Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Durrës Desart Avdulaj pas seancës dëgjimore. Foto:Vladimir Karaj
Analiza KPK Vendi

KPK e gjeti gjyqtarin Desart Avdulaj me dy makina të fshehura dhe hua të pajustifikuara

Mungesa e burimeve të ligjshme të tre huadhënësve, dyshimet për fshehjen e dy makinave dhe pasaktësitë në deklarimin e të ardhurave cash çuan në shkarkimin nga KPK të gjyqtarit Desart Avdulaj.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Durrës Desart Avdulaj pas seancës dëgjimore. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në vendimin e zbardhur për gjyqtarin Desart Avdulaj, thekson ndër gjetjet shkarkuese dyshimet se gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Durrësit, kishte fshehur pronësinë mbi dy mjete që i kishte përdorur ai nga zhdoganimi, por që kishin pronarë të regjistruar persona të tjerë.

Komisioni po ashtu arriti në përfundimin se Avdulaj nuk kishte përmbysur dot barrën e provës për të provuar burimin e ligjshëm të tre huave dhe nuk justifikonte kursimet e përdorura në blerjen e një apartamenti. Trupa e nxori Avdulajn me një bilanc negativ prej 13 milion lekësh dhe tha se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe se veprimet e tij cënonin besimin e publikut te drejtësia.

Trupa gjykuese që hetoi rastin kryesohej nga Roland Ilia, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshin dhe vendosi shkarkimin e gjyqtarit 26 maj 2021.

Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Pas vendimit të KPK-së ai është i pezulluar nga detyra deri sa vendimi të marrë formë të prerë.

Fshehja e makinave

Hetimi i KPK ngre dyshime se Avdulaj përdori një skemë të ngjashme për të pasur në përdorim pa deklaruar dy makina. Sipas Komisionit një makinë u ble nga vëllai i Avdulajt në vitin 2010, në një kohë kur ai ishte me studime jashtë vendit, dhe u përdor që prej fillimit prej gjyqtarit.

KPK shprehet në vendim se pretendimet e gjyqtarit se makina ishte përdorur edhe nga pjesa tjetër e familjes dhe të ngjashme nuk qëndronin.

“Subjekti nuk dha asnjë arsye bindëse se përse vëllai, që ndodhej me studime jashtë vendit, pavarësisht mungesave financiare të tij, duhet të blinte një automjet, i cili nga momenti i blerjes do t’i lihej në përdorim vëllait të tij”, thuhet në vendim.

KPK thotë se i mbështeti dyshimet edhe mbi faktin se vetë Avdulaj nuk e kishte deklaruar përdorimin e këtij mjeti në asnjë prej gati 7 vjetëve që e kishte përdorur atë.

“Në vlerësim të faktit se subjekti ka një marrëdhënie përdorimi të dokumentuar për gati 7 vjet të kësaj pasurie të luajtshme, marrëdhënie e cila nuk është deklaruar në përputhje me përcaktimet ligjore në deklarimet vjetore pranë ILDKPKI-së, ka fshehur ekzistencën dhe deklarimin e burimit të pagesës së kryer për blerjen e këtij automjeti”, thuhet në vendim.

Një marrëdhënie e ngjashme me një person që jetonte në Britani si emigrant u dokumentua edhe në blerjen e një makine gjahu Mitsubishi Shogun e vit prodhimit 1999. Makina siç del në vendim ishte zhdoganuar në vitin 2009 dhe menjëherë pas zhdoganimit ajo ishte marrë në përdorim nga Avdulaj.

Megjithatë nga hetimi i KLGJ rezultoi se gjyqtari e bleu makinën vetëm në vitin 2014. “Shpjegimet në lidhje me çmimin e blerjes së kësaj pasurie, mundësinë financiare të shtetasit A. Z., mospërdorimit nga pronari legal i tij për shkak të qëndrimit në Angli, si dhe përdorimin e këtij automjeti nga subjekti i rivlerësimit disa ditë pas zhdoganimit, bëjnë që Komisioni të arrijë në konkluzionin se nga subjekti i rivlerësimit është kryer fshehje e kësaj pasurie”, thuhet në vendim.

Mbrojtja e Avduljat se ai e kishte përdorur mjetin deri në mars 2010 dhe më pas nuk e dinte çfarë kishte ndodhur me të deri sa e bleu atë në vitin 2014 nuk u pranua nga KPK. Një kontratë shitblerje mes A.Z-së dhe një personi tjetër në prill 2010, të cilën subjekti e solli vetë gjatë hetimit komplikoi edhe më shumë situatën e gjyqtarit.

KPK arsyetoi se ishte e pakuptueshme se pse Avdulaj e kishte blerë mjetin nga A.Z në vitin 2014, kur në vitin 2010 A.Z e kishte shitur atë te një person me inicialet J.Ç.

“Paraqitja e vërtetimit të noterit nga subjekti, që ky automjet i është shitur shtetasit J.Ç në datën 2.4.2010 nga shtetasi A. Z., vjen në kundërshtim edhe me sa ka rezultuar referuar kontratës së shitjes të datës 12.8.2014, sipas së cilës është shtetasi A. Z. që ia shet subjektit të rivlerësimit këtë automjet”, thuhet në vendim.

Avdulaj pretendoi se kontrata e parë e shit-blerjes nuk ishte përmbushur pasi pagesa nuk ishte kryer plotësisht.

Por KPK arsyetoi se përfshirja e tij si gjyqtar në këtë marrëdhënie kishte cenuar besimin e publikut. “Ai është ekspozuar në një marrëdhënie shitblerjeje, në mënyrë të përsëritur për automjetin “Mitsubishi Shogun”. Ekspozimi i subjektit të rivlerësimit në këtë lloj marrëdhëniesh është bërë me qëllim që në finale të konfirmohet ligjërisht si pronar i vërtetë i automjetit, pasi de facto ishte që në momentin e ardhjes së këtij automjeti në Shqipëri”, thuhen ë vendim.

Huatë dhe mungesa e kursimeve

KPK gjeti të pajustifikuara ligjërisht edhe tre hua të marra nga Avdulaj për blerjen e një apartamenti 101 metra katrorë. Sipas hetimeve të kryera nga Komisioni Avdulaj kishte deklaruar hua nga dy vëllezërit për rreth 30 mijë euro dhe hua 20 mijë euro nga ortaku i njërit prej vëllezërve që zotëronte në shumicë aksionet e një kompanie përmbarimore.

Sipas trupës që hetoi rastin në deklarimin e burmit të ligjshëm të huadhënësve Avdulaj kishte deklaruar fillimisht vetëm të ardhurat nga puna, por kur u pyet gjatë procesit ai shtoi një sërë marrëdhëniesh të tjera financiare, përfshi huamarrje nga vetë huadhënësit, të ardhura nga fitimet e kompanive dhe të ardhurat e të fejuarës së njërit prej vëllezërve.

KPK arsyeton se ndryshimi i qëndrimeve nga subjekti dhe shtimi i burimeve financiare të huadhënësve nuk ishte gjetur i besueshëm dhe ato nuk ishin marrë në konsideratë. “Pra subjekti ka ndryshuar/shtuar burimin e të  ardhurave për huan e dhënë nga vëllai i tij pas dërgimit të rezultateve të hetimit, prandaj vlerëson që ky burim i ri të mos merret në konsideratë”, thuhet në vendim.

KPK doli në përfundimin se asnjë nga tre huadhënësit nuk kishte burime të mjaftueshme për të dhënë huanë. Në një rast KPK tha se verifikoi deklarimet e bëra nga ortaku i vëllait, një prej huadhënësve, në deklarimet periodike të babait të tij që ishte subjekt i ILDKPKI-së dhe gjeti të dhëna të ndryshme nga ato që pretendonte Avdulaj.

KPK po ashtu refuzoi të konsideronte të ardhura të ligjshme 500 mijë lekë të dhuruara nga prindërit e bashkëshortes apo si qoka të lëna nga të afërmit pas martesës. Referuar pretendimit të subjektit për të ulur shpenzimet e familjes së prindërve të bashkëshortes, që rezultonin me pamundësi për të bërë dhurimin, KPK arsyetoi se vlerat e përllogaritura ishin shpenzime jetike minimale.

Komisioni penalizoi Avdulajn edhe sa i përket mosdeklarimit të një biznesi të bashkëshortes, për të cilin ai pretendoi se ishte një pasaktësi.

Në fund KPK gjeti se Avdulaj kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurirë, rezultonte me bilance negative në disa vite dhe kishte kryer veprime që cënonin besimin e publikut te drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *