KPK konfirmoi gjyqtaren Saida Dollani
Lajme

KPK konfirmoi gjyqtaren Saida Dollani

Gjyqtarja pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Saida Dollani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Gjyqtarja Saida Dollani pas seances degjimore ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj

Trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar njoftoi të premten konfirmimin në detyrë të Saida Dollanit, Gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Dollani u gjet pa probleme nga KPK. Deklarimet e saj u përputhën me rezultatet e hetimit dhe po ashtu ndaj saj nuk u gjetën probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Relatorja e çështjes vuri në dukje se nga hetimi administrativ nuk ishin evidentuar probleme në dhurimin e një apartamenti me sipërfaqe 79 m2 në Tiranë. Sipas realtores Sanxhaktari, kjo pasuri i është falur Dollanit prej motrës së saj dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se motra e Dollanit ka qenë në Shqipëri kur është realizuar kontrata e dhurimit. Gjithashtu, Sanxhaktari u shpreh se rezulton që Dollani të ketë paguar detyrimet lidhur me kalimin e kësaj pasurie në pronësi të saj dhe se nuk janë gjetur indicie për të ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së burimit të krijimit. Po ashtu pa probleme rezultuan edhe shpenzimet për studimet e dy djemve të gjyqtares në Francë.

Disa denoncime, përfshi një denoncim nga Emiljano Shullazi, nuk u morën parasysh nga KPK pasi në to nuk kishte indicie për veprime të paligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *