KPK anulloi seancën dëgjimore për prokurorin Bilbil Mete, pas ndërprerjes së procesit të rivlerësimit

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi anullimin e një seance dëgjimore për ish-prokurorin Bilbil Mete me kërkesë të këtij të fundit. Mete ka dhënë dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në 15 tetor dhe Komisioni tha se procesi ndaj tij është ndërprerë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një seance dëgjimore. Foto:Ilustruese.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën se kishte pranuar një kërkesë të ish-prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Bilbil Mete dhe kishte anulluar seancën dëgjimore për këtë të fundit.

KPK ka hetuar Meten dhe kishte njoftuar një seancë dëgjimore në 2 dhjetor, por ky i fundit ka kërkuar të mosparaqitet në seancë. KPK i tha BIRN se anullimi i seancës ishte një procedurë që ndiqej në rast të ndërprerjes së procesit të rivlerësimit.

“Rastet kur zhvillimi i seancës dëgjimore bazohet mbi vullnetin dhe dëshirën e subjektit të rivlerësimit, janë ato që kanë të bëjmë me ndërprerje të procesit të rivlerësimit”, tha KPK në një reagim zyrtar.

Mete rezulton se kishte dhënë dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në muajin tetor. Ai ka kërkuar fillimisht të përfundojë statusin e magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, por KLP ka arsyetuar se Mete kishte edhe 2 vjet për të dalë në pension. Më pas ish-prokurori ka kërkuar dorëheqjen që është miratuar në 15 tetor dhe ka hyrë në fuqi në fillim të nëntorit.