Përfaqësuesja ligjore e prokurorit Arben Allajbeu në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Vendi

KPK: Arben Allajbeu nuk arriti t’i rrëzojë dyshimet për fshehjen e një apartamenti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerëson se prokurori i Tiranës, Arben Allajbeu përdor si pronë të tijën një apartament të blerë në Tiranë nga e vjehrra dhe se ai nuk arriti të provojë marrdhënien e nënës së bashkëshortes dhe të kunatit me këtë pasuri, si dhe mundësinë e tyre financiare për të paguar vlerën e çmimit.

Përfaqësuesja ligjore e prokurorit Arben Allajbeu në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 14 janar të shkarkojë nga detyra prokurorin e Tiranës, Arben Allajbeu për problemet e konstatura në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, KPK vlerësoi se Allajbeu kishte arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës dhe kualifikues për profesionalizmin.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çifte dhe anëtare Pamela Qirko, ngre dyshime se prokurori Allajbeu ka fshehur një apartament në Tiranë në emër të vjehrrës, si dhe konstaton pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Durrës, dhënien e disa huave familjarëve të tij si dhe balanca negative në shpenzimet e personave të tjerë të lidhur.

Ka qenë një denoncues i cili i ka kërkuar Komisionit të qëndrojë anonim, që ka nxitur hetimin administrativ edhe në kuadër të fshehjes së pasurisë lidhur me një apartament me sipërfaqe 82 m2 të porositur nga vjehrra e prokurorit Allajbeu në vitin 2016 në Tiranë, kundrejt çmimit 52 mijë euro. Allajbeu e ka pasqyruar këtë apartament në deklaratën veting duke shpjeguar se i përket vjehrrës H.K. dhe se e ka në përdorim pa pagesë prej vitit 2016.

“Ky denoncues e akuzon subjektin për korrupsion dhe fshehje të pasurive, të regjistruara në emër të të afërmve të tij,” shprehet KPK.

Nisur nga ky denoncim, KPK ka verifikuar të gjitha pasuritë e vjerrës së prokurorit Allajbeu, një apartament dhe një vendparkim në qytetin e Beratit, përkatësisht me çmime 5.5 milionë lekë dhe 800 mijë lekë, si dhe një vendparkim të porositur në Tiranë në vitin 2018 kundrejt vlerës 19 mijë euro.

Komisioni ka analizuar pasuritë, të ardhurat dhe shpenzimet e vjehrrës së subjektit për periudhën 1994 – 2016, nga ku ka rezultuar se shpenzimet kanë qenë disa herë më të larta se të ardhurat.

Nisur nga të dhënat e rezultuara nga hetimi administrativ, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, i ka paraqitur mendim Komisionit lidhur me përdorimin e këtij apartamenti nga subjekti, si dhe mundësitë financiare të vjehrrës së tij për të blerë këtë pasuri.

“Vëzhguesi ndërkombëtar shprehet se ekzistojnë arsye të bazuara për të besuar se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të fshehë këtë pasuri nën emrin e vjehrrës së tij,” thekson KPK.

Komisioni i kaluar subjektit të rivlerësimit barrën e proves me të njëjtin argument, duke konstatuar se ka dyshime të arsyeshme se Allajbeu është përpjekur të fshehë apartamentin në Tiranë në emër të vjehrrës së tij. KPK rendit disa fakte ku ka bazuar dyshimet e ngritura.

Sipas KPK, subjekti e ka përdorur këtë banesë që nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018-ës, pa kundërshpërblim dhe pa ndërprerje, ndërsa vjehrra e tij nuk ka jetuar asnjëherë aty. Ndërkohë, apartamenti rezulton të jetë porositur rreth 2 muaj para transferimit të Allajbeut në Tiranë.

Sipas KPK, vjehrra e subjektit të rivlerësimit nuk ka burime financiare të ligjshme për blerjen e këtij apartamenti, pasi të ardhurat e saj për periudhën 1994-2014 kanë rrjedhur nga pensioni dhe se prej dhjetorit të vitit 2014 ka qenë e punësuar me pagë minimale. “Ndërkohë investimet në pasuri të paluajtshme i ka kryer nga viti 2015 e në vijim”, konstaton Komisioni dhe sjell në vëmendje faktin se vjehrra e subjektit ka në pronësi dy vendparkime, njërin në Tiranë dhe tjetrin në Berat, edhe pse nuk zotëron automjet.

Komisioni çmon se dhe nëse nuk përllogariten shpenzimet për blerjen e apartamentit në Berat, për mobilimet e apartamenteve dhe shtesat në llogaritë bankare, balanca pozitive do të ishte në vlerën 3.5 milionë lekë, që do të ishte e pamjaftueshme për pagesën e shumës 47 mijë euro në vitin 2016.

Komisioni analizon marrëdhënien e vjehrrës së Allajbeut dhe djalit të saj me apartamentin në Tiranë. Sipas trupit gjykues të KPK, marrëdhënia e vjehrrës së subjektit me këtë apartament nuk krijon bindjen se ajo është pronari de facto i kësaj pasurie, pasi nuk ka jetuar asnjëherë vetë në këtë apartament.

Trupi gjykues analizon edhe deklarimin e subjektit se vjehrra e ka blerë apartamentin në Tiranë për djalin e saj A.K. dhe se ky i fundit ka kontribuar vetë financiarisht. Sipas Komisionit, kunati i Allajbeut nuk figuron si palë në kontratën e porosisë dhe nuk ka burime financiare të ligjshme për blerjen e këtij apartamenti.

Më tej, trupi gjykues çmon se faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit nuk japin informacion mbi marrëdhënien e kunatit të subjektit të rivlerësimit me këtë apartament. Në vendim sqarohet se ai jeton në Itali që nga viti 2001; se nuk e ka përdorur ndonjëherë këtë banesë; se nuk rezulton të jetë në cilësinë e blerësit dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare. “Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë marrëdhënien e kunatit të tij/A.K., me këtë apartament”, vlerëson trupi gjykues.

“Komisioni çmon se sjellja/marrëdhënia e subjektit të rivlerësimit me apartamentin në Rr. “***”, Tiranë, është si të ishte pronar i saj dhe në funksion të tij (duke pasur parasysh se do të ushtronte funksionin e prokurorit në Tiranë), ndërkohë që sjellja/marrëdhënia e vjehrrës së subjektit të rivlerësimit dhe e kunatit të subjektit/A.K., nuk duket aq e afërt dhe në funksion të tyre”, citohet në vendim.

Komisioni arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk arriti t’i provojë trupit gjykues të kundërtën e rezultateve të hetimit, konkretisht marrëdhënien e vjehrrës dhe kunatit të tij me apartamentin; burimet e ligjshme financiare të tyre për blerjen e këtij apartamenti; si dhe nevojën e vjehrrës dhe kunatit për të kryer këtë investim në Tiranë.

Sipas KPK, Allajbeu gjendet në parashikimet e pikës 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetuës ku thuhet se “Nëse subjekti i rivlerësimit përpiqet të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim ose në përdorim të tij, zbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”. Gjithashtu, Komisioni referon se subjekti gjendet edhe në parashikimet e pikës 5 të nenit 33 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

KPK konstaton edhe një sërë problemesh për kriterin e pasurisë. Në vendim thuhet se Allajbeu nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2017 për çmimin 15 mijë euro, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë të burimit të kësaj pasurie.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Allajbeu nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për dhënien e një huaje në shumën 10 mijë euro  motrës së tij në vitin 2014 dhe për një hua tjetër në shumën 7 mijë euro dhënë prindërve në vitin 2016.

Në vendim thuhet se Allajbeu nuk ka deklaruar saktë përdorimin e katit të dytë të banesës së prindërve në Berat dhe se këta të fundit, në cilësinë e personave të tjerë të lidhur, nuk kanë pasur burime të mjaftueshme financiare për ndërtimin e saj.

Komisioni konstaton balanca negative në tre vite, për vitin 2015 në shumën -490 mijë lekë; për vitin 2017 në shumën -892 mijë lekë dhe në 2018-ën -276.048 lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *