Gjyqtari Ervin Metalla | Foto : LSA
KPA Lajme Vendi

KPA vulos shkarkimin e ish-gjyqtarit Ervin Metalla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi ankimin e ish-gjyqtarit të Apelit Ervin Metalla dhe la në fuqi shkarkimin e tij nga KPK për probleme me pasurinë.

Gjyqtari Ervin Metalla | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën se kishte vendosur rrëzimin e ankimit të  ish-gjyqtarit të Apelit Ervin Metalla dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e tij për probleme me pasurinë.

Çështja e metallës u shqyrtua nga një trup gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Ardian Hajdari, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 45, datë 23.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ervin Metalla”, thuhet në njoftimin e KPA.

Metalla u shkarkua në korrik të vitit të kaluar, pasi KPK i gjeti atij probleme të pasurisë. Vendimi i zbardhur i KPPK tregonte se Metalla kishte nënshkruar kontratat fiktive dhe kishte përfituar një kredi të butë për të cilën nuk përmbushte kushtet ligjore. KPK arsyetoi në vendim se nënshkrimi prej Metallës i një sërë kontratash fiktive ishte sjellje “jo etike për një gjyqtarë”.

“Jeta personale e gjyqtarëve, sjellja e tyre jashtëgjyqësore, është po aq e rëndësishme sa ajo në kontekstin profesional”, thuhet në arsyetimin e KPK-së në vendimin për shkarkimin e Ervin Metallës nga KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *