Gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta pas shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Vendi

KPK: Bujar Musta cënoi besimin e publikut me veprimet fiktive dhe vendimmarjet e tij

Në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin e gjyqtarit të Elbasanit, Bujar Musta arsyetohet se ai ka kyer veprime fiktive për të fshehur një apartament, si dhe ka favorizuar të pandehurit me veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës.

Gjyqtari i Elbasanit, Bujar Musta pas shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 17 shtator të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Elbasanit, Bujar Musta, pasi u konstatua se me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupi gjykues gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Zuela Zhegun, konkludon se Musta ka mungesë të theksuar të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve; se ka kryer deklarime të pamjaftueshme dhe ka fshehur pasurinë.

Ndonëse gjatë kontrollit të figurës nuk janë provuar kontakte të papërshtatshme, – kanë rezultuar përputhje midis informacioneve të klasifikuara dhe vendimarrjeve të subjektit, duke e bërë atë të papërshtatshëm për shkak të cënimin të besimit të publikut në këtë kriter.

Duke konsideruar edhe problemet profesionale prej nga janë konstatuar vendimarrje në kundërshtim me ligjin dhe në favor të të pandehurve, trupi gjykues ka krijuar bindjen se gjyqtari Musta duhet shkarkuar.

Bujar Musta e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Elbasan. Në vitin 2014, Musta i është nënshtruar një procedimi disiplinor dhe ka marrë “vërejtje me paralajmërim” nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Veprime fiktive

Komisioni konkludon se gjyqtari Bujar Musta ka fshehur për disa vite një apartament me sipërfaqe 121.09 m2 në Elbasan, që është përdorur prej tij pa kundërshpërblim edhe kur ishte de jure në pronësi të një afërmi të tij. Në vendimin e arsyetuar të KPK shpjegohet se gjyqtari Musta e ka blerë apartamentin në vitin 2010 nga kushëriri i tij E.L. kundrejt çmimit 3 milionë lekë. Ndërsa shitësi E.L. e kishte blerë këtë pasuri nga vjehrri i subjektit të rivlerësimit në vitin 2006 për çmimin 3.5 milionë lekë dhe për periudhën 2007-2010 ia ka lënë në përdorim pa kundërshpërblim gjyqtarit Musta. Ndërkohë, vjehrri i Mustës rezulton ta ketë blerë apartamentin në vitin 2004 për vlerën 3.1 milionë lekë.

Në vendim thuhet se kushëriri E.L. ka deklaruar se ka marrë hua për blerjen e këtij apartamenti, megjithëse jetonte dhe e ushtronte aktivitetin e tij privat në një qytet tjetër. “[…]Z. E. L., jo vetëm që nuk kishte mundësi financiare për të blerë këtë pasuri, por as nuk kishte arsye brenda logjikës ekonomike, ose tjetër interes apo dobi që të blinte pasuri, nëse jo për interesin dhe për llogari të subjektit të rivlerësimit, pasi i vetmi person që ka dalë me përfitim financiar, në sajë të efekteve finale të transaksioneve dhe lëvizjeve të trefishta, të lartpërshkruara, rezulton të ketë qenë, pikërisht, subjekti i rivlerësimit”, konkludon trupi gjykues.

Gjithashtu, nga hetimi është konstatuar se E. L. ia ka shitur apartamntin subjekti për një çmim 500 mijë lekë më pak nga sa e kishte blerë vetë, duke dalë me humbje në këtë transaksion. “[…] ‘thjesht’ për t’i mundësuar subjektit një çmim favorizues”, vëren trupi gjykues.

Nisur nga këto konstatime, Komisioni konkludon se gjyqtari Musta nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit në vitin 2006 dhe në 2004-ën dhe prandaj janë kryer transaksionet pararendëse nga vjehrri dhe kushëriri i tij.

“[…]Krijohet bindja se subjekti ka qenë pronari de facto i apartamentit që prej vitit 2004 dhe se të gjitha veprimet juridike lidhur me këtë pasuri kanë qenë fiktive dhe janë kryer me porosi të Mustës, për t’i mundësuar atij blerjen e këtij apartamenti me një çmim më të lirë nga kostoja e ndërtimit, që të kishte mundësi ta përdorte dhe fshihte si pasuri të tijën njëkohësisht”, vlerëson trupit gjykues dhe i konsideron këto veprime të subjektit në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se Musta nuk ka pasur mundësi financiare për pagesën e gjithë vlerës 3 milionë lekë, megjithëse e ka blerë këtë pasuri me çmim favorizues, edhe më lirë se kostoja e ndërtimit.

Sipas KPK, Gjyqtari Musta është gjetur në pamundësi edhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 1.3 milionë lekë, pasi nga analiza financiare bazuar në deklarimet vjetore, ka rezultuar balancë negative në vlerën 970 mijë lekë.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003 – 2016 ka rezultuar një bilanc i përgjithshëm negativ në masën 3,3 milionë lekë.

“Favorizimi të pandehurve”

Nga hetimi për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, KPK ka gjetur vendimarje të gjyqtarit Musta në kundërshtim me ligjin që kanë sjellë favorizim të të pandehurve.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Bujar Musta për të vazhduar detyrën, bazuar në informacione që referojnë për përfshirje të subjektit në korrupsion pasiv dhe në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqura edhe në formën e shpërdorimit të detyrës.

Komisioni ka verifikuar çështjet për të cilat janë raportuar informacione prej DSIK-së, prej nga janë ngritur dyshime se ato përkojnë me faktet. “[…]Duke i parë në dinamikën e tyre dhe në kontekstin e dosjeve përkatëse, konfirmojnë dhe përputhen, ose së paku nuk përjashtojnë, nga njëra anë se veprimet apo mosveprimet e subjektit të kenë pasur për qëllim favorizimin e individëve të caktuar, dhe nga ana tjetër faktin që këta persona kanë përfituar një trajtim favorizues/preferencial, pra kanë përfituar vendime më të buta se të tjerë subjekte të ligjit që janë gjendur në të njëjtat kushte apo në rrethana të ngjashme”, konstaton trupi gjykues.

Megjithëse KPK çmon se nuk kanë rezultuar prova të qarta lidhur me kontakte të papërshtatshme të subjektit me persona të përfshirë në krimin e organizuar, qëndrimet e subjektit të disa dosje ku janë gjetur rrethana specifike e kontradiktore në mënyrë e zgjidhjeve të çështjeve, konsiderohen si cënim i besimit të publikut.

Po ashtu, janë konstatuar gjetje të ngjashme edhe në hetimin e aspektit profesional. Nga verifikimi të dhënave arkivore është konstatuar se gjyqtarit Bujar Musta i është dhënë më parë masa disiplinore “vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra” për zvarritje në gjykim. Musta e ka ankuar masën disiplinore në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur “Moskompetencën lëndore dhe dërgimin e akteve për shqyrtim Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë”. Kjo e fundit ka vendosur rrëzimin e padisë, por gjyqtari Bujar Musta ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë që nuk është shqyrtuar deri në momentin e hartimit të raportit nga Komisioni.

Komisioni ka verifikuar rrethanat e çështjes për të cilën është kërkuar një masë për “shkarkim nga detyra” në vitin 2009, që ka të bëjë me gjykimin e të pandehurit S.Ç. për kryerjen e veprave penale “vrasje me paramendim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Megjithëse prokuroria ka kërkuar dënimin e S.Ç. dhe të pandehurve të tjerë, trupi gjykues ku ka bërë pjesë edhe subjekti i ka shpallur të pafajshëm.

Nga raportin e inspektimit të atëhershëm është konstatuar se Musta ka treguar pamjaftueshmëri të dukshme profesionale në zbatim të ligjit procedural, duke dhënë vendime në kundërshtim me ligjin shoqëror me pasoja të rënda. Gjithashtu, është konstatuar se ai nuk ka zbatuar urdhërimet e dispozitave procedurale penale, duke sjellë pasoja të rënda në veprimtarinë gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan e duke cënuar dhe ulur autoritetin e organeve të drejtësisë.

“Shkeljet e kryera apo të lejuara konsistojnë në moskryerjen e veprimeve të cilat ishte i detyruar t’i kryente për përmbushjen e rregullt të detyrës, me veprimet apo me mosveprimet e veta ka favorizuar në mënyrë të njëanshme të pandehurit, duke cenuar besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor”, citohet në vendim konstatimi i atëhershëm i Drejtorisë së Inspektimit të Gjyqësorit.

Po ashtu, vërehet se Musta nuk e ka zbatuar me dashje Kodin e Procedurës Penale në gjykimin e këtyre të pandehurve. “[…]Vërtetohet ekzistenca e rrethanave të cilat kanë qenë evidente dhe shumë të qarta për gjykatësin, por qëllimisht nuk janë analizuar nga ana e gjyqtarit Bujar Musta”, citohet në vendim.

Komisioni ka verifikuar edhe disa vendimarrje të tjera të gjyqtarit Musta. Në vitin 2005, subjekti dhe dy kolegë të tij kanë deklaruar të pafajshëm shtetasin A.C. për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” dhe i kanë hequr masën e sigurimit personal duke e lënë të lirë. Pas akkimit nga Prokuroria e Apelit Durrës, gjykata respektive e ka prishur vendimin e Gjykatës së Elbasanit. Gjykata e Apelit Durrës ka konstatuar se gjyqtarët Bujar Musta dhe A. K., si anëtarë të trupës gjykuese, kanë pasur pengesë ligjore për marrjen pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje, pasi në vitin 2004, kanë shfaqur mendimin për objektin e procedimit, duke i kaluar aktet prokurorit.

Gjykata e Apelit Durrës ka vlerësuar se duke qenë se ka shkelje procedurale aktet e prodhura nga vendimarrja e Mustës dhe kolegëve të tij janë absolutisht të pavlefshme. Megjithatë, një treshe tjetër gjykuese e Gjykatës së Elbasanit, e ka shpallur sërish të pafajshëm shtetasin A.C., vendim që është lënë në fuqi edhe prej Apelit Durrës.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka njoftuar se emri i shtetasit Bujar Musta është përmendur gjatë kryerjes së hetimeve në kuadër të një procedimi penal të vitit 2014 që është pushuar, si dhe të një procedimit të 2019-ës që vijon të jetë në hetim. Po ashtu, ndaj Mustës janë depozituar në SPAK kallëzime penale në vitet 2018 dhe 2019, por është vendosur mosfillimi.

Komisioni vlerëson se subjekti nuk ka dorëzuar prova dhe argumente bindëse për të rrëzuar rezultatet e hetimit administrativ për profesionalizimin. Gjithashtu, në vendim thuhet se nuk ka mundur të provojë pretendimet e tij se masat disiplinore të propozuara më parë kanë qenë tendencioze dhe të pabazuara.

Në përfundim, trupi gjykues çmon se shumë prej shkeljeve dhe problematikave të konstatuara në këtë kriter kontribuojnë gjithashtu në krijimin e bindjes mbi cenimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë nga ana e subjektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *