Senca degjimore per gjyqtaren Enkelede Metaliaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK: Gjyqtarja Enkelejda Metaliaj ka mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se gjyqtarja e Apelit Administrativ nuk ka provuar me dokumentacion ligjor ligjshmërinë e një huaje në shumën 35 mijë, si dhe ka mungesa finanaciare edhe për pagesën e dy kësteve të një apartamentti tjetër, si dhe mospërputhje e pasaktësi në deklarime.

Senca degjimore per gjyqtaren Enkelede Metaliaj

Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Enkelejda Metaliaj(Softa) nuk u paraqit të enjten personalisht në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Ajo u përfaqësua nga avokati Klodian Skënderaj, i cili shpjegoi se Metaliaj nuk ishte paraqitur për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, por se nuk kishte ndonjë shkak për shtyrje të seancës.

Në mes të seancës dëgjimore, kur trupi gjykues vendosi të merrte 5 minuta pushim, një qytetare kërkoi t’i jepej mundësia të depozitonte një denoncim ndaj subjektit të rivlerësimit.

Denoncuesja deklaroi se gjyqtarja Enkelejda Metaliaj së bashku me kolegun e saj Arjan Qafa, me shumicë votash, kishin ndryshuar një vendim të shkallës së parë, duke i hequr të drejtën e pronësisë mbi një sipërfaqe trualli për të cilin pretendonte se e kishte fituar me vendim të Gjykatës së Strasburgut. Komisioni i kërkoi denoncueses që të depozitonte dokumentet lidhur me pretendimet e saj në fund të seancës dëgjimore.

Avokati Klodian Skënderaj deklaroi se denoncuesja kishte kryer edhe kallëzim penal lidhur me këtë çështje, për të cilën prokuroria kishte vendosur mosfillim të procedimit dhe se vendimi nuk ishte ankimuar.

Skënderaj kërkoi që t’i jepej mundësi për të depozituar të nesërmen (të premten), kopje të vendimit të prokurorisë për mosfillimin e hetimeve. Kryesuesja Etleda Çiftja e sqaroi avokatin Skënderaj se, nëse Komisioni do të vendoste rihapjen e hetimit pas verifikimit të këtij denoncimi, atëherë subjekti do të njoftohej për të dhënë shpjegime.

Metaliaj u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin, ndërsa për kriterin e pasurisë u evidentuan balanca negative, mospërputhje e mosdeklarime.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjytaren Enkelejda Metaliaj (Softa) kryesohet nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Enkelejda Metaliaj (Softa) e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatat e Durrësit dhe Tiranës. Në vitin 2016, ajo u dekretua si gjyqtare e Gjykatës Administrative të Apelit.

Gjetjet për pasurinë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se gjyqtarja Enkeleda Metaliaj ka kryer deklarim të pasaktë për pasurinë, se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre, ka kryer fshehje e deklarim të rremë, por se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të inetresit.

Avokati Skënderaj kundërshtoi konstatimet e ILDKPKI duke pretenduar se raporti ishte hartuar në kushtet e konfliktit të interesit. Ai sqaroi se bashkëshorti i subjektit, ka punuar pranë isntitucionit të ILDKPKI prej vitit 2004 dhe se deri në vitin 2013 ishte vlerësuar shumë mirë, kurse në vitin 2014, kur ishte ndërruar kreu i institucionit kishte marrë vlerësim jo pozitiv. Skënderaj vijoi se bashkëshorti i Metaliajt kishte kryer padi në Gjykatën Administrative duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të këtij akti të titullarit, që ishte rrëzuar nga shkallë e parë, por më vonë apeli i kishte dhënë të drejtë.

Komisioni i ka kaluar gjyqtares Metaliaj barrën e provës për të vërtetuar burimin e ligjshëm të një huaje në vlerën 35 mijë euro, që bashkëshorti ka marrë nga vëllai i tij në vitin 2010 për shlyerjen e çmimit të një apartamenti me sipërfaqe 76 m2 të blerë po atë vit kundrejt shumës 40 mijë dollarë.

Sipas KPK, subjekti ka dorëzuar dokumente për aktivitetin dhe të ardhurat e siguruara nga huadhënësi S.M., si dhe një kontratë pune të nënshkruar me një shoqëri për vlerën 60 mijë euro. Relatorja Qirko tha se kunati i subjektit ishte në cilësinë e furnizuesit në këtë kontratë.

Nga verifikimi i dokumentacionit të depozituar nga subjekti, ka rezultuar se dhuruesi e kishte regjistruar aktivitetin e tij në vitin 2008, por për periudhën 2008-2009 nuk ka deklaruar fitim. “Subjekti i rivlerësimit e ka deklaruar fitimin, por pa e mbështetur me dokumente”, shpjegoi Qirko dhe vijoi se nuk vërtetohej pagimi i tatimeve për qarkullim mbi fashën 2 milionë lekë.

Avokati Skënderaj tha në seancë se subjekti kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin regjistrimin e aktivitetit të tij. Lidhur me kontratën e vitit 2008 në vlerën 60 mijë euro, ai theksoi se bazuar në legjislacionin përkatës, ishte parashikuar që detyrimet tatimore t’i shlyente porositësi dhe jo kunati i Metaliajt. “Sipas kësaj kontrate rolin e agjentit tatimor për të realizuar pagesën e tatimit në burim e ka pasur shoqëria porositëse”, deklaroi avokati Skënderaj dhe këmbënguli se shuma e arkëtuar nga S.M. duhet të konsiderohet si burim i ligjshëm.

Ai shtoi se kishin depozituar si prova edhe të dhënat bankare të kunatit të Metaliajt, S.M., nga ku rezulton se, përpara se të regjistronte aktivitetin në vitin 2008, në llogarinë e tij janë derdhur vlera të ndryshme nga ai vetë, por edhe nga subjekte të tjera. “Me çfarë ka jetuar ai më parë? Ai ka ushtruar profesionin e gdhendësist të drurit”, tha avokati Skenderaj dhe, duke sjellë në vëmendje jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kërkoi që huaja të vlerësohet bazuar në parmin e proporcionalitetit dhe të quhet si burim i ligjshëm.

Në seancë u tha se Metaliaj ka shpjeguar se apartamenti me sipërfaqe 76 m2 është blerë në të njëjtin pallat dhe kat ku bashkëshorti kishte blerë një tjetër banesë në vitin 2002 me sipërfaqe 96 m2, kundrejt vlerës 28 mijë e 600 euro dhe se i kanë bashkuar.

Qirko tha se për këtë apartament vërehen mospërputhje të çmimit të pasqyruar në deklaratën veting nga subjekti, me atë të shënuar në kontratën e sipërmarrjes. Ajo shtoi se nisur nga fakti se këtë apartament e ka blerë bashkëshorti i gjyqtares Metaliaj para martese, i cili edhe ai është subjekt rivlerësimi, një hetim më i thelluar për këtë pasuri do të kryhet gjatë procesit të tij.

Avokati Skënderaj e kundërshtoi gjetjen për mospërputhje të çmimit dhe theksoi se vlera e paguar për apartamentin 96 m2 ishte 28 mijë e 600 dollarë, ndërsa për apartamentin tjetër tha se ishte blerë për çmimin 40 mijë dollarë. Ai këmbënguli se këto deklarime ishin të provuara me mandatet e pagesave dhe se ishin pasqyruar të tilla edhe në deklarimet periodike.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për shlyerjen e dy kësteve fundit të një apartamenti me sipërfaqe 96.5 m2 në Durrës të porositur në vitin 2007. Si burim krijimi të kësaj pasurie Metaliaj ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër në Durrës për çmimin 3.5 milionë lekë, pasuri që subjekti e ka blerë në vitin 2001 për 1 milion lekë, me burim të ardhurat nga pagat dhe kursimet familjare.

Sipas KPK, subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën veting të gjitha burimet financiare që kanë shërbyer për pagesën e kësteve të apartamentit 96.5 m2 në Durrës. Për pagesën e dy kësteve të para, përkatësisht në shumat 9 mijë euro dhe 30 mijë euro ka rezultuar se bashkëshortët Metaliaj kanë pasur burime të mjaftueshme. Ndërsa vitet 2009 dhe 2010, kur janë paguar kësti i tretë në vlerën 5000 euro dhe kësti i katërt në 4250 euro, kanë rezultuar me balanca negative.

Qirko tha se subjekti ka dorëzuar prova dhe shpjegime që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.

Në seancë u evidentua se gjyqtarja Metalia kishte blerë bono thesari në vlerën 7 milionë lekë, shumë për të cilën ka deklaruar se i është dhuruar nga motra dhe vëllai në vitin 2012 pas shitjes së dy apartamenteve dhe një trualli. Qirko pohoi se subjekti ka shpjeguar se vëllai dhe motra, veç vlerës së pjesës takuese i kanë kaluar edhe shumën 7 milionë lekë, pasi gjyqtarja Metaliaj kujdesej për nënën.

Pasuritë e shitura ishin një apartament me sipërfaqe 86 m2 në Durrës e privatizuar nga prindërit dhe një shtesë me sipërfaqe 53 m2 dhe po aq truall, të legalizuara.

Qirko tha se subjekti ka shpjeguar se për shtesën nuk ka pasur ndonjë kontribut ose lidhje, pasi është ndërtuar në vitin 1997 nga shoqëria ndërtuese e motrës. Nga verifikimet ka rezultuar se për legalizimin e ndërtimit të paligjshëm ka aplikuar babai i Metaliajt dhe se leja e legalizimit është lëshuar në emrin e trashëgimtarëve ligjorë.

Lidhur me mosdeklarimin e shtesës 53 m2, avokati Skënderaj shpjegoi se ajo pasuri është pasqyruar në deklaratën e vitit 2011, pasi ka dalë leja.

Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë për shitjen e këtyre pasurive dhe se apartamenti i privatizuar është lënë si kolateral për marrjen e një kredie nga subjekti dhe vëllai i saj në vitin 2005, fakt që nuk është deklaruar.

Avokati Skënderaj pohoi se, megjithëse subjekti citohet si kredimarrëse dhe prindërit, vëllai e motra si dorëzanëse, Metaliaj nuk kishte të bënte me këtë transaksion. Ai tha se kredia ishte marrë për pagesën e apartamentit të vëllait të subjektit dhe se kjo e fundit duhej të ishte në cilësinë e dorëzanëses pasi apartamenti i vendosur si kolateral ishte pronë e gjithë familjes.

“Gabimi është se bashkëshortja e vëllait të subjektit duhej të ishte në cilësinë e bashkëkredimarrëses dhe jo të dorëzaneses, pasi ajo nuk kishte pjesë takuese tek apartamenti i lënë kolateral”, pohoi Skënderaj.

Sipas tij, vërtetohej me dokumente se kredia kishte kaluar në emër të vëllait e më pas për llogari të shoqërisë ndërtuese. “Edhe sot kjo pasuri për të cilën është marrë kredia figuron në emër të bashkëshortes së vëllait të subjektit dhe të fëmijëve”, vijoi ai.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se më 8 shkurt 2012, në emër të subjektit është transferuar një vlerë 25 mijë euro, të cilën më pas gjyqtarja Metaliaj e ka kaluar për llogari të motrës së saj.

Sipas Qirkos, subjekti ka shpjeguar se vlera në fjalë ka pasur si qëllim shlyerjen e kredisë së vëllait të ndjerë.

Komisioni ka gjetur se bashkëshorti i Metaliajt ka kryer kërkesë pranë zyrës së ALUIZN-it Lezhë në vitin 2014 për legalizimin e një objekti dy kate + papafingo në Mamurras, ndërkohë që në vitin 2015 ka kryer deklarim se hiqte dorë nga legalizimi i pronës së vëllait. Qirko tha se më pas procedura është ndjekur nga kunati i subjektit dhe se prona është regjistruar në emër të tij.

Për lejen e ndërtimit në Mamurras, Skënderaj shpjegoi se banesa ishte ndërtuar para viteve ’90. Ai tha se kjo nuk ishte një pasuri e ndërtuar pas martese dhe pretendoi se megjithëse në kërkesën për legalizimin e objektit figuronte emri i bashkëshortit të subjektit, aty gjendej edhe një numër telefoni që nuk i përket atij.

“Gjithë procedura e legalizimit të atij objekti është ndjekur nga vëllai i bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit”, pohoi Skënderaj.

Avokati Skënderaj u ndal edhe në metodologjinë e analizës financiare të kryer nga KPK. Sipas tij, të ardhurat nga paga e bashkëshortit të subjektit ishte përllogaritur duke ju referuar dokumentacioneve të përcjella nga institucionet.

Ai kërkoi që përllogaritja të kryhej duke u bazuar në hyrjet që bashkëshorti i subjektit kishte pasur në llogarinë e tij bankare çdo vit. Skënderaj pohoi se për vitin 2014, të ardhurat nga paga e bashkëshortit janë përllogaritur në vlerën 518 mijë lekë, ndërkohë, që sipas tij hyrjet në bankë kanë qenë në shumën 1 milion e 10 mijë lekë. Gjithashtu, ai pretendoi se për vitin 2015, bashkëshorti i subjektit kishte pasur të ardhura 997 mijë lekë që ishin depozituar në bankë, ndërkohë që bazuar në dokumentet e përcjella prej institucioneve janë përllogaritur në shumën 612 mijë lekë.

Avokati Skënderaj kërkoi që në analizën financiare të konsideroheshin edhe të ardhurat e përfituara prej subjektit nga puna për periudhën 1989-1993. Sipas tij, nëse konsideroheshin të gjitha të ardhurat e familjes së Metaliaj, analiza financiare do të rezultonte me balancë pozitive.

Metaliaj u vlerësua pozitivisht për aftësitë profesionale, ndërkohë që i janë kërkuar shpjegime për 25 denoncimet e kryera nga publiku lidhur me shqyrtimin e çështjeve në Apelin Administrativ.

Avokati Skënderaj pohoi se subjekti kishte dhënë shpjegime të hollësishme lidhur me zhvillimin e seancave pa regjistrim audio.

Në fund të senacës, avokati Skënderaj kërkoi konfirmimin në detyrë të gjyqtares enkelejda Metaliaj.

Komisioni bëri me dije se, për shkak të verifikimit të denoncimit të ri, data dhe ora kur do të zhvillohet seanca e radhës do të njohtohen në faqen online në internet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *