Kreu i Prokurorisë së Matit duke dalë nga seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

KPK identifikon probleme në të tri kriteret e vetingut për prokurorin Hysni Vata

Nga analiza financiare subjekti ka rezultuar balancë negative dhe mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive. DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e prokurorit Vata për vazhdimin e detyrës, ndërkohë që ONM i ka referuar Komisionit disa gjetje për hetimet e aksidenteve në punë në minierën e Bulqizës.

Kreu i Prokurorisë së Matit duke dalë nga seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Hysni Vata u përball të mërkurën me procesin e vetingut. Trupa Gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, përbëhej nga Firdes Shuli kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Në vitin 1992, Hysni Vata ka nisur punë si prokuror, por është larguar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda në vitin 1998. Pasi fitoi në Gjykatën e Lartë të drejtën e rikthimit në sistemin e prokurorisë, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm u emërua në 2008-ën si prokuror në Tropojë, më pas në Dibër, Kurbin e në Mat, ku prej vitit 2017 mban pozicionin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Gjatë periudhës që ka qenë i larguar si prokuror, ai ka punuar në Policinë e Shtetit.

Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj pohoi të mërkurën, se Komisioni e kishte njoftuar prokurorin Vata më datë 19 korrik 2019 për tu paraqitur në seancë dëgjimore më datë 22 korrik, por pasi ai kishte sjellë një raport mjekësor që vërtetonte pamundësinë e tij fizike, seanca u shty për më 4 shtator.

Hamitaj u shpreh se Komisioni e përfundoi hetimin administrativ për prokurorin Hysni Vata për të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Kontrolli i pasurisë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka dorëzuar një raport pranë Komisionit, sipas të cilit prokurori Vata nuk ka kryer deklarim të saktë, nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë, por se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Relatori Hamitaj theksoi se Komisioni ka kryer verifikim të pavarur duke u bazuar në deklaratën veting të prokurorit Vata, mundësinë e krijimit të pasurive dhe ligjshmërinë e burimeve.

Hetimi administrativ ka përfshirë një apartament me sipërfaqe 70.9 m2 në qytetin e Burrelit të përfituar nëpërmjet një kontrate shkëmbimi të vitit 2013. Sipas KPK-së prokurori Vata kishte pasur banesë po në këtë qytet të përfituar në vitin 1995 nga Enti i Banesave. Sipas relatorit Hamitaj, për apartamentin e parë që ka shërbyer për shkëmbimin me banesën aktuale, Vata i ka paguar Entit të Banesave vlerën 56 mijë lekë. Komisioni ka verifikuar të ardhurat e prokurorit Vata dhe personave të tjerë të lidhur në atë periudhë, që kanë rezultuar në vlerën rreth 461 mijë lekë, ndërsa shpenzimet janë përllogaritur në vlerën 322 mijë lekë. Komisioni konkludoi se prokurori Vata ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie. Hamitaj tha se Vata nuk e ka kryer deklarimin e shkëmbimit në 2013-ën, pasi kjo kontratë është kryer në muajin tetor të atij viti.

Komisioni ka identifikuar një tjetër apartament me sipërfaqe 91.34 m2 në Tiranë, për të cilin prokurori Vata ka nënshkruar kontratë porositësi në vitin 2007 për vlerën 40,500 euro, por ende nuk zotëron certifikatën e pronësisë për këtë pasuri. Relatori Hamitaj tha se nga verifikimet ka rezultuar që deri tani shoqërisë ndërtuese i janë likuiduar 33,250 euro. Ai shtoi, se prokurori Vata ka deklaruar si burim krijimi të kësaj pasurie kursimet e tij, të bashkëshortes dhe të vëllait. Kjo, pasi për pagesën është përdorur një depozitë bankare në vlerën 4.1 milionë lekë që figuron në emër të bashkëshortes dhe vëllait të prokurorit Hysni  Vata.

Hamitaj sqaroi se Vata e ka pasqyruar këtë depozitë dyemërore edhe në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2006, ku ka sqaruar se nga 4.1 milionë lekë, 500 mijë lekë ishin të familjes së tij, ndërsa pjesa tjetër e vëllait. Sipas Komisionit, prokurori Vata ka shpjeguar se vëllai e ka përfituar shumën e depozituar nga puna në Greqi, por nuk ka arritur të vërtetojë me dokumente zyrtare ligjshmërinë e tyre.

Nga verifikimet e KPK është konstatuar se Vata ka marrë një kredi në vlerën 3 milion lekë në vitin 2009, nga e cila është tërhequr shuma 2.7 milionë lekë. Hamitaj pohoi se Vata ka shpjeguar para Komisionit se kjo kredi ka shërbyer për shlyerjen e detyrimit financiar ndaj vëllait, pasi ishin tërhequr kursimet e tij nga depozita dyemërore kur ishte kryer një pagesë për apartamentin në Tiranë. Komisioni ka konstatuar se ky veprim nuk është shpjeguar nga subjekti në vitin 2009. Gjithashtu, ka rezultuar se nuk ka dokumente për detyrimin e mbartur 3.6 milionë lekë ndaj vëllait në vitet 2006, 2007.

“Subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie”, pohoi relatori Lulzim Hamitaj.

Ndërkohë, Komisioni nuk identifikoi probleme lidhur me blerjen e një autoveture tip Peugeot në vlerën 200 mijë lekë në vitin 2015, si burim krijimi i së cilës janë deklaruar të ardhurat familjare dhe ato të siguruara nga shitja e një mjeti tjetër.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe në krijimin e një gjendje cash në vlerën 1.4 milionë lekë, si burim i së cilës, Vata ka deklaruar pagat e tij dhe të ardhurat nga aktiviteti i bashkëshortes si notere. Nga analiza financiare, Komisioni ka konkluduar një balancë negative -1.1 milionë lekë. Gjithashtu, Komisioni ka konstatuar një balancë negative -3.4 milionë lekë për investimet e kryera gjatë pesë viteve.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Vata i kundërshtoi gjetjet e Komisionit lidhur me kriterin e pasurisë. Ai tha se të ardhurat e familjes së tij ishin sa katërfishi i shpenzimeve. “Të ardhurat tona janë të ligjshme se janë marrë nga borderotë e shtetit”, pohoi ai. Më tej, Vata shpjegoi se në vitin 1995 kishte përfituar një apartament 77 m2 si i pastrehë dhe se këtë banesë e kishte shkëmbyer me atë të prindërve dhe të vëllezërve që ishte 70 m2. “U bë kontrata në vitin 2013, por unë kam 23 vjet që jetoj aty”, theksoi prokurori Vata.

Më tej ai u ndal të shpjegonte për depozitën dyemërore. “Depozita është hapur nga vëllai dhe bashkëshortja. E dinim sa ishte pjesa e secilit dhe nuk bëmë kontratë. Shkëmbimet janë bërë brenda bankës. Në vitin 2009 vëllezërit i donin ato lekë dhe morëm kredi për t’jua kthyer. Ky burim për shlyerjen është i ligjshëm. Të penalizohem pse vëllezërit kanë sakrifikuar duke punuar me ndershmëri e duke fjetur më shumë jashtë? Rezulton që kredia ka shkuar direkt për vëllanë”, pohoi Vata.

Kontrolli i figurës dhe profesionalizmi

Për pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e konsideron prokurorin Hysni Vata si të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Relatori Lulzim Hamitaj u shpreh se Komisoni po kryen verifikime autonome dhe do të japë vlerësimin e tij para marrjes së vendimit përfundimtar.

Lidhur me konstatimin e DSIK, Vata tha se vetë ky institucion ka dalë me dy raporte, në të parin e ka cilësuar të përshtatshëm, ndërsa në të dytin të kundërtën.

“Në raportin e dytë flitet për 13 vite më parë. Nuk i kishte më parë këto të dhëna, pse jep DSIK vlerësime të ndryshme?”, pyeti Vata trupën gjykuese të KPK-së.

“Raporti është i pavërtetë e jo serioz. Është një shpifje e turpshme. Nuk jam përfshirë në veprime që cënojnë figurën. Prandaj s’ka pasur asnjë kallëzim penal, apo procedim ndaj meje. I kërkoj Komisionit t’i konstatojë të pavërteta”, pohoi Vata.

Lidhur me profesionalizimin, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka konstatuuar se prokurori Vata nuk ka kryer shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës. Ndërkohë, nuk ka rezultuar që të ketë pasur masa disiplinore.

Hamitaj sqaroi më detaje të karrierën e Vatës. Ai pohoi se subjekti është larguar nga detyra e prokurorit me dekret të Presidentit për shkelje të rënda gjashtë ushtrimit të detyrës. Por ka arritur të rikthehet në vitin 2008, pasi gjykata rrëzoi dekretin e Presidentit. Ndërkohë, gjatë tre viteve të verifikimit, Vata është vlerësuar shumë mirë nga Prokuroria e Përgjithshme.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se pranë Komisionit kanë mbërritur 8 denoncime dhe nga dosjet e administruara ka rezultuar të ketë pasur raste të moskryerjes së hetimeve të plota, të thelluara e gjithëpërfshirëse.

Lidhur me profesionalizmin ONM ka depozituar pranë Komisionit disa gjetje për hetime të kryera në Dibër. ONM ka konstatuar mangësi të hetimeve, që sipas Komisionit, duket se cënojnë të drejtat e të hetuarve dhe viktimave. Konkretisht, problematikat janë konstatuar në procedime penale që kanë pasur të bëjnë me dëmtimet fizike të punonjësve në minierën e Bulqizës. Sipas ONM, veprimet dhe mosveprimet nuk kanë qenë të bazuara në ligj. Vata i kundërshtoi gjetjet e ONM-së duke pretenduar se në katër rastet e vendimeve të mosfillimit nuk është konstatuar vepër penale. Ai tha se në asnjë rast nuk ka pasur ankim nga asnjë palë.

Anëtarja e trupës gjykuese të KPK, Pamela Qirko e pyeti prokurorin Vata nëse kishte pasur ndonjëherë hetim për shoqëritë që administrojnë aktivitetin e nxjerrjes së mineraleve në minierën e Bulqizës, apo nëse ishin hetuar vetëm viktimat. Vata pohoi se ka pasur raste të hetimit të shoqërive dhe kanë shkuar në gjykim.

Relatori Hamitaj sqaroi se për të gjitha gjetjet, prokurori Hysni Vata ka depozituar shpjegime dhe prova të cilat do të shqyrtohen para marrjes së vendimit. Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Hysni Vata kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 9 shtator 2019, ora 12:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *