Prokurori Anton Martini, i cili kandidon për një vend në SPAK gjatë përballjes së dytë me KPK-në. Foto: LSA
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

KPK heton shortet e prokurorit Martini gjatë drejtimit të Prokurorisë së Shkodrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një seancë të dytë dëgjimore me prokurorin Anton Martini, të fokusuar kryesisht mbi një denoncim për procedurat e shortimit të çështjeve për 7 muajt që ai drejtoi Prokurorinë e Shkodrës.

Prokurori Anton Martini, i cili kandidon për një vend në SPAK gjatë përballjes së dytë me KPK-në. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën një seancë të dytë dëgjimore ndaj prokurorit Anton Martini, pas riçeljes së hetimeve prej një denoncimi mbi shortimin e çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës, gjatë kohës që ai ishte drejtues.

Sipas denoncimit, Martini kishte riorganizuar punën në prokurorinë e Shkodrës dhe më pas kishte ndarë çështje, duke ua hequr disa prokurorëve dhe vendosur të tjerë pa respektuar procedurat e shortimit. Në një rast, ai akuzohej se kishte pranuar dorëheqjen e një prokurori nga një çështje dhe kishte bërë caktimin e një prokurori tjetër.

Martini po hetohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko dhe vëzhgues i ONM-së, Hans Kijlstra. Qirko bëri një relatim të denoncimit dhe gjetjeve të KPK-së, pasi kishte rihapur hetimet mbi këtë denoncim.

Ajo vuri në dukje se pas emërimit të Martinit si drejtues në Prokurorinë e Shkodrës, subjekti kishte bërë rishpërndarjen e 56 çështjeve. Qirko theksoi gjithashtu se në disa shorte ishte vërejtur që nga 30 dosje, 12 i ishin caktuar vetëm një prokurori. Qirko citoi po ashtu edhe disa raste të ngjashme, ndërsa tha se Martinit i ishin kërkuar sqarime mbi këto vendimarrje.

Prokurori Anton Martini dha një panoramë më të detajuar të shortimit. Ai tha se kishte marrë pa dëshirën e tij detyrën e drejtuesit, pasi “kishte pasur çështje të rëndësishme në hetim në Tiranë” dhe se kishte gjetur probleme të organizimit në prokurorinë ku ishte dërguar.

“Gjeta një prokurori që kishte humbur besimin te qytetarët dhe institucionet me të cilat duhej të punonte,” tha Martini, duke shtuar se kishte pasur informacion edhe për kontakte të prokurorëve me eksponentë të krimit.

Ai megjithatë vuri në dukje se urdhri i riorganizimit kishte qenë thuajse i detyruar nga trasferimi i 3 prokurorëve prej Shkodrës në Tiranë. Përndryshe nga KPK, Martini  tha se për shkak të riorganizmit dhe për të përmirësuar punën ishin rindarë jo 56 çështje, poe mbi 260 çështje. Ai lexoi konkretisht një pjesë të shorteve, e cila linte të kuptohej për një ndarje propocionale.

Martini tha se vetëm në një rast, një prokurore e sapoardhur nga Laçi në Shkodër dhe që nuk kishte çështje, mori përsipër në shortim rreth 9 dosje. Ai tha se kjo u bë pasi dy kolegët e saj kishin tashmë nga 150 procedime penale.

Martini shpjegoi me detaje se si ishte bërë ndarja brenda prokurorisë dhe vuri në dukje se shortet hidheshin nga drejtuesit e seksioneve në bazë të udhëzimeve të tij.

I pyetur për procedurat e ndjekura në zëvendësimin e një prokurori për të cilin ishte kërkuar përjashtimi nga çështja prej dy të pandehurve dhe pasi prokurori vetë kishte kërkuar të dorëhiqej nga çështja, Martini pranoi se kishte caktuar zëvendësuesin pa short. Ai tha se ligji nuk ia ndalonte këtë caktim dhe se ishte në frymën e ligjit që në raste të tilla, t’i lejohej drejtuesit për të zgjedhur prokurorin, në mënyrë që çështja që ishte e vonuar të mund të përfaqësohej sa më drejt nga prokuroria. Martini tha se çështja ishte në fazë gjykimi dhe se nuk e dinte se çfarë ishte vendosur.

Martini përmendi disa herë gjatë seancës se ai nuk kishte pasur për qëllim të shkonte në Shkodër dhe vendimi kishte qenë i njëanshëm. Ai tha se ajo kishte qenë eksperienca e tij e parë si drejtues, ndërsa shpjegoi se pasi ishte vënë në dijeni të denoncimit nga KPK, kishte kërkuar vetë informacion të detajuar për shortet në Prokurorinë e Shkodrës, duke paraqitur më shumë të dhëna se sa kishte marrë KPK.

Ai pretendoi se Prokuroria e Shkodrës në 7 muaj që u drejtua prej tij hetoi disa dosje të rëndësishme, rihapi disa hetime dhe përdori metoda proaktive që nuk ishin përdorur më herët. Martini përmendi ndër të tjera hetimet për çështje të fajdeve dhe vuri në dukje se disa nga hetimet i kishin kaluar për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Martini iu përgjigj një sërë pyetjesh nga tre anëtarët e trupës dhe vëzhguesi ndërkombëtar, kryesisht mbi procedurat e shortit dhe hapësirën ligjore që drejtuesi kishte për të caktuar prokurorë në çështje.

Gjatë seancës së kaluar, relatorja Qirko vuri në dukje se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës, ndërsa edhe pse u tha se i ishin dërguar pyetje sa i përket kriterit të profesionalizmit, nuk u bënë me dije se cilat ishin çështjet për të cilat ishte kërkuar shpjegim.

Ndërkohë, sa i përket kriterit të pasurisë, Martini u përball me disa çështje që dilnin kryesisht nga mënyra se si ai kishte paguar këstet për apartamentin e blerë në vitin 2016 në Tiranë dhe po ashtu disa dhurime nga vëllezërit.

Martini dha shpjegime mbi afatet kohore të trasferimit të kësteve dhe po ashtu edhe shpjegime mbi burimin e shumave të kursyera. Ai shpjegoi se mungesat e vërejtura nga analiza financiare për disa vite kishin lidhje me mosllogaritjen e saktë të të ardhurave nga puna si prokuror dhe pretendoi se kishte provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave nga vëllezërit.

Edhe në fund të seancës së dytë, Martini kërkoi të konfirmohej në detyrë. Njoftimi i vendimit u la më 29 janar, ora 10.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *