KPK konfirmoi me shumicë votash gjyqtarin Dhimitër Lara
Lajme

KPK konfirmoi me shumicë votash gjyqtarin Dhimitër Lara

Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Dhimitër Lara u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Lara u hetua në të tre kriteret dhe u përball me denoncimin e 2 të akuzuarve si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, Orik dhe Laert Shyti, që pretendonin se u ishin shkelur të drejtat.

Gjyqtari i Apelit per Krime te Renda, Dhimiter Lara pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda, Dhimitër Lara u konfirmua në detyrë të mërkurën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Etleda Çiftja, vendosi me shumicë votash të konfirmojë Larën.

Gjatë seancës dëgjimore të hënën Lara përball me probleme të vogla me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u vlerësua për të tre kriteret e vetingut.

Gjyqtari Dhimitër Lara mori një relacion pozitiv nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, sipas së cilit ai kishte kryer deklarim të saktë dhe nuk kishte fshehje të pasurisë apo konflikt interesi, gjë që u konfirmua edhe nga KPK.

Në lidhje me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe nga hetimi nuk ka pasur të dhëna që subjekti është përfshirë në kontakte të papërshtatshme apo afera korruptive.

Në lidhje me aftësitë profesionale, ka rezultuar se gjyqtari është vlerësuar pozitivisht nga KLD, edhe nga verifikimi i KPK, nuk kanë rezultuar problematika në pesë dosjet e shortuara dhe në ato tre të përgjedhura nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Seanca dëgjimore e tij u shenjua nga denoncimi i dy të akuzuarve si anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”, Orik dhe Laert Shyti, të cilët KPK i quajti “viktima” dhe e pyeti gjyqtarin Lara nëse kishte shkelur të drejtat e tyre.

Denoncimi i pashoqëruar me prova i Orik dhe Laert Shytit ngrinte akuza se vendimi i dënimit të tyre nga trupa ku bënte pjesë gjyqtari Dhimitër Lara ishte dhënë nën “korruptim politik”.  Çështja e “Hakmarrjes për Drejtësi” u përmend fillimisht në relatim, ku u evidentua fakti se vendimi i dënimit të tyre nga trupa gjyqësore ku bënte pjesë dhe gjyqtari Lara u rrëzua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Një trupë e dytë gjyqësore në Apelin e Krimeve të Rënda i shpalli më pas të pafajshëm të akuzuarit si anëtarë të kësaj organizate.

Denoncimi i tyre u rimor nga Etleda Çiftja në fund të seancës dëgjimore, e cila kërkoi nga gjyqtari Lara që të jepte një koment mbi të. “Për çështjen gjyqësore, ku vendimi juaj nga një trupë tjetër është gjykuar ndryshe… . Mos janë shkelur të drejtat e viktimave O.Sh. dhe L.Sh.,” pyeti Çiftja në seancë.

Lara preferoi të mos i përgjigjej kësaj pyetjeje, por në fund të seancës ai theksoi se do të vepronte në të njëjtën mënyrë për gjithçka, nëse do të kthehej prapa në kohë. Lara është gjyqtar prej 15 vitesh në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *