Gjyqtarja Dhurata Bilo duke dalë nga seanca dëgjmore në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Vendi

KPK: Gjyqtarja Dhurata Bilo nuk provoi dot burimet e pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludon se gjyqtarja e Durrësit, Dhurata Bilo ka pasur pamundësi për investimin në dy banesa dhe blerjen e një autoveture, si dhe ka qenë kontradiktore në shpjegimet për burimet e krijimit të këtyre pasurive.

Gjyqtarja Dhurata Bilo duke dalë nga seanca dëgjmore në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 22 prill 2021 pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se nuk kishte burime financiare për krijimin e tyre.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa(Bungo), që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Bilo e përfundoi hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë.

Dhurata Bilo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej gati dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Gjyqtarja Bilo i është nënshtruar një inspektimi nga KLD në vitin 2015 si dhe një hetimi të prokurorisë në vitin 2016, pas dyshimeve për falsifikimin e pronësisë së ish-hotel Vollgës, por të dyja çështjet u mbyllën pa pasoja.

Në vendimin e arsyetuar të KPK evidentohen pamundësi financiare për krijimin e tre pasurive gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, një shtëpie dy katëshe + kat nënçati në qytetin e Durrësit, një apartamenti në Golem dhe për një autoveturë.

Si burime financiare për blerjen e shtëpisë dy kate + nënçati në Durrës më 22 tetor 2002 kundrejt çmimit 2 milionë, Bilo, ka deklaruar në vitin 2003 kursimet dhe një kredi.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se ditën e blerjes së kësaj pasurie, Bilo me shitësen kanë nënshkruar një kontratë huaje, ku kjo e fundit i jepte subjektit shumën 1.4 milionë lekë, pa interes për një afat një vjeçar. Me anë të një deklarate noteriale të tetorit 2003, është deklaruar dhënia e vlerës 1.4 milionë lekë huadhëneses.

Bilo ka shpjeguar për Komisionin se shitëses së banesës, znj. F.B. i kishte dhënë në dorë vetëm shumën 600 mijë lekë që kishte kursyer dhe se kontrata e huasë ishte nënshkruar si garanci për shlyerjen e pjesës së mbetur në shumën 1.4 milionë lekë, pasi ishte në pritjes së marrjes së kontributit si e pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, EKB.

Sipas subjektit, gjatë periudhës 1993-1998 ajo ka punuar si gjyqtare në Berat dhe bashkia e ka strehuar në konviktin bujqësor të qytetit. Pasi godina u është njohur ish-pronarëve, Bilo ka përfituar statusin e të pastrehut.

Pas transferimit me punë në Durrës, EKB dhe bashkia e këtij qyteti e ka trajtuar me statusin e të pastrehut pasi e kishte pëfituar më parë në Berat, duke i akorduar shumën 1 milion e 510 mijë lekë.

Komisioni evidenton se subjekti e ka përfituar statusin si e pastrehë dhe shumën e dhënë nga EKB, kur ajo ishte bashkëpronare me pjesë takuese ¼ në një apartament të privatizuar nga prindërit në vitin 1993 dhe pasi ajo ishte bërë pronare e banesës 2 kate + papafingo në vitin 2002.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se Bilo ka marrë dy kredi, një në shumën 15 mijë USD në vitin 2003 dhe tjetra në 2004-ën në vlerën 10 mijë USD.

Në vijim, KPK konstaton se pasi subjekti e ka regjistruar këtë pasuri në emrin e saj, ka nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje dhe investimi ndërtimor për vlerën 3 milionë e 884 mijë lekë, ku sipërfaqja e shtëpisë parashikohej të rritej.

Nga analiza financiare fillestare, ku si shpenzime janë vlerësuar pagesa 2 milionë lekë për blerjen  shtëpisë dhe të truallit dhe shuma 3 milionë e 884 mijë lekë investime ka rezultuar balancë negative në shumën 2.1 milionë lekë.

Gjyqtarja Bilo nuk ka pranuar se punimet ishin kryer sipas kësaj kontrate sipërmarrje duke shpjeguar se ishte anuluar pasi jetonte vetëm dhe nuk i nevojitej shtesa.

Ajo ka deklaruar se punimet janë kryer nga kushërinjtë e saj, vëllezërit R. në vlerën 1 milion e 393 mijë lekë dhe ka depozituar dokumente që janë vlerësuar bindëse nga Komisioni.

“[…]shpjegimet e subjektit duhet të pranohen sepse janë bindëse dhe të mbështetura në prova, ku indirekt provohet se punimet mund të mos jenë kryer nga sipërmarrësi z. Sh. K, pasi në banesë nuk evidentohen ndërtime ‘shtesë’ sipas lejes së ndërtimit të marrë më pare[…], shprehet trupi gjykues dhe vlerëson të heqë këto shpenzime.

Pavarësisht kësaj, Bilo ka rezultuar sërish me mungesë financiare në shyumën 571 mijë lekë.

Subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 102 m², në Golem të Durrësit në vitin 2013, kundrejt vlerës 41 mijë e 600 euro.

Bilo ka deklaruar shlyerjen e shumës 31 mijë e 600 euro nga kursimet ndër vite dhe 10 mijë euro të depozituara në një llogari bankare.

Sipas kontratës së sipërmarrjes të prillit 2013, çmimi i apartamentit do të shlyhej në tri këste; i pari në shumën 20 mijë euro në momentin e nënshkrimit të kontratës; kësti i dytë në shumën 11.600 euro një muaj më vonë dhe kësti i tretë në shumën 10 mijë euro do të shlyhet me kalimin e pronësisë në emër të subjektit. Në vendim thuhet se kjo pasuri nuk është regjistruar ende në emër të Bilos.

Nga analiza financiare për mundësinë e pagesës së dy kësteve kanë rezultuar balanca negative.

Nisur nga fakti se subjekti ka deklaruar se shuma 20 mijë euro për këstin e parë është paguar nga kursimet cash që janë deklaruar në shumën 600 mijë lekë në vitin 2012, ka rezultuar balancë negative në shumën 2 milionë e 204 mijë lekë.

Në lidhje me mundësinë e pagesës së këstit të dytë në qershor të 2013-ës në shumën 11.600 euro, subjekti ka deklaruar se i ka paguar nga të ardhurat e përfituara nga akumulimi i pensionit të nënës së saj, duke vendosur si provë një deklaratë noteriale të vitit 2009.

Por, nga hetimi ka rezultuar se fondet e dhuruara nga nëna janë depozituar në bankë në vitin 2010 dhe një vit më vonë, me këtë shumë është hapur depozitë me afat, që është mbyllur plotësisht në mars të 2014-ës.

“[…]pra shuma e përfituar nga nëna nuk mund të ketë shërbyer si burim për pagesën e këtij kësti, pasi subjekti i ka pasur këto shuma të depozituara në bankë dhe pas datës kur është paguar kësti i dytë prej 11.600 euro”, konstaton Komisioni dhe vijon se ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 626 mijë lekë për pagesën e këstit të dytë.

Bilo i ka kundërshtuar këto konstatime duke pretenduar se nuk ka deklaruar kursime cash në deklarimet periodike vjetore përveçse në vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016.

Duke ju referuar edhe jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, trupi gjykues argumenton se kursimet cash të padeklaruara në vite, nuk mund të konsiderohen si të ardhura të akumuluara të subjektit.

KPK i ka rrëzuar edhe pretendimet se për pagesën e këstit të dytë janë përdorur paratë që i ka dërguar i vëllai. Sipas Komisionit, subjekti bie në kundërshtim me përgjigjet që ka dhënë edhe gjatë procesit të rivlerësimit, kur ka deklaruar se kësti i dytë ishte paguar me shumën e dhuruar nga nëna.

Pamundësi financiare është konstatuar edhe në blerjen e një autoveture në janar të vitit 2010 kundrejt shumës 6000 euro.

Si burim krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar shitjen e një makine tjetër një muaj më vonë, në shkurt të 2010-ës, kundrejt shumës 9000 euro. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka blerë këtë makinë në vitin 2008 për çmimin 3000 euro.

Bilo ka depozituar një deklaratë të nënshkruar nga blerësi ku thuhej se ai i kishte dhënë parapagim në formë kapari në vlerën 7000 euro para se të blinte makinën tjetër.

Trupi gjykues konstaton se ky pretendim mbetet në nivel deklarativ pasi nuk është pasqyruar në kontratën e shitblerjes dhe se deklarata nga blerësi është hartuar 10 vjet pasi është kryer shitja. Gjithashtu, Komisioni vlerëson se kjo vlerë nuk mund të konsiderohet në analizë, pasi nuk janë paguar detyrimet mbi fitimet nga shitja.

Komisioni ka hetuar edhe në lidhje me konfliktin e interesit me personin të cilit subjekti i ka shitur mjetin në vlerën 9000 euro, prej nga ka rezultuar se ajo ka gjykuar tre procese ku ai ka qenë pale, dy para transaksionit dhe i fundit në 2020-ën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *