve të gjyqtares Alma Brati për të kursyer ka qenë 1.5 milionë lekë, ndërkohë që huadhënia është në vlerën 1.8 milionë lekë.
Më tej ai shtoi se dokumentet e drejtorive rajonale të tatimeve të servirura si prova janë kontradiktore pasi paraqesin të dhëna të ndryshme për të ardhurat e të njëjtit person.
Komisioneri Sina pohoi se babai i Bratit rezulton me aktivitet të regjistruar nga viti 2003 deri në vitin 2011 kur shfaqet pasiv. Ai kërkoi që të saktësohen të dhënat nga drejtoritë rajonale dhe kalimi i barrës së provës ti kalojë subjektit për të justifikuar burimin 1.8 milionë lekëve.
Komisioneri kërkoi gjithashtu që të administrohet gjithë procedura e regjistrimit të banesës në Durrës dhe pohoi se subjekti nuk ka deklaruar vlerën e vërtetë të shtëpisë.
Edhe lidhur me shumën e dhënë nga ish-bashkëshorti për pensionin ushqimor të fëmijëve ai kërkoi që të kryhej cilësimi si person tjetër me lidhje i tij. Komisioneri theksoi se hetimi duhej të bazohej në kohën kur ishte dhënë pensioni dhe tek mundësia e ish-bashkëshortit për të justifikuar të ardhurat e ligjshme prej nga ka mundësuar pagesën e pensionit ushqimor. Komisioneri pohoi se ish-bashkëshorti i gjyqtares Brati kishte deklaruar se kishte kryer një pagesë 1 milion lekë në vitin 2011 dhe një pagesë tjetër në vitin 2015, ndërsa autovetura tip Mazda prej gjyqtares është blerë në vitin 2013. Ai shtoi se ish-bashkëshorti kishte deklaruar se për shumat e paguara për pensionin ushqimor kishte si burim të ardhurat nga puna si avokat dhe se kishte marrë borxh.
Në fund ai kërkoi hapjen hetimit gjyqësor për verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së të ardhurave të huasë 25 mijë euro që tezja i ka dhënë gjyqtares Brati, të dhurimit të 1.8 milionë lekëve nga e ëma, të pensionit ushqimor dhe verifikimit të procedurës së regjistrimit të banesës në qytetin e Durrësit.
Pyetjes së kryesueses së trupës, Natasha Mulaj, nëse u qëndronin shkaqeve të paraqitura më parë apo ato të paraqitura të martën, komisioneri ju përgjigj se u qëndronin të gjitha shkaqeve të referuara deri tani. Një prej anëtarëve të kolegjit e pyeti komisionerin se ku mbështetej analiza financiare dhe ai u përgjigj se e bazonte në pikat e parashtruara më parë. Ndërkohë, edhe gjyqtarja Ina Rama e pyti se cilat ishin arsyet që në të tre rastet kërkonte cilësimin e huadhënësve si person tjetër me lidhje dhe kalimin e barrës së provës si subjektit të rivlerësimit, ashtu edhe personave që i kanë dhënë shuma parash. Komisioneri u shpreh se në KPK nuk u ka kaluar barra e provës dhe shtoi se është e nevojshme që tu kalojë barra e povës, si subjektit ashtu edhe kontribuuesve financiarë, pasi ka rrethana që e kërkojnë këtë gjë.
Kryesuesja e kolegjit të KPA, Natasha Mulaj pasi pyeti Komisionerin dhe gjyqtaren Brati për dijeninë e tyre për tre denoncime të kryera nga qytetarët ndaj subjektit të rivlerësimit, u shpreh se do tu viheshin në dispozicion nga një kopje e këtyre ankesave. Kolegji vendosi që të mblidhej në orën 16:00 po së të martës për të dhënë vendimin lidhur me kërkesat e Komisionerit Publik. Në orën 16:30, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli vendimin. Kryesuesja Natasha Mulaj u shpreh se Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi hapjen e hetimit gjyqësor për disa nga kërkesat e Komisionerit Publik, konkretisht për dokumentacionin nga tatim-taksat nga shteti Italian për djalin dhe bashkëshorten e tezes së Bratit, të kërkojë nga tatimet detyrimet derdhura nga i ati i saj gjatë periudhës 1999-2003 dhe procedurën e regjistrimit të banesës së gjyqtares në Durrës. Ndërkohë, Kolegji vendosi të mos hetojë për burimin e pensionit ushqimor. Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për këtë rast u mor me shumicë votash.
Seanca e radhës u shty për datë 31 janar 2018, ora 10:00.
Lexo më shumë:
Skeda e pasurisë së deklaruar-Alma Brati-gjyqtare e Gjykatës së Tiranës
Gjyqtarja Alma Brati kofirmohet në detyrë
Gjyqtarja Alma Brati kaloi vetingun me aftësi “minimale” profesionale
Pasuria e nënës dhe e ish-bashkëshortit, Komisioneri Publik apelon vendimin për gjyqtaren Alma Brati